1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtyhet angazhimi i marinës gjermane në Liban & Disskutohet buxheti në Berlin

6 Shtator 2006

Në shtypin e sotëm komentohet ndër të tjera qëndrimi i qeverisë së Libanit ndaj angazhimit të marinës së Bundesverit në kuadër të misionit ndërkombëtar. Parimisht Libani është dakord për një angazhim të tillë, por kërkesën përkatëse do t´ia drejtojë OKB-së dhe Berlinit pasi Izraelit të ketë shfuqizuar bllokadën detare. Komentatorët i kushtojnë vëmendje edhe konsultimeve për buxhetin e shtetit në Bundestag.

https://p.dw.com/p/Aro5
Kryqi i kuq gjerman ndihmon Libanin
Kryqi i kuq gjerman ndihmon LibaninFotografi: AP

Së pari lidhur me Libanin, gazeta e Rostokut "Ostsee Zeitung" analizon rënimin e ekonomisë në Liban dhe vëren: "E pra kështu se kish menduar qeveria këtë punë. Në vend që të pritej me krahë hapur prej libanezëve, ajo tani me dhelpërinë tipike arabe po përdoret si mjet presioni ndaj Izraelit. Kushtet e Libanit, që janë marrë edhe me influencën e ministrave të Hisbollahut, presupozojnë edhe një thirrje për ndihmë të kombit të dëshpëruar. Ky vend është epiqendra e eksportit në Lindjen e Mesme. Bllokada detare e Izraelit pengon ripërtëritjen e ekonomisë që rënuar, që sipas vlerësimeve të OKB-së e ka kthyer Libanin 15 prapa", shkruan "Ostsee Zeitung".

E përditshmja e Bonit "General Anzeiger" komenton: "Letra e kryeministrit libanez dokumenton, se sa shpërthyese është situata në territorin që eventualisht do të vëzhgohet prej marinës gjermane. Pikërisht për këtë arësye qeveria duhet të ruajë gjakftohtësinë. Ushtarët gjermanë nuk duhet të dërgohen në misione aventureske. Kushtet politike ende s´janë pjekur dhe misioni në Lindjen e Mesme nuk është diçka e vetëkuptueshme. Ky duhet të jetë kursi prioritar i orientimit të kabinetit qeveritar dhe në konsultimet vendimtare në Bundestag. Vendimi tani është vështirësuar edhe më shumë", tërheq vëmendjen "General Anzeiger".

Në të kundërt komentatori i gazetës së Dyseldorfit "Westdeutsche Allgemeine Zeitung" mendon, se misioni në Liban është i domosdoshëm për Gjermaninë: "Ndërkohë do të ishte mjaft e dobishme, nëse partia liberale në opozitë do t´i jepte fund retorikës së zjarrtë ndaj qeverisë. Eshtë e vështirë të kuptohet, përse pikërisht liberalët, që për dekada me radhë kanë pasur postin e ministrit të jashtëm, refuzojnë kategorikisht në rastin e Libanit, duke qëndruar madje krah për krah me partinë e majtë. Liberalët duhet ta mbështesin koalicionin dhe si partia më e madhe në opozitë ata duhet t´u japin një sinjal pozitiv ushtarëve gjermanë, që e kanë humbur sigurinë. Angazhimi i tyre është i domosdoshëm jo vetëm për Lindjen e Mesme, por edhe për Gjermaninë si një fuqi e mesme, për Evropën dhe për OKB-në", nënvizon "Westdeutsche Allgemeine Zeitung".

Kalojmë në temën e dytë, konsultimet për buxhetin në Bundestag. Gazeta "Stuttgarter Zeitung", duke iu referuar rritjes së taksës mbi vlerën e shtuar vitin e ardhshëm, komenton: "Koalicioni i madh deri tani s´ka bërë më shumë se sa të mbyllë disa boshllëqe në buxhet. Fatura për këtë u kalon taksapaguesve, që vitin e ardhshëm do të duhet të jetojnë me një barrë të re të fuqishme. Ndonëse qeveria flet shumë për kursimet, në praktikë ajo bën të kundërtën. Në vend që të tentojë ndryshimet strukturore, koalicioni kuq e zi ndjek rrugën e thjeshtë të rritjes së taksave dhe kuotizacioneve. Ky është një sinjal tronditës parë në optikën e politikës ekonomike. E drejtë do të ishte, që të hulumtohej për mundësitë e kursimit në shpenzimet e shtetit. Pikërisht në kohë të mira ekonomike rekomandohet ky kurs. Vetëm në këtë mënyrë mund të rregullohet buxheti", sugjeron "Stuttgarter Zeitung".

Së fundi edhe një vlerësim nga e përditshmja "Pforzheimer Zeitung": "Përderisa vitin e ardhshëm të gjithë shtetasit do të bashkëkontribuojnë për zbutjen e malit të borxheve, koalicioni kuq e zi është i detyruar, që t´i përdorë me kujddes këto të ardhura shtesë. Nëse koalicioni e bën këtë, ai mund të ketë avantazh të dyfishtë: Nga njëra anë do të zgjidhë problemin financiar dhe nga ana tjetër do të rifitojë besimin e humbur tek zgjedhësit. Ai që i beson qeverisë së tij, investon edhe më lehtë. Kjo vlen si për ndërmarrjet edhe për qytetarët si individë. Kursimi ia vlen dhe mund të krijojë premisat për një hop të qëndrueshëm koniukturor", shkruan "Pforzheimer Zeitung".