1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqyrtohen disa ankesa në zgjedhjet lokale në Kosovë

23 Nëntor 2009

Në Kosovë, Komisioni zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa po shqyrton parregullsitë e shënuara gjatë ditës së zgjedhjeve lokale, që u zhvilluan me 15 nëntor. Për tri vendvotime ky komision vendosi rinumërimin e votave.

https://p.dw.com/p/KdnJ
Fotografi: Kai Vöckler

Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa është një organ i pavarur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe merret me adresimin ligjor të shkeljeve që kanë bërë partitë politike gjatë fushatës zgjedhore dhe ditën e zgjedhjeve. Janë mbi 150 ankesa të bëra nga subjekte të ndryshme politike që ka pranuar ky komision që nga fillimi i fushatës parazgjedhore e deri në ditën e zgjedhjeve. Për 60 raste tashmë është marrë vendimi dhe sipas kryetarit të këtij komisioni, Tahir Rrecaj, për këto raste janë caktuar edhe gjobat.

Janë shqiptuar dënime të caktuara në bazë të ligjit, të cilat janë kryesisht dënime me të holla ndaj subjekteve politike, të cilat kanë shkelë rregullat dhe procedurat e fushatës, pra kanë bërë shkejle ligjore dhe shkelje të kodit të mirësjelljes”, thotë Rrecaj.

Mirëpo, rastet ku dyshohet për parregullsi në ditën e votimit akoma janë duke u shqyrtuar. Rastet më të rënda për parregullsi thuhet të jenë nga qyteti i Gjakovës. Për tri vendvotime në këtë qytet komisioni ka vendosur që të rinumërohen votat, ndërsa, është në shqyrtim të rasteve tjera. Parregullsi të mëdha thuhet të jenë shënuar edhe në qytetin e Prizrenit dhe atë të Vushtrisë. Sidoqoftë, megjithë ankesat për parregullsi në zgjedhje, kryetari i komisionit për ankesa, Tahir Recaj, thotë se zgjedhjet lokale të 15 nëntorit janë dukshëm më të mira sesa zgjedhjet e vitit 2007.

Nëse marrim parasysh zgjedhjet e vitit 2007, ku ky komision ka pasur mbi 70 ankesa dhe tash kemi vetëm 150 ankesa, kjo do të thotë se është një përmirësim jashtzakonisht i madh përsa i përket respektimit të ligjit dhe kodit të mirësjelljes”, thotë zoti Rrecaj.

Një vlerësim i mirë për zgjedhjet u dha edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë, të cilët konstatuan se përkundër parregullsive të vogla, zgjedhjet u zhvilluan në një frymë demokratike. Edhe analistët e pavarur të Kosovës thonë se zgjedhjet lokale të 15 nëntorit treguan se vendi kaloi testin e demokracisë. Por sipas analistit Driton Lajqi, kjo nuk do të thotë që Komisioni për ankesa dhe parashtresa të mos ndëshkojë ata që bënë parregullsi në zgjedhje.

Organet e KQZ-së duhet të jenë rigoroze dhe të ndërmarrin hapa efikasë në kuptim të zbardhjes së fakteve aty ku dyshohet dhe aty ku ka ankesa për keqpërdorim të zgjedhjeve. Kjo për faktin për të mos krijuar precedentin, në mënyrë që mos të përsëriten situata të njëjta në zgjedhjet e tjera”, thotë Driton Lajqi.

Sidoqoftë, Komisioni për Ankesa dhe Parashtresa në këtë fazë po shqyrton paregullsitë e shënuara në raundin e parë të zgjedhjeve. Pa shqyrtimin dhe zgjidhjen e të gjitha parregullsive të raundit të parë, komisioni qëndror i zgjedhjeve nuk mund të fillojë përgatitjet për raundin e dytë të zgjedhjeve, që do të zhvillohet me 13 dhjetor. Zgjedhje balotazhi do të zhvillohen në 20 komuna të Kosovës, përfshirë këtu edhe në dy komuna të reja më shumicë serbë, atë të Novobërdes dhe Kllokotit.

Autor: Bekim Shehu/ Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi