1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria një nga 137 vendet e botës ku ekziston rreziku i shpërthimit të armëve të vjetra

Ani Ruci / Tiranë6 Gusht 2008

Prej stoqeve të armëve në botë shkaktohen më shumë viktima se prej minave të paplasura dhe mbetjet nga Lufta e Dytë Botërore.

https://p.dw.com/p/ErJL
Shpërthimi në Gërdec ndodhi për shkak të paketimi të keq dhe të mungesës së mirëmbajtjes së predhave dhe të fishekëve të vjetër.
Shpërthimi në Gërdec ndodhi për shkak të paketimi të keq dhe të mungesës së mirëmbajtjes së predhave dhe të fishekëve të vjetër.Fotografi: DW / Pandeli Pani

Alarmi për të mbrojtur popullsinë civile dhe mjedisin nga shpërthimi i armëve të vjetra kësaj here vjen nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Një raport i tij, i publikuar më 5 gusht në Tiranë përfshin edhe Shqipërinë si vend ku jeta rrezikohet nga arsenali i armëve të vjetra. Në një listë të gjatë prej 137 vendesh, ku gjatë këtij viti kanë ndodhur shpërthime të armëve të vjetra, ndodhet e përfshirë edhe Shqipëria.

Departamenti Amerikan i Shtetit vë gishtin në plagë

Raporti vë në dukje se "nga shpërthimi i depove te arsenalit të vjetër të armëve sovjetiko- kineze kanë humbur jetën 26 vetë, u plagosën qindra të tjerë dhe u rrafshuan shtëpite e zonës së Gërdecit.

Një grua e plagosur prej shpërthimit në Gërdec, 16 mars 2008.
Një grua e plagosur prej shpërthimit në Gërdec, 16 mars 2008.Fotografi: AP

Duke vënë gishtin mbi shkaqet e shpërthimit në Gërdec, Departamenti Amerikan shkruan se "ai ndodhi për shkak të paketimi të keq dhe të mungesës së mirëmbajtjes së predhave dhe të fishekëve të vjetër".

Por raporti nuk ndalet vetëm në rastet e shpërthimeve gjatë këtij viti. Për Shqipërinë ai përmend edhe incidentet që ndodhën në marsin e vitit 1997. Kështu në të shkruhet se "në 15 qytete të Shqipërisë në 1997-ën për shkak të gabimeve njerëzore dhe masave të dobëta të sigurisë, pati shpërthime që u morën jetën 59 personave. Ishte pikërisht ajo situatë që nxiti NATO- n të fillojë një program trajnimi për Forcat e Armatosura Shqiptare për pastrimin e armatimeve të paplasura.

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për rrezikun e armëve të vjetra në botë informon se shpërthime katastrofike në depot e municioneve kanë ndodhur edhe në Uzbekistan, Siri, Republikën Demokratike të Kongos, Sudan, Mozambik, Serbi dhe Bullgari. Për të ndërgjegjësuar qeveritë e 137 vendeve që janë në listën e raportit, DASH i cilëson depot "shumë të rrezikshme dhe që mund të shkaktojnë çdo vit më shumë viktima sesa zonat e minuara apo mbetjet eksplozive të Luftën së Dytë Botërore."

Eliminimi armëve stok pjesë e detyrimeve ndaj NATO-s

Qeveria e Tiranes ka premtuar se deri në vitin 2010, do të ulë në "zero" rrezikin qe i vjen popullsise dhe mjedisit nga armët e vjetra. Në kuadër të reformave që po ndërrmer Shqipëria për t´u anëtarësuar në NATO, eliminimi i stoqeve të armëve të vjetra përbën një nga detyrimet e saj ndaj Aleancës Atlantike.