1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqetësimi i Rusisë, gëzimi i Amerikës

Bernd Riegert29 Mars 2004

Zgjerimi në lindje i NATO-s quhet zgjerim influence dhe miqësie amerikane

https://p.dw.com/p/ArHs
Selia e NATO-s në Bruksel
Selia e NATO-s në BrukselFotografi: dpa


Me dy ceremoni festive në Uashington dhe Bruksel NATO këtë javë shënon zgjerimin e saj deri në kufijtë e Rusisë: kryetarët e qeverive të shtatë vendeve ish-komuniste të Evropës Lindore do të priten sot në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti i SHBA Xhorxh Bush, ndërsa të premten do të ngrihen në selinë qëndrore të NATO-s në Bruksel flamurët e anëtarëve të rinj të Aleancës në praninë e ministrave të tyre të punëve të jashtme. Rumania si anëtari më i madh i ri NATOS sjell 93.000 ushtarë dhe një buxhet ushtarak prej rreth 1 miliardë eurosh. Vendet e tjera si Bullgaria, Republika Sllovake, Sllovenia, Estonia, Letonia dhe Lituania kanë së bashku më pak se 100.000 ushtarë. Por rëndësia e zgjerimit ka pak të bëjë me fuqinë ushtarake. Shumë më tepër bëhet fjalë për forcimin e lidhjeve mes SHBA dhe Evropës së re.

Aleanca Veri Atlantike po shtrihet në mënyrë të konsiderueshme me një hap të vetëm. Përmes pranimit të shtatë vendeve lindore, NATO shtrihet në një hapësirë tokësore që arrin nga Deti i Veriut në Detin e Zi. Me Slloveninë në rradhët e saj ajo i afrohet më shumë vatrës së krizva, Ballkanit. Në këtë mënyrë kapërcehet përfundimisht ndarja e kontineneteve pas Luftës së Dytë botërore. NATO-s i përkasin tani edhe pjesë të gjera të aleancës së dikurshme të dominuar nga ish-Bashkimi Sovjetik, Paktit të Varshavës. Me tre shtetet balltike në NATO do të bëjnë pjesë zona të cilat i përkisnin më parë Bashkimit Sovjetik. Rusia dhe Nato janë sot të lidhura përmes një marrëveshjeje të veçantë bashkëpunimi e cila 13 vjet më parë me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik as që mund të mendohej.

Hartat mund të ndryshojnë por mënyra e vjetër e të menduarit vazhdon fatkeqësisht të egzistojë pjesërisht. Ministri rus i punëve të jashtme Sergej Lavrov e konsideton të rrezikuar sigurinë e Rusisë gjë që përballë fuqisë ushtarake të shteteve balltike dhe strategjisë së bashkëpunimit të NATO-s mund të konsiderohet vetëm një shaka pa kripë. Rusia ka në komitetin NATO-Rusi të drejtë fjale në marrjen e pothuaj të gjitha vendimeve. Por ndryshe qëndron puna me NATO-n. Diplomatët e saj ankohen vazhdimisht se përfaqësuesit rusë e përdorin shumë pak këtë instrument dhe parapëlqejnë të marrin në shumicën e rasteve rolin e të kërcënuarit.

NATO nuk ndjek asnjë doktrinë ofensive siç ka pretenduar së fundmi ministri rus i mbrojtjes Sergej Ivanov. Ajo është në proçesin e ristrukturimit të forcave të saj ushtarake në një trupë të ndërhyrjes së shpejtë e cila të mund të përdoret brenda afatesh të shkurtra në të gjithë botën në luftën kundër terroristëve dhe në raste krizash.

SHBA nga ana tjetër e përdorin këtë mundësi për të shtyrë sa më shumë në lindje praninë e tyre. Nga Bullgaria dhe Rumania është më e lehtë të arrihen zonat e krizave në Kaukaz e deri në Azinë Qëndrore. Nga Balltiku, ShBA me ndihmën e mbikqyrjes ajrore të NATOS mund të përgjojnë deri thellë në territoret ruse.

Për të zbutur tensionet që Rusia i ka ndezur me vetëdije pak para pranimit të shtatë vendeve të reja anëtare, NATO do t'i përgjigjet kërkesës së Rusisë për të diskutuar edhe njëherë mbi marrëveshjen e armatimeve konvencionale. Rusia kërkon që tre anëtarët e rinj të NATO-s nga Balltiku si dhe Sllovenia të hyjnë në këtë marrëveshje. Kështu do të bëhen efektivë kufijtë e sipërm për fuqinë e saj dhe të trupave të huaja në këto vende.

Zgjerimi me një rreth kaq të gjerë anëtarësh të rinj është arritur sajë këmbënguljes së presidentit të ShBA Xhorxh Bush. Pas atentateve të 11 shtatorit 2001 deviza ishte: "sa më shumë anëtarë në NATO aq më e madhe siguria".

Bëhet fjalë më shumë për vullnetin politik të kandidatëve dhe jo aq për aftësitë e tyre ushtarake. Këto të fundit janë në pjesën më të madhe të rasteve të papërfillshme. Por shtatë vendet që do të anëtarësohen ishin gjatë luftës së Irakut në krah të ShBA dhe Britanisë së Madhe.

Gjeografikisht mund të duket një paradoks por përmes shtyrjes në lindje, Aleanca do të forcojë karakterin e saj transatlantik pasi në rradhët e saj hyjnë miq të ngushtë të ShBA.