1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri-Zgjedhjet lokale më 20 janar

Ani Ruci2 Dhjetor 2006

Presidenti Moisiu shpalli 20 janarin si ditën e zgjedhjeve lokale. Edhe opozita e majtë deklaroi se do të marrë pjesë në zgjedhje

https://p.dw.com/p/Araj
Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, qershor 2005
Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, qershor 2005Fotografi: AP

Presidenti i Republikës Alfred Moisiu shpalli sot në mesditë se 20 janari 2007 është data kur Shqipëria do të shkojë në zgjedhejt lokale të rradhes duke mos ju përgjigjur kështu disa thirrjeve të opozitës në ditët e fundit, që ta shtynte datën deri në pranverën e 2007-ës.

Megjithatë ai ka qenë në të njëjtën linjë me opozitën kur ka pranuar “premtimet për zgjedhje të lira e të ndershme bien në kontrast me zhvillimet reale në terren. Partitë politike, edhe pse realisht kanë nisur fushatën elektorale, refuzojnë të bashkëpunojnë për të arritur një zgjidhje konsensuale për përgatitjen dhe realizimin e standardit të zgjedhjeve.”

Në mënyrë kronologjike, ai ka rreshtuar të gjitha përpjekjet dhe tryezat politike që nga dhjetori 2005 deri në tetor 2006 që rezultuan të dështuara përderisa reforma zgjedhore nuk arriti të kryhet. Ndonëse shpallja e datës së zgjedhjeve lokale brenda afateve kushtetuese ka qenë obsion i qeverisë dhe i maxhorancës, kreu i shtetit nuk i ka kursyer kritikat e ashpra edhe ndaj tyre.

“ Si Kryetar Shteti, tha sot ai, shpreh shqetësimin e thellë për këtë gjendje të papranueshme. Zgjedhjet e lira, të ndershme dhe demokratike janë me një rëndësi të madhe për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj euroatlantike. Çdo pengesë në këtë drejtim përbën një veprim politik dhe moral me pasoja negative për interesat e vendit.”

Presidenti Moisiu i ka dhënë një leksion të vërtetë të gjithë spektrit politik parlamentar lidhur me qëllimin e zgjedhjeve, për kë dhe kujt i shërbejnë ato. Për fat të keq atyre që ai u drejtoi leksionin nuk janë rishtarë në politikë. Protagonistët kryesorë, me përjashtim të ish kryetarit të socialistëve Fatos Nano, janë po ata që kanë marrë pjesë ne zgjedhjet parlamentare apo lokale që janë zhvilluar në Shqiperi që nga fillimet e pluralizmit politik, aty nga viti 1992.

„Partitë politike,“ tha ai,“ të kuptojnë se nuk kanë monopol mbi sistemin demokratik dhe se zgjedhjet nuk janë pronë dhe privilegj i tyre. Ato janë një detyrim kushtetues, janë periodike dhe të pashmangshme. Zgjedhjet nuk bëhen për partitë, por për qytetarët, të cilët kanë rastin të shprehen me votë të fshehtë për ata që do t’i qeverisin vitet e ardhshme. Në këtë kontekst, partitë nuk kanë të drejtë, për asnjë arsye, tu mohojnë qytetarëve të drejtën kushtetuese të zgjedhjes dhe votës së fshehtë. Ata duhet që menjëherë të heqin dorë nga mosbesimi reciprok dhe të mbajnë premtimet e dhëna në marrëveshjet me Presidentin, me faktorin ndërkombëtare apo midis vetë tyre.”

Bashkë me datën kreu i shtetit i drejtoi kritika të ashpra të tij gjithë spektrit politik parlamentar për mosmbajtjen e premtimeve për reformën zgjedhore dhe shprehu mosbesim për arritjen e standarteve ndërkombëtare.

Opozita e majtë në Shqipëri deklaroi sot pasdite se do të marre pjesë në zgjedhjet lokale të 20 janarit 2007. Sipas liderit të saj, Edi Rama strategjia e opozitës do të jetë shmangja e vjedhjes së votave dhe e manipulimit të rezultatit nga qeveria e djathtë e kryeministrit Berisha. Por të djathtet garantuan sot përsëri zgjedhje të lira dhe të ndershme.