1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shrëder dhe Putin hapin në Hamburg konsultimet e 7 gjermano-ruse

Vilma Filaj-Ballvora21 Dhjetor 2004

Kancelari Gerhard Shrëder dhe presidenti rus Vladimir Putin në kuadër të konsultimeve qeveritare do të bisedojnë për marrëdhëniet bilaterale, konfliktin e Çeçenisë dhe gjendjen në Ukrainë e në Irak.

https://p.dw.com/p/Ar59
Putin dhe Shrëder, pritja në aeroportin e Hamburgut
Putin dhe Shrëder, pritja në aeroportin e HamburgutFotografi: AP

Me takimin e parë qysh pas krizës së Ukrainës, kancelari Gerhard Shrëder dhe presidenti rus Vladimir Putin filluan konsultimet bilaterale qeveritare. Pas një pritjeje të përzemërt të Putinit në aeroportin e Hamburgut, Shrëder theksoi, se "pret një dialog në përputhje me marrëdhëniet jashtëzakonisht të mira midis dy vendeve." Tema të bisedimeve dy ditore në Hamburg dhe në Shlesvig në Veri të Gjermanisë janë përmirësimi i shkëmbimeve mes të rinisë së të dy vendeve, marrëdhëniet bilaterale ekonomike si dhe temat ndërkombëtare. Duke u prononcuar për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve, Shrëder i cilësoi ato mjaft të mira:

"Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Gjermanisë në fushën e ekonomisë po evoluojnë jashtëzakonisht mirë dhe ne duam që ato të vazhdojnë me këto ritme. Madje ne duhet t´i zgjerojmë këto marrëdhënie vecanërisht në sektorin e energjetikës, por edhe në sektorë të tjerë."

Si një aspket tjetër mjaft të rëndësishëm në marrëdhëniet bilaterale kancelari Shrëder nënvizoi programet e këmbimit mes të rinjve, kjo sipas tij është edhe një cështje që Putin e ka mjaft për zemër. Në kuadër të smatit do të nënshkruhet marrëveshja për shkëmbimet rinore. Shrëder dhe Putin kanë nënvizuar edhe domosdoshmërinë e forcimit të bashkëpunimit në fushën e luftës kundër terrorizmit. Të dy politikanët janë të një mendimi në këtë drejtim dhe pritet që në kuadër të konsultimeve qeveritare të nënshkruhet edhe një plan-veprimi kundër terrorizmit. Pas bisedimeve Shrëder Putin të zhvilluara dje në mbrëmje në Hamburg, sot gjatë ditës konsultimet e nivelit të lartë do të vazhdojnë në kështjellën Gotorf në Shlesvig, ku do të jenë të pranishëm edhe disa ministra. Pritet që ndër të tjera të nënshkruhet edhe një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e komunikacionit. Në fokus është edhe zgjerimi i marrëdhënieve në fushën e arsimit dhe të shkencës.

Ndër temat ndërkombëtare natyrisht që do t´u kushtohet vëmendje zhvillimeve në Ukrainë. Ky është madje takimi i parë midis dy krerëve pas trazirave në këtë vend. Putin u shpreh, se dëshiron të bisedojë lidhur me krizën shtetërore në Ukrainë, lirinë e shtypit dhe reformat në këtë vend. Sa i përket konfliktit të Çeçenisë, Putin u shpreh se është i gatshëm të bashkëpunojë me BE-në dhe se i ka mirëpritur porpozimet e Gjermanisë lidhur me këtë cështje. "Jam i gatshëm të bisedojmë gjerësisht lidhur me këtë temë", theksoi Putin, duke shtuar, se "porpozimet e Gjermanisë janë analizuar në detaje në Moskë. Ne duam që t´i pranojmë këto propozime." Ndër të tjera pala gjermane ka propozuar konceptimin e një Pakti Stabiliteti për Jugun e Kaukazit. Deri më sot Moska e ka refuzuar ndihmën ndërkombëtare në zgjidhjen e krizës së Çeçenisë, madje Putin është përballur me kritika ndërkombëtare për politikën e centralizimit dhe "të demokracisë së timonuar".