1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtrëngim duarsh në Maqedoni- shenja e rifillimit të dialogut

Fatos Musliu18 Tetor 2006

Për herë të parë pas zgjedhjeve parlamentare në Maqedoni, takohen liderë të partive shqiptare në opozitë dhe pozitë me ato maqedonase. Ky hap konsiderohet si rifillim i dialogut aq të rëndësishëm në vend

https://p.dw.com/p/Arbr
Shkup, parlamenti maqedonas
Shkup, parlamenti maqedonasFotografi: aptn

Tribuna me temë " Dialogu një hap drejt integrimit të Maqedonisë në strukturat euroatlantike" organizuar nga lëvizja qytetare "Zgjohu", arriti më në fund të ulë në një tryezë të përbashkët liderët e pozitës dhe opozitës shqiptare dhe maqedonase.

Pas formimit të Qeverisë dhe kontestimit të legjitimitetit të mandatarit, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, për herë të parë ia ka zgjatur dorën kryeministrit Nikolla Gruevski. Shtrëngimi i duarve dhe foto sesioni i përbashkët Ahmeti-Gruevski është me një domethënie të veçantë për vazhdimin e dialogut politik në Maqedoni, kanë vlerësuar ndërkombëtarët, pjesëmarrës në tribunë.

Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, tha se multietniciteti i Maqedonisë duhet shfrytëzuar si përparësi nga qytetarët e jo si pengesë për anëtarësimin e vendit në BE. Dialogu në shoqërinë multietnike është domosdoshmëri pa alternativë, ndërsa për politikanët ai paraqet instrumentin kryesor për arritjen e qëllimeve të tyre.

"Dialogu nuk ka alternativë përkatëse në rregullimin e dallimeve midis civilizimeve, kulturave, shteteve, partive dhe individëve. Dialogu është veçori që u takon vetëm njerëzve, andaj ata përmes tij duhet t'a shpjenë njerëzimin në një të ardhme më të sigurtë."- thotë Gruevski.

Pranimi i dallimeve si një gjë e zakontë dhe zgjidhja e çdo problemi përmes dialogut politik, është rruga më e sigurtë për Maqedoninë drejt anëtarësimit në BE dhe NATO, shprehet Nikolla Gruevski.

Kryetari i BDI-së,Ali Ahmeti, në fjalën e tij ka theksuar se vetëm përmes dialogut konstruktiv, proceset në Maqedoni mund të përfundojnë ashtu siç dëshirojnë qytetarët. Zhvillimet e fundit politike në Maqedoni si pasojë kanë pasur ndërprerjen e dialogut aq domethënës midis pozites dhe opozitës.

Mosrespektimi i legjitimitetit të shumicës shqiptare nga ana e kryeministrit Gruevski ka ndikuar për ndërprerjen e dialogut, ka vlerësuar Ali Ahmeti. Për çështje të mëdha, në Maqedoni duhet të ekzistojë konsensus politik, i cili do ti paraprijë dialogut midis pozitës dhe opozitës. Të gjitha problemet që i kemi parashtruar ne për zgjidhje , mund të gjejne zgjidhje nëse ka vullnet të mirë dypalësh. Flamurtar i zgjidhjeve te problemeve duhet te jete komuniteti shumicë, këtë guxim duhet ta kenë maqedonasit, shtoi Ali Ahmeti.

Për kryetarin e socialdemokratëve Vllado Buçkovski, Maqedonia gjithnjë e më shumë po bie në një krizë të thellë politike. Bllokimi i punimeve në Parlament, ndërrimi i prokurorit publik, mungesa e rezultateve konkrete ekonomike ka çuar qytetarët në një amulli që rezulton me mos pasjen e një ardhmërie të sigurtë politike dhe ekonomike

"Në vitin 2001, Maqedonia filloi me një eksperiment të rrezikshëm që në fund përfundon me një rrëfim të sukseshëm. Një gjë e tillë u mundësua sepse dialogu dhe vetëm dialogu ishte çelësi i zgjidhjes së çështjeve kontestuese ndëretnike "- tha Buçkovski.

Ambasadori i BE-së në Maqedoni, Ervan Fuere ka folur për domosdoshmërinë e realizimit të reformave drejt anëtarësimit të vendit në BE. Dialogu politik është e vetmja shansë e partive politike për të gjetur gjuhë të përbashkët për të gjitha kontestet dhe mospajtushmëritë që kanë të bëjnë me të ardhmen e Maqedonisë.