1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtajnmajer: Serbia duhet të ketë interes në një Kosovë të qendrueshme

A. Shuka4 Shtator 2008

E ardhmja e Serbisë në Bashkimin Evropian ishte tema qendrore e takimit mes ministrit gjerman të punëve të jashtme dhe homologut të tij serb të enjten, më 4 shtator 2009, në Berlin.

https://p.dw.com/p/FBc2
Frank Walter SteinmeierFotografi: picture-alliance/dpa

"Një lehtësim dhe sinjal për normalizimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve bilaterale", kështu e vlerësoi ministri gjerman i punëve të jashtme Frank Valter Shtajnmajer (Frank Walter Steinmeier) kthimin e ambasadorit serb në Berlin. Ai ishte larguar nga Gjermania në shkurt të këtij viti, kur Berlini njohu pavarësinë e Kosovës. Ishte vizita e parë e shefit të diplomacisë serbe qysh nga rizgjedhja e tij në detyrë më 7 korrik të këtij viti.


Tani edhe afrimi i Serbisë me BE-në është bërë më i lehtë, "sepse qeveria e re në Serbi ka bërë më shumë për të dokumentuar gatishmërinë e saj për bashkëpunim me Hagën", tha ministri gjerman duke pasur parasysh arrestimin e Radovan Karaxhiçit.


Por ky afrim mund të bëhet më së hershmi në vitin 2009. "Dhënia e statusit të kandidadit qysh këtë vit do të ishte një ambicie e tepruar", theskoi shefi i diplomacisë gjermane.


Shtajnmajer kërkoi nga Serbia që të ndihmojë në instalimin e misionit të BE-së në Kosovë (EULEX). "Ne duhet të bëjmë përparime në këtë çështje. Serbia, ashtu si ne në BE, duhet të ketë interes që Kosova të mbetet e qendrueshme," tha ai.


Jeremiçi premtoi angazhimin e Serbisë që kjo çështje të zgjidhet me vendim të Këshillit të Sigurimit. Serbia dëshiron të jetë antare e BE-së kështu që ajo nuk mund të dalë kundër angazhimit të BE-së në ndonjë pjesë të Serbisë, përfshirë këtu edhe krahinën në jug të saj", tha shefi i diplomacisë serbe.


Ai i bëri lobim edhe për projektrezolutën që do të shtrojë Serbia në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së që fillon punimet më 23 shtator, ku do të shtrojë çështjen e ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës: "Serbia nuk do të pyesë kombet të thonë mendimin e tyre për të. Ne vetëm do të themi: kjo ndodhi, kjo e ndau bashkësinë ndërkombëtare, na lini të pyesim Gjykatën Ndërkombëtare". Por për këtë Serbisë i nevojiten dy të tretat e votave të Asamblesë. Shtajnmajeri tha se Gjermania do ta vendosë në ditët e ardhshme, se çfarë qendrimi do të mbajë ndaj kërkesës së palës serbe.