1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman 10.10.2005

10 Tetor 2005
https://p.dw.com/p/ArtS
Emigarntë afrikanë në Melija
Emigarntë afrikanë në MelijaFotografi: AP

Nga shtypi i sotëm gjerman përzgjodhëm disa artikuj për diskutimet për krijimin e qeverisë së re në Berlin si dhe çështjen e emigracionit dhe të refugjatëve në radhët e BE-së pas dramës së refugjatëve afrikanë.

Në lidhje me bisedimet për koalicion nga gazeta "Hannoversche Allgemeine Zeitung" lexojmë:

"Për një kohë të gjatë gjermanëve po u pëlqente që duke psherëtirë të tregonin me gisht nga Berlini dhe të thoshin, qytetarët i donin ndryshimet, por për fat të keq politikanët po bllokojnë reciprokisht njëri-tjetrin. Tani Merkeli dhe Myntefering kanë rastin të kundërpërgjigjen. Në rast se dy partitë e mëdha marrin përsipër gjëra të mëdha nuk do të ketë njeri ku të ankohet. Qytetarëve mund t'u bëhet në këtë mënyrë e qartë se ishin ata që nga njëra anë ankoheshin që Gjermania kishte ngecur në vend, dhe nga ana tjetër fshehtazi u pëlqente një gjë e tillë."

Po për të njëjtën temë gazeta "Frankfurter Allgemeine Zeitung" shkruan:

"Eshtë e lehtë të shohësh drejt së ardhmes plot shpresë. Por me vend do të ishte të hidhej edhe një vështrim nga e shkuara. Sa ia vlejtën strategjitë e dy partive të mëdha në Gjermani pas vitit 2002? Me projektin e tij të reformave agenda 2010 kancelari Shrëder u largua prej bazës së partisë së vet aq larg sa, si thotë vetë, nuk e gëzon më besimin e mjaftueshëm të saj. Po ashtu edhe zonja Merkel e detyroi partinë e saj të presë të gjitha lidhjet me të kaluarën. Përfundimi është që askush prej tyre nuk arriti të fitonte shumicën e elektoratit. Fshehtazi ka kohë që në vend mbretëron një qeveri e madhe mes Shrëderit dhe znj. Merkel. Përse pra duhej e gjithë kjo garë që po vazhdon prej javësh?

Çështja më problematike në diskutimet për koalcion mes SPD dhe CDU/CSU-së është se cili do të bëhet kancelar i ardhshëm i vendit. Në lidhje me këtë në gazetën "Süddeutsche Zeitung" lexojmë:

"Sfida e vërtetë për socialdemokratët nuk ka të bëjë me mbrojtjen e postin të kancelarit, apo për të penguar që në të të mos vijë Angela Merkel që në sytë e tyre duket e tmerrshme. Në rast se socialdemokratët e kanë seriozisht valën e re të simpatisë për Shrëderin, duhet që në radhë të parë të administrojnë mirë idetë e tij politike. Në këtë rast pjesëmarrjen në një koalicion të madh socialdemokratët nuk duhet ta shohin si një betejë mbrojtëse. SPD duhet të thotë se çfarë dëshirion dhe synon dhe jo se çfarë nuk dëshiron, sikurse bënte gjatë fushatës elektorale. Pavarësisht nga gabimet Shrëderi ka meritën që filloi procesin e reformave dhe iu kundërvu me forcë atyre që bënin rezistencë. Në rast se SPD-ja nuk do t'i vazhdojë ato edhe në radhët e një koalcioni të madh, atëhere gjithçka që po dëgjojmë tani nga radhët e saj do të mbetet një nostalgji e gabuar, e madje hipokrite."

Kalojmë në temën tjetër, dramën e refugjatëve afrikanë dhe praktikën e dëbimit të tyre që aplikohet në vendet e BE-së. Në gazetën "Mitteldeutsche Zeitung" që botohet në Hallë në lidhje me këtë lexojmë:

"Fajin për problemet e Afrikës nuk e kanë vetëm Evropa dhe vendet e tjera të pasura të botës. Shumë prej despotëve afrikanë u shkaktojnë fatkeqësi popujve të tyre. Por Evropa ka edhe përgjegjësinë e vet dhe këtë jo vetëm për arsye solidariteti apo morali. Sepse në rast se nuk ia del të luftojë urinë në botë, dikur do të përballet me pyetjen se si të luftojë ndaj sulmit të të uriturve."

Kurse nga gazeta "Nürnberger Zeitung" citojmë:

"Tek e fundit të gjithë e kanë të qartë se dëbimet apo kampet për pritjen e refugjatëve janë vetëm zgjidhje provizore. E keqja themelore është në gjendjen katastrofale të vendeve që prodhojnë emigracion. Po si mund të luftojnë vendet e pasura kundër korrupsionit, mungesës së ligjit apo ekonomisë së drejtuar keq në vendet e Afrikës pa përdorur për këtë mjetet e domosdoshme?"