1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman, e shtunë 16.12.2006

16 Dhjetor 2006

Samiti i BE-së dhe konfirmimi nga Kasacioni i dënimit të arbitrit Hoyzer janë temat e shtypit të sotëm

https://p.dw.com/p/ArmV
Ish arbitri Robert Hoyzer i dënuar për manipulime ndeshjesh dhe marrje ryshfeti
Ish arbitri Robert Hoyzer i dënuar për manipulime ndeshjesh dhe marrje ryshfetiFotografi: AP

Samiti i BE-së që përfundoi dje në Bruksel është një nga temat kryesore që trajton sot shtypi gjerman.

"Frankfurter Allgemeine Zeitung" duke folur për perspektivën e zgjerimit të BE-së shkruan: "Zgjerimi ishte dhe është një sukses i madh për të cilin BE mund të jetë krenare. Perspektiva për anëtarësim në një bashkësi të europianëve u dha qytetarëve nga Europa Lindore dhe Qëndrore sigurinë se ndryshimet e jashtëzakonshme të cilave iu nënshtruan do t'ia vlenin. Dhe për "europianët e vjetër" ia ka vlejtur jo së fundi në aspektin e stabilitetit. Prandaj është mirë që të mos mbyllen dyert për kandidatë të tjerë para së gjithash ata nga Ballkani Perëndimor. Perspektiva europiane nuk i çliron ata nga të gjithat barrat historike por u jep pikërisht këtë: një perspektivë nëse përmbushin ato që duhet dhe kanë premtuar të përmbushin."

Ndërsa për "General Anzeiger" samiti i BE-së nuk arriti t'u jepte qytetarëve të Europës përgjigje për pyetjen: Sa duhet të zgjerohet Bashkimi Europian? Citojmë:"Çdo qytetar europian priste të mësonte një gjë nga ky takim i nivelit të lartë: a duhet të zgjerohet Bashkimi Europian me të njëjtin ritëm si deri tani? Por kryetarët e shteteve dhe qeverive nuk iu përgjigjen kësaj pyetjeje. Ky samit duhej të kishte dhënë një përgjigje e cila t'u ofronte një perspektivë të vërtetë fqinjëve europianë dhe jo premtime boshe. Bashkimit Europian i nevojitet krahas anëtarësisë së plotë me të gjitha të drejtat dhe solidaritetit të thjeshtë miqësor e fqinjësor një rrugë e tretë. Natyrisht BE ka nevojë për marrëdhënie shumë të mira me Rusinë, me Libanin, Turqinë, Palestinën dhe madje edhe me Pekinin. Por një bashkësi që arrin nga deti kinez deri në Biskajë është më shumë diçka që të tremb se sa një premtim."

Dhe së fundi mbi këtë temë shkëpusim nga komenti i "Kölner Stadt-Anzeiger": "25 anëtarëve të BE-së iu desh të konstatonin ashtu si disa bashkëshortëve se shtrihen në të njëjtin shtrat por shohin ëndrra të ndryshme. Por tani, dhe kjo nuk qenë gjithmonë kështu mbi këtë flitet. Ndoshta këto janë sinjalet e para lajmëtare të terapisë për partnerë me të të cilën kancelarja Merkel dëshëron të zgjidhë polemikën mbi kushtetutën europiane. 'Sistemit Merkel' të shkëmbimit të mendimit pa nervozitet dhe të zgjidhjeve pragmatike i shkon shumë për shtat një samit i tillë harmonik si ai në Bruksel. Në këtë kuadër dëshmohet se edhe përkrahësit e një zgjerimi pa kufij të BE-së nuk bëjnë dot pa thellim të bashkëpunimit. Pasi gjithmonë kur është fjala për çështje themelore thirrja për veprim të përbashkët europian bëhet automatikisht më e lartë."

Ndërrojmë temë. Gjykata e Kasacioni në Leipzig ka konfirmuar në një proçes revizioni dënimin për ish arbitrin Robert Hoyzer i cili ishte dënuar në instancë të parë me dy vjet e pesë muaj heqje lirie. Akuza: manipulim i ndeshjeve të futbollit për të cilat kishte marrë ryshfete. "Schwarzwälder Bote" sheh në venimin e Gjykatës së Kasacionit një sinjal të qartë për botën e futbollit. Citojmë:"Vendimi është një sinjal i qartë për gjithë futbollin nga kategoria e parë e deri tek klubet e qarqeve. Ai është edhe më shumë se kaq: me të bëhet e qartë se shteti vepron me rigorozitet kundër manipulimeve të tilla. Avokati Schneider kishte tronditur perceptimin për drejtësinë të shumicës dërrmuese të popullisë me kërkesën e tij për pafajsi. Që nga dita e djeshme ai është sërish në vend."

Së fundi citojmë nga "Offenburger Tageblatt" :"Kështu skandali gjerman i basteve ka patur një fund pozitiv. Kjo mund të bëhet shembull edhe për kampionin e botës në futboll Italinë. Atje me dijeninë e disa klubeve janë shtyrë për vite me rradhë lojra të kampionatit. Në vend që pjesëmarrësit në këto manipulime të hiqeshin nga qarkullimi për t'i bërë si të thuash shembull për të tjerët, fajtorët luftojnë aq kohë nëpër instancat gjyqësore derisa të gjithë fitojnë pafajësinë. Gjykata Federale e Kasacionit ka bërë të qartë se manipulimet në sport nuk janë krime kavalierësh."