1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shpresë për normalitet tek Siemensi - Zgjidhet shefi i ri i koncernit

Paul-Friedrich Schönlau21 Maj 2007

Ankthi i pritjes tek Siemensi ka marrë fund. Shef i kryesisë do të jetë Peter Lësher (Peter Löscher), deri më sot një menaxher i panjohur. 49 vjeçari nga Vilahu i Austrisë do të nisë detyrën e re më 1 korrik

https://p.dw.com/p/Aqwc
Peter Löscher, Shefi i ri i Siemens-it
Peter Löscher, Shefi i ri i Siemens-itFotografi: AP

Peter Lëscher është i pari shef i Siemensit që nuk vjen nga brenda koncernit. Lësher ndërkohë vazhdon të jetë anëtar i kryesisë së koncernit të SHBA Merck & Co, një ndër ndërmarrjet kryesore të farmaceutikës në mbarë botën. Këtej e tutje atij i duhet ta drejtojë gjigandin e teknologjisë, Siemens, drejt ujrave më të qeta. Vendimin e morri këshilli mbikqyrës i Siemensit të dielën më 20 maj në Mynih.

Mbledhja e këshillit mbikqyrës të dielën më 20 maj nuk zgjati as dy orë, kur kryetari i këshillit Gerhard Krome (Gerhard Cromme) foli i lehtësuar përpara mikrofonëve në sheshin Vitelsbaher në Mynih, ku ndodhet edhe selia qëndrore e Siemensit. Në atmosferën e motit të bukur ai deklaroi, se Peter Lësher do të marrë më 1 korrik postin e shefit të Siemensit. Me këtë vendim udhërrëfyes për personelin Krome kishte mbështetje të gjerë: "Jam i gëzuar, që ky vendim u bë i mundur në unanimitet të plotë mes kryesisë, këshillit mbikqyrës dhe menaxhmentit e personelit. Nisur nga fakti që ketu kanë ardhur kaq shumë pjesëmarrës, mund ta kuptoni, se ne jemi tërësisht të vendosur, të kontribuojmë nga të gjitha anët e ndërmarrjes, për ta nxjerrë sa më shpejt Siemensin nga kjo fazë e vështirë."

Kryetari i deritanishëm i kryesisë, Klaus Kleinfeld do të largohet në fund të qershorit nga ndërmarrja. Pasardhësi i tij Peter Lësher do që ta vendosë koncernin përsëri në shtigjet e virtytit: "Për mua personalisht është një nder i madh dhe një përgjegjësi e madhe, që të marr përsipër drejtimin e kryesisë së një koncerni botëror me pozicion kryesues në degën e teknologjisë dhe në treg. Bashkë me punonjësit e Siemensit do të angazhohem plotësisht, që ndërmarrja të zhvillohet edhe më tej në interes të Gjermanisë, në interes të shoqërisë, në interes të punëtorëve dhe sipërmarrësve si dhe të klientëve."

Shefi i ri është baba i tre fëmijëve. Ai e ka nisur karierrën si konsulent ndërmarrjeje tek firma ndërkombëtare e konsulencës Kienbaum, më vonë ka kaluar disa etapa tek koncerni kimik dhe farmaceutik Höchst, ka fituar përvojë në Azi si presidenti i firmës Avnetis në Japoni dhe njeh mjaft mirë prej përvojës personale një prej konkurrentëve më të fortë të Siemensit, General Electric në ShBA. Ai është pra një menaxher me përvojë të shkëlqyer ndërkombëtare.

Cilësitë e tij me sa duket i kanë bindur përfaqësuesit e punëtorëve të koncernit, sepse sindikata e metalurgjisë IG-Metal e ka mbështetur emërimin e tij. Bertholt Huber, përfaqësues i sindikatës në këshillin mbikqyrës të Siemensit shprehu mbështetjen e tij: "Ne kemi vendosur t´ia japim votën tonë zotit Lësher dhe shpresojmë, që Siemensi do të qetësohet, që do të marrë fund kriza e menaxhimit dhe se Siemensi do të rifitojë forcën e vet si një koncern i teknologjisë. Ne do ta mbështesim zotin Lësher."

Qysh prej muajsh Siemensi është tronditur prej disa aferave dërmuese të korrupsionit. Shanset me këtë zgjidhje në personel janë tani të mira për një fillim të ri. Koha nuk priste, ndaj këshillat mbikqyrëse me kënaqësi e sakrifikuan këtë të dielë maji me diell për të marrë vendimin. Të gjithë nxituan të mblidhen në selinë qëndrore të Siemensit në Mynih, për të zgjedhur shefin e rij. Tashmë e ka në dorë Peter Lësher, që ta kthejë koncernin në ujrat e qeta.