1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtetet e Bashkuara të Amerikës tërheqin ambasadoren nga Siria

Daniel Sheshkevitz16 Shkurt 2005

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë tërhqur për konsultime në Uashington ambasadoren e tyre në Siri. Qeveria e Bushit reagoi kështu ndaj implikimeve të mundshme të Sirisë në atentatin e kryer në kryeqytetin libanez Bejrut ku jetën humbi ish-kryeministri i Libanit Rafik Hariri.

https://p.dw.com/p/ArQT
Zëdhënsi i Departamentit amerikan të shtetit, Richard Boucher
Zëdhënsi i Departamentit amerikan të shtetit, Richard BoucherFotografi: AP

Në të njëjtën kohë në Uashington para gazetarëve u paraqitën zëdhënsi i Shtëpisë së Bardhë dhe ai i Departamentit amerikan të shtetit për të theksuar masat e ashpëra të qeverisë amerikane ndaj Sirisë. Zëdhënsi i Departamentit të shtetit Richard Boucher:

"Ambasadorja jonë Margaret Skobej është kthyer menjëherë nga Damasku në Uashington. Lidhur me vrasjen e ish-kryeministrit Hariri ambasadorja Skobej i ka shprehur indinjatën tonë të thellë qeverisë siriane për këtë akt qyqar terrorist", tha zëdhënsi Boucher.

Ashtu si më parë qeveria amerikane nuk disponon dëshmi të qarta se Damasku është përgjegjës direkt për sulmin me bombë të kryer në Bejrut, si pasojë e të cilit të hënën përveç ish-kryeministrit Hariri jetën humbën edhe 16 njerëz dhe u plagosën më tepër se 130 të tjerë.

Ndërkaq zëdhënsi i qeverisë McClellan tha se është duke u bashkëpunuar ngushtë me qeverinë franceze për tu hetuar motivi i vërtetë i këtij sulmi. Pavarësisht nga kjo dihet saktë se:

"Ne kemi me Sirinë një varg problemesh. Ne duam që ky vend të ndryshoj sjelljet e tij dhe të luaj një rol konstruktiv në Lindjen e Mesme. Ne duam poashtu që qeveria siriane të ushtroj ndikimin e saj që sulme të këtilla terroriste të mos ndodhin fare. Përveç kësaj me praninë e trupave të saj në Liban Siria është një faktor destabilizues në rajon", sqaroi zëdhënsi i qeverisë amerikane.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës praninë e trupave siriane në Liban e vlerësojnë si shkelje të Rezolutës 1559 të Kombeve të Bashkuara e cila parashikon tërheqjen e të gjitha trupave të huaja nga Libani. Gjithashtu ka kohë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës akuzojnë sirianët se janë duke ndihmuar terroristët irakian që nga Siria të depërtojnë sërish në Irak.

Jo më larg se para dy javësh vet presidenti amerikan Xhorxh Bush në fjalimin e tij drejtuar kombit duke folur për marrëdhëniet me Sirinë tha se:

"Siria lejon terroristët, të cilët duan të zhdukin të gjitha gjasat për paqe në rajon, të përdorin territorin e saj dhe pjesë të Libanit për aksionet e tyre", theksoi Bush.