1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shpallen "zonat pa armë"

Daphne Antachopoulos12 Dhjetor 2007

Në Gjermani po shënohen gjithnjë e më tepër raste përleshjesh të përgjakshme gjatë të cilave përdoren edhe armë zjarri.

https://p.dw.com/p/CaWi
Fushatë e Amnesty International kundër armëveFotografi: AP

Për t'u dalë përpara rasteve të tilla ministrat e punëve të brendshme të landeve si dhe ai i federatës ranë dakord që të shpallin si "zona pa armë" disa pika ku kohet e fundit ka pasur raste të përsërituara dhune dhe përdorimi armësh si dhe të përforcojnë ligjin për mbajtjen e armëve të zjarrit.

Ligji është ashpërsuar më 2003

Ligji për mbajtjen e armëve të zjarrit u ndryshua një herë më 1 prill 2003 duke u ashpërsuar së tepërmi. Në këtë mënyrë mosha minimale për blerjen dhe të drejtën për të mbajtur armë u rrit nga 18 në 21 vjeç. Ashpërsimi i ligjit ndodhi si reagim ndaj ngjarjes së një gjimnazi në Erfurt, ku një nxënës 19-vjeçar vrau në amok 17 nxënës dhe mësues.

Për të blerë një armë në Gjermani nevojitet një certifikatë pronësie armësh, kurse për ta mbajtur armën me vete të nevojitet edhe një leje mbajtjeje armësh. Leja e armëve nuk i jepet kujtdo, pra përpara se të marrë një leje të tillë personi në fjalë duhet të shkojë për kontrroll tek mjeku, i cili duhet të dëshmojë se personi është i aftë mendërisht për të mbajtur armë. Ligji i vitit 2003 përmban edhe kufizime të tjera, pra personat që janë dënuar me të paktën një vit heqje lirie, janë anëtarë të ndonjë organizate të ndaluar apo antikushtetuese, ose janë dënuar në rini me masa ndëshkimoro-edukative nuk kanë të drejtë të mbajnë armë.

Ligji është ashpërsuar edhe për municionet

Në vitin 2003 u ashpërsua edhe ligji për magazinimin dhe depozitimin e armëve. Armët dhe municioni duhet të mbahen në vende të ndara. Në bazë të këtij ligji u ndaluan armë të tilla si pumpguns, thika flutur apo yjet thikë, që përdoren prej kriminelëve. Për pistoletat me gaz apo me presion për të cilat më parë nuk nevojitet leje armësh, u bë e detyrueshme e ashtuajtuara leja e vogël e armëve.

Leje e vogël për armët

Statistika e krimeve dëshmon se ashpërsimi i ligjit për armët - sidomos rritja e moshës së lejuar për mbajtjen e armëve - ka qenë efikase: Gjatë katër viteve të fundit numri i veprave penale gjatë të cilave ishin përdorur armë zjarri u pakësua me rreth 1.000 raste, duke kapur nivelin e 4.500 rasteve. Po ashtu rënie pati edhe në rastet e kërcënimeve me përdorim armësh, nga të cilat u regjistruan rreth 8.800 raste, pra 2.000 më pak se periudha e mëparshme.

Ndalim edhe për armët - lodra

Në fund të nëntorit 2007 kabineti gjerman vendosi një ashpërsim të mëtejshëm të ligjit për armët. Koalicioni i madh synon që të ndalohet edhe mbajtja e armëve lodra, të cilat ngjajnë shumë me armët e vërteta. Po ashtu synohet të ashpërsohen edhe ligjet për trashëgimin e armëve: Ai që trashëgon një armë, por nuk shkon vetë as për gjah, as për t'u stërvitur në poligon, është i detyruar që në rast se do ta mbajë armën si kujtim, ta sigurojë atë me një sistem special bllokimi.

Frena për tregtinë e armëve

Edhe BE-ja planifikon ashpërsimin e ligjit për armët. Më së voni deri në vitin 2010 të gjitha vendet e BE-së duhet të kenë instaluar regjistra të kompjuterizuar për armët, për t'i vënë një lloj freni tregtisë ilegale të armëve. Si moshë minimale për blerjen e një arme do të rekomandohet mosha 18-vjeçare, por shtetet e BE-së do të kenë të drejtë që si Gjermania ta ngrenë këtë moshë.

Ligji gjerman për armët konsiderohet si një ndër më të ashpërit. Megjithatë ekspertët theksojnë se me gjithë përpjekjet me anë të këtij ligji nuk mund të zgjidhet problemi më i madh në vend, pra blerja ilegale dhe mbajtja e armëve pa leje. Sipas vlerësimeve të sidikatës së policisë në Gjermani janë në qarkullim rreth 20 milionë armë ilegale.