1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman i ditës

Elert Ajazaj27 Janar 2006

Temë mbizotëruese sot është fitorja e shumicës absolute nga lëvizja Hamas në zgjedhjet parlamentare palestineze

https://p.dw.com/p/Arrh
Hamasi feston fitoren në Bregun Perëndimor të lumit Jordan
Hamasi feston fitoren në Bregun Perëndimor të lumit JordanFotografi: AP

Gazeta Süddeutsche Zeitung, e cila botohet në Mynih shkruan:

Kush është në qeveri nuk mund të ndërrojë vazhdimisht nga mbledhja e kabinetit tek lufta në ilegalitet, nga bisedimet për marrëveshje tek terrori. Kush qeveris, ka vendosur për njërën. Terrori nuk përbën alternativë për asnjë qeveri palestineze, madje as edhe për Hamasin. Fuqia ushtarake izraelite është tepër dërrmuese. Selia e presidentit palestinez është shkatërruar njëherë nga predhat. Sikur Hamasi të marrë përgjegjësinë e qeverisjes, atëherë në fund islamistët duhet të kërkojnë bisedime.

Mbi të njëjtën temë lexojmë në gazetën Kölner Stadt Anzeiger:

Është një revolucion kulturor politik në të gjelbër, në ngjyrën e fesë islame kjo fitore e parashikueshme, e megjithatë tronditëse e Hamasit palestinez. Në fitore të tilla nuk kishin besuar as vetë islamistët. Aq më keq që ata nuk dominojnë më vetëm kampet e refugjatëve, por tani e tutje edhe autoritetin palestinez. Megjithatë më e keqja është se askush nuk është përgatitur për rolin e tyre të ri. As palestinezët, as Izraeli, as bashkësia ndërkombëtare. Në këtë mënyrë duket se u paraqit rasti të cilin analistët palestinezë e cilësojnë "katastrofë e shumëfishtë".

Më tej shfletojmë gazetën Berliner Zeitung:

Fitorja e Hamasit në zgjedhjet parlamentare palestineze nuk duhet parë si katastrofë por duhet kuptuar e shfrytëzuar si mundësi. Organizata shpalli armëpushim dhe në pjesën më të madhe e respektoi atë.Procese të ngjashme po kalojnë edhe lëvizje të tjera islamiste; organizata deri tani të përçmuara duan të marrin pjesë në qeveri dhe në pushtet në vendet e tyre. Hamasi mund të kthehet në shembull, se radikalët mund të shndërrohen, se feja islame dhe demokracia janë të përputhshme.

Berlinezja Tageszeitung komenton:

Së pari: respekt. Ishin zgjedhjet më të drejta dhe më demokratike të zhvilluara deri më sot në botën arabe. Me të drejtë palestinezët mund të pretendojnë se Izraeli nuk është më demokracia e vetme në Lindjen e Afërme. Ky është një sukses i pashembullt për një vend të pushtuar dhe të traumatizuar, në rrafshin ndërkombëtar është një e mirë e madhe dhe e vlefshme për demokracinë. Vetëm sikur të mos ishte edhe rezultati. Megjithatë Hamasi nuk është al Kaida. Përkundrazi: ndër të gjitha organizatat islamiste Hamasi është më e llogaritshmja, dhe më e afta për tu përshtatur. Në rast se dëshiron të jetë e aftë për politikë në rrafsh ndërkombëtar, atëherë duhet ta dëshmojë këtë tani bindshëm, të heqë nga programi terrorin dhe asgjësimin e Izraelit.

Ndërrojmë temë. Gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung komenton pozitën e të gjelbërve gjermanë:

Të gjelbërit, të cilët u shfaqën njëherë në tribunën politike si trupë në kërkim të vetvetes dhe u kthyen më pas në partner pushteti mjaft të disiplinuar të Partisë Socialdemokrate, janë duke rënë në stadin e tyre të hershëm. Kjo nuk ka se përse t'i habisë, pasi nga kjo kohë janë ende edhe strukturat e tyre drejtuese. Pikërisht sepse udhëheqja me dy persona në parti dhe fraksion rrallë funksionoi mirë, ishte në gjendje t'i drejtonte një njeri i vetëm thuajse nga vendi i prapëm të gjelbërit. Kështu nuk duhet të jetë më, premtuan të gjithë pas largimit të Fischerit. Por në rast se nuk duan që defektet politike të llojit të sapoprovuar të përsëriten, atëherë me siguri që nuk kanë rrugë tjetër veçse t'ia japin timonin njërit apo njërës. Koha në opozitë është e përshtatshme për këtë.