1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shpeshtohen arratisjet e të burgosurve në Belgjikë

8 Gusht 2009

Brenda dy javëve në Belgjikë janë arratisur tre të burgosur. Rasti i fundit ndodhi këtë të martë kur dy persona të maskuar liruan nga salla e gjyqit në Pallatin e Drejtësisë në qendër të Brukselit tre të burgosur.

https://p.dw.com/p/J62d
Burgu në Dendermonde të BelgjikësFotografi: picture alliance/dpa

Seria e arratisjeve nga burgjet belge vazhdon. Gjatë kësaj vere pati tri raste brenda 10 ditësh. 12 të burgosur arritën të arratiseshin të paktën për një kohë të shkurtër, kurse katër të tjerë nuk janë gjetur ende. Fjala është për kriminelë të dhunshëm dhe të dënuar për përdhunime, të dënuar me heqje lire për shumë vjet.

Por në Belgjikë me sa duket arratisja nga burgu nuk duket se përbën ndonjë të keqe. Sepse në Belgjikë arratisja prej burgut nuk është e dënueshe penalisht. Kjo arsyetohet me idenë se ndjenja e lirisë është e lindur dhe një forcë që nuk mund ta shtypësh. Por e rëndësishme është që në periudhën që është në arrati i dënuari nuk duhet të kryejë vepra të tjera të këqia. Kështu p.sh. një i dënuar që u arratis javën e kaluar me shkallë prej burgut të Anversës ndoshta nuk do të dënohet për këtë. Por e ëma, një grua në moshë, e cila po e priste me makinë tek muri i burgut, ndoshta mund të dënohet deri me tre vjet heqje lirie, për ndihmë për arratisje nga burgu.

Po kaq kontradiktor është qëndrimi zyrtar i Belgjikës edhe në lidhje me sigurinë. Vizitorët e Pallatit të Drejtësisë i prisnin ditën e dyerve të hapura kontrolle të forta. Në praktikën e përditshme detektorët për sendet metalike nuk përdoren. Po ashtu edhe personeli i rojeve është i pajisur keq, një shkop gome dhe Sprei për sytë, që i verbon ata që mund të na sulmojnë. "Kundër ndonjë arme s'jemi të pajisur", tregon një punonjës sigurie, i cili ndër të tjera nuk e di, se kë duhet të mbrojë. Edhe pse të martën e kaluar (4.8.) kur dy persona të maskuar dhe të armatosur hynë në sallën e gjyqit të Pallatit të Drejtësisë për të liruar tre të burgosur, një armë do t'i kishte hyrë mirë në punë. Dëshmitarët e ngjarjes tregojnë se e gjitha ndodhi sikur po xhirohej ndonjë film policor.

Ministri i Drejtësisë Stefan de Clerck tha se s'ka ç'të bëjë: "Pallati i Drejtësisë është një ikonë për Belgjikën. Një monument i mrekullueshëm arkitekture. Ai nuk mund të sigurohet, ka shumë hyrje."

Gefängnisausbruch in Belgien mit Helikopter Ashraf Sekkaki
Ashraf Sekkaki u arratis me helikopterrFotografi: AP

Askujt nuk i ka shkuar në mend t'i mbyllë ato. Po ashtu të çudit edhe fakti që para rreth dy javësh nga burgu i Bryzhës pati sërish një arratisje me helikopter. Para dy vjetësh në Belgjikë ka pasur dy raste të tilla dhe të paktën që prej këtij momenti autoritetet duhet t'i kishin mbuluar me rrjeta të gjitha oborret e brendshme të burgjeve të vendit. Kjo kushton shumë, justifikohet ministri i Drejtësisë. Oborri i sektorit të sigurisë së lartë në burgun e Bryzhës është mbulur tashmë me rrjetë, por krimineli i arratisur së fundi, sapo ishte liruar nga ky sektor.

Arratisjet do të kenë me siguri pasoja. Që tani është vendosur që të burgosurit nuk do t'i nxjerrin më si zakonisht për një orë në ditë në ajër të pastër.

Freddy Horion, i dënuar për gjashtë vrasje, ka ngritur për këtë padi ndaj shtetit belg. Avokati i tij Bart Vosters e pranon se Horioni është arratisur dy herë deri tani, por kjo ka ndodhur para 30 vjetësh.

Autor: Katrin Brand

Redaktoi: Bahri Cani