1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shrëder humb mocionin e votëbesimit

Anila Shuka, Berlin1 Korrik 2005

Kancelari gjerman Gerhard Shrëder e lidhi kërkesën për mocion votëbesimi me vështirësitë për vazhdimin e kursit të reformave, që koalicioni aktual i përmbledh nën termin "Axhenda 2010"

https://p.dw.com/p/AqkD
Kancelari gjerman gjate mocionit te votebesimit
Kancelari gjerman gjate mocionit te votebesimitFotografi: AP

Shrëder: "Agjenda 2010" është bërë disa herë shkak që zgjedhësit të votojnë kundër partisë sime. Në qoftë se kjo axhendë do të duhej të vazhdonte dhe të zhvillohej më tej, gjë që është e nevojshme, duhet patjetër që ajo të legjitimohet me zgjedhje të reja."

Si shkak për paaftësinë vepruese të qeverisë Shrëderi shpalli pozitën e dobët të koalicionit qeverisës në Dhomën e Landeve që dominohet nga kristiandemokratët. Në 29 raste ajo i ka kundërshtuar ligjet e miratuara nga parlamenti, argumentoi më tej kancelari socialdemokrat.

Kryesuesja e opozitës dhe sfidantja e tij Angela Merkel u shpreh e gatshme për të marrë në dorë qeverisjen e vendit.

Merkel

: "Për këtë hap që bëtë dua të shpreh respekt, sepse ai është i domosdoshëm për t’i kursyer vendit konfrontimet e stërgjata torturuese për shkak të paaftësisë politike të socialdemokratëve dhe të blertëve."

Kristiandemokratja me prejardhje nga Gjermania Lindore premtoi se Unioni do ta rinovojë ekonominë e tregut soical në mënyrë që vendi të mos mbetet prapa.

Mbas votimit të hapur u publikua rezultati: Vetëm 151 deputetë shprehën edhe me tej besimin ndaj kancelarit. 296 votuan me "Jo". Ne kete menyre Shrederi e hubmi shumicen e duhur prej 301 votash. 148 deputete abstenuan, mes tyre tre ministrat e të blertëve, pra edhe Joshka Fisher.

Menjëherë mbas seancës Shrëderi informoi presidentin Horst Këler. Ky i fundit ka tre javë kohë për të shpërndarë parlamentin. Në qoftë se është i mendimit, se procedura e mocionit të votëbesimit ka qenë në përputhje me kushtetutën.

I bindur për të kundërtën është deputeti i të blertëve, Verner Shulc. Në një deklaratë personale para deputetëve, Shulc e quajti seancën e jashtëzakonshme të së premtes "një inskenim absurd". Shrëderi është një kancelar që nuk ka më besim tek maxhoranca që e mbështet, e cila gjatë këtyre shtatë vjetëve nuk ka dështuar asnjëherë. Deputeti i partneres së vogël të koalcionit, tha se do të parashtrojë padi në Gjykatën Kushtetuese, në se presidenti vendos të shpërndajë parlamentin.

Vendimi i presidentit pritet të bëhet i njohur në datat 20 deri 22 korrik. Mbas shpërndarjes së parlamentit duhet të kenë kaluar 60 ditë për zhvillimin e zgjedhjeve të reja. Kështu që data më e herët e zgjedhjeve do të jetë 18 shtatori.