1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shoqëria civile në Kosovë u bën thirrje partive të publikojnë burimet e financave

25 Nëntor 2010

Zyrtarë të Komisionit Qëndrorë të Zgjedhjeve, thonë se ata tashmë kanë angazhuar një kompani, që po bën kontrollin e brendshëm të financave të partive të regjistruara për të marrë pjesë në zgjedhjet e përgjiithshme.

https://p.dw.com/p/QHrI
Në përgatitje për votimet
Në përgatitje për votimetFotografi: DW

Çështja e financave të partive politike dhe burimi i financimit të tyre në Kosovë mbetet një ndër çështjet më të panjohura, thonë përfaqësues të shoqërisë civile. Në një raport të organizatës Transparency International, partitë politike janë identifikuar si institucionet më të korruptuara në vend. Në gjysmën e këtij muaji në Kosovë ka hyrë në fuqi ligji, i cili kontrollon financimin e partive politike. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka angazhuar një kompani, e cila po bën kontrollin e brendshëm të financave të partive të regjistruara për të marrë pjesë në zgjedhje, thotë për programin tonë Valdete Daka, kryetare e KQZ-së.

Valdete Daka, KQZ, Prishtinë
Valdete Daka, KQZ, PrishtinëFotografi: DW


Po bëhet auditimi i financave të partive politike

“Është një audit i brendshëm, që bën auditimin e financimit të partive politike gjatë fushatave dhe në fund del me një raport përfundimtar”, thotë Valdete Daka.

Mirëpo, raporti i kontrollit të brendshëm të financave të partive politike do të bëhet publik vetëm pas mbajtjes së zgjedhjeve. Përfaqësuesit e partive politike garuese në zgjedhje, thonë se ata kanë bërë transparente burimin e financimit të tyre te zyra për regjistrimin e partive politike në KQZ-ve, por nuk pranojnë të japin shifra. Me të zëshmit që kërkojnë transparencë nga partitë politike për të deklaruar burimet e finacave të tyre janë shoqëria civile.

Partitë nuk i deklarojnë si duhet financat

Avni Zogiani, "Çohu"
Avni Zogiani, "Çohu"Fotografi: DW

Avni Zogiani, nga organizata joqeveriare “Çohu”, thotë për programin tonë se subjektet politike asnjëherë nuk i deklarojnë drejt financat e tyre.

“Nëse e shohim shumën e përcaktuar për fushatën zgjedhore për të gjitha partitë politike në këtë vit, ajo ka qenë afër një milion euro, ndërsa, zakonisht partive të mëdha politike sipas llogaritjeve tona, fushatat parazgjedhore u kushtojnë rreth dy milion euro”, thotë Avni Zogiani.

Zoti Zogiani thotë se ndëshkimet, që i përcakton ligji për mosdeklarimin e financave të partive politike janë gjoba shumë të ulta dhe në këtë linjë sipas tij, u mundëson partive politike që mos t'i deklarojnë drejt financat.


“Gjoba për mosdeklarimin e financave është nga tre mijë deri në nëntë mijë euro, që do të thotë se është dhjetra herë më e vogël sesa në shtetet e rajonit. Për shembull, në Kroaci minimumi i dënimit është 60 mijë euro, ndërsa, në Kosovë maksimumi është nëntë mijë euro”, thotë Avni Zogjiani.

Ndërkohë, Ismet Kryeziu nga rrjeti i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”, thotë se partitë politike në Kosovë edhe në barometrat e organizatave ndërkombëtare janë renditur si më të korruptuarat.


Një parlament i bazuar në korruptimin e votës?

“Në vitet e fundit termi korruptim i votës ka qenë shumë i pranishëm. Për të mos patur një proces të korruptuar, partitë politike duhet të jenë transparente përballë opinonit për të treguar mbi shpenzimet e tyre që i kanë bërë gjatë fushatave zgjedhore. Shoqëria kosovare nuk është e interesuar të prodhojë një parlament, i cili është i bazuar në korruptimin e votës apo në fshehjen e parasë apo shpenzimit të tyre për fushata zgjedhore”, thotë Ismet Kryeziu.

Shoqëria civile thotë se ndriçimi i të hollave publike ose transparenca e të hollave që i përdorin partitë politike gjatë fushatave do ta legjitimonte në thelb procesin zgjedhor dhe do t'i jepte një besueshmëri tërë procesit, si në aspektin vendor, ashtu edhe në aspektin ndërkombëtar.

Autor: Bekim Shehu/ Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi