1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtajnmajer filloi vizitën në Lindjen e Mesme

14 Shkurt 2005

Hamasi të njohë të drejtën e ekzistencës për Izraelin, të heqë dorë nga sulmet dhe të pranojë procesin e paqes për Lindjen e Mesme, kërkoi Ministri i jashtëm gjerman, Frank-Valter Shtajnmajer

https://p.dw.com/p/Aqkb
Frank Valter Shtajnmajer
Frank Valter ShtajnmajerFotografi: picture-alliance / dpa/dpaweb

Gjermania i përmbahet qëndrimit kategorik të saj ndaj organizatës radikale palestineze Hamas, është shprehur ministri i jashtëm Frank-Valter Shteinmajer në kuadër të vizitës në Izrael. Nga ana tjetër gjatë takimit me kryeministrin e Izraelit në detyrë, Ehud Olmert, në Jeruzalem Shteinmajer i siguroi Izraelit solidaritetin e Gjermanisë.

"Eshtë e rëndësishme që Izraeli ta dijë, se Gjermania i qëndron në krah këtij vendi pikërisht në këto kohë të vështira." Shtajnmajer ritheksoi edhe një herë kushtet për fillimin e bisedimeve me lëvizjen radikale Hamas, që ka fituar me shumicë zgjedhjet parlamentare në territoret autonome palestineze.

Vetëm nëse Hamasi do të njohë të drejtën e ekzistencës për Izraelin, do të heqë dorë nga sulmet dhe do të pranojë procesin e paqes për Lindjen e Mesme. Këtë qëndrim e ka theksuar edhe kancelarja Angela Merkel gjatë vizitës në Izrael. Ministri i jashtem nënvizoi: "Kyçi për zhvillimet e mëtejshme nuk ndodhet as në Evropë, as në SHBA, apo në Izrael, por vetëm në territoret palestienze, pra do të varet nga ajo nëse Hamasi do të pranojë të jetë një organizatë politike."

Kryeministri në detyrë i Izraelit, Ehud Olmert ritheksoi, se "Ne në asnjë mënyrë nuk do të zhvillojmë bisedime me Hamasin edhe as më ndonjë tjetër që është pjesë e saj. Bashkësia ndërkombëtare dhe në krye të saj presidenti i ShBA, kryeministri i Britanisë së Madhe, i Italisë, dhe i Francës si dhe shumë të tjerë i pranojnë parimet që kemi përcaktuar ne. Ata mbështesin qëndrimin tonë."- theksoi Olmert.

Ministrja e jashtme e Izraelit, Tsipi Livni lidhur me ftesën që presidenti rus Putin e ka bërë përfaqësuesve të Hamasit për bisedime në Moskë, tha se ky qëndrim është i papranueshëm. Sipas saj nuk është vetëm në interesin e Izraelit, por të të gjithë bashkësisë
ndërkombëtare që të mos bisedohet me organizatat terroriste."

Një ditë pas qëndrimit në Izrael, Shteinmajer do të vizitojë territoret palestineze, por ai nuk do të takohet me përfaqësuesit e Hamasit. Me këtë ai do të theksojë qëndrimin e BE-së, që e ka klasifikuar Hamasin si organizatë terroriste. Megjithatë kryediplomati i Gjermanisë do të takohet me presidentin palestinez, Mahmud Abaz dhe me ministrin e jashtëm Nabil Shat. Të dy këta i përkasin lëvizjes qeverisëse Fatah.

Fitorja në zgjedhje e Hamasit radikal në territoret palestineze, grindja për karikaturat e Muhametit, programi i diskutueshëm bërthamor i Iranit: në këto rrethana të vështira zhvillohet vizita e ministrit të jashtëm gjerman në Lindjen e Mesme.

Pas një vizite të shkurtër në Jordani ministri i jashtëm do ta mbyllë turin e tij në Lindjen e Mesme me vizitën në Turqi. Në Ankara ai do të takohet me homologun turk, Abdullah Gyl. Kjo vizitë iu bashkangjit brenda një afati të shkurtër turit në Lindjen e Mesme, në sfondin e grindjeve mbi karikaturat e Muhametit. Nga ministria e jashtme mësohet, se gjatë këtyre ditëve për këtë çështje ka pasur kontakte intensive telefonike me ministrin e jashtëm të Turqisë. Turqia përpiqet të ndërmjetësojë në grindjen për karikaturat. Kryeministri Rexhep Taip Erdogan u ka bërë thirrje politikanëve në të gjithë botën që të influencojnë në zbutjen e tensioneve.