1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman i së enjtes

22 Qershor 2006

Komentatorët e shtypit të sotëm gjerman ndalen veçanërisht në takimin e nivelit të lartë BE-SHBA.

https://p.dw.com/p/ArpJ
George Bush dhe Wolfgang Schüssel, Vjenë
George Bush dhe Wolfgang Schüssel, VjenëFotografi: AP

Në gazetën MITTELBAYERISCHE ZEITUNG për këtë temë lexojmë:

"Evropa dhe Amerika rikujtojnë sërish katalogun e përbashkët të vlerave. Meqenëse të drejtat e njeriut në Guantanamo dhe në Abu Ghoraib shkelen më këmbë pikërisht nga administrata e Bushit, peshon rëndë, që presidenti Bush u bëri dje evropianëve një premtim të fortë. Me mbylljen e kampit në Kuba, lufta legjitime kundër terrorizmit në të ardhmen shpresojmë të mos mbështetet në metoda barbare, siç përdoren zakonisht nga tiranët."

DRESDNER NEUESTE NACHRICHTEN ndalet në karakterin e marrëdhënieve midis BE dhe SHBA:

"Për dashuri të madhe ende nuk mund të flasësh. Por qeveria amerikane i ka rizbuluar evropianët si partnerë të pazëvendësueshëm. Pas hendekëve të hapur nga lufta e Irakut, presidenti Bush tani e vë theksin më fort në përbashkësitë. Nuk është për t'u cuditur: si në politikën e brendshme, edhe në atë të jashtme, Abu Ghoreibi, Guantanamo dhe Haditha kanë lënë gjurmë të fëlliqura. Edhe fuqia e madhe fillon të kuptojë se duhet të farkëtojë aleanca, në vend që t'u vërë atyre pikëpyetje. Në rastin e Iranit, Uashingtoni po i afrohet linjës së evropianëve, që ngulin këmbë për diplomaci."

Ja edhe mendimi i BRAUNSCHWEIGER ZEITUNG:

"Buzë Danubit, Evropa e vjetër e përcmuar dikur nga Uashingtoni shfaqet në prarimin dhe forcën e saj kulturore. Kryqëzata e George Walker Bush ka dështuar, edhe sepse ai e drejtoi atë edhe kundër aleatëve në Evropë- dhe jo vetëm kundër të ashtuquajturit Bosht të së Keqes. Ministrja e tij e jashtme Condolisa Rajs me sa duket e bindi presidentin, se ajo që kërkohet është sërish diplomaci, nëse SHBA duan t'i zgjidhin problemet e tyre. Nuk është koha për të qeshur me ironi që Bushi po e zbulon nga e para kontinentin e vjetër, qoftë edhe nga halli. Për këtë ia vlen gjithnjë një udhëtim në Vjenë, edhe nëse kultura zuri vendin e fundit në këtë udhëtim."

LANDESZEITUNG që del në Lyneburg analizon deklaratat e Bushit në takimin e nivelit të lartë:

"Presidenti amerikan Xhorxh Bush u përpoq në mënyrë të dukshme në Vjenë për të kremtuar një takim uniteti të nivelit të lartë. Ai madje shprehu detyrimin që të respektojë të drejtat e njeriut në luftën kundër terrorizmit. Kohë të liga, nëse këtë do ta vlerësonim si sukses diplomatik të Evropës. Le të shpresojmë që asnjë shef evropian qeverie nuk do ta ngatërrojë deklaratën e vullnetit të mirë të Vjenës me një garanci. Në rast nevoje, janë vetëm interesat amerikane ato që përcaktojnë politikën amerikane. Kështu Bushi la t'i shkëpusin vetëm një deklaratë të mjegullt për mbylljen e kampit të Guantanamos, i cili është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Kjo, megjithëse Bushi pranoi se 200 nga 460 personat e burgosur mund të lejohet të kthehen në atdheun e tyre- pra janë burgosur pa faj. Nëse Evropa dëshiron ta detyrojë aleatin e dyshimtë për një ndërrim politik kursi, ajo duhet të përdorë muskujt."

E të njëjtit mendim me LANDESZEITUNG është edhe BADISCHE ZEITUNG që botohet në Frajburg:

"Jo, Xhorxh Bushi nuk shpalli në Vjenë mbylljen e kampit të të burgosurve, Guantanamo. Ky kamp është kthyer në simbol të mbireagimit të SHBA pas 11 shtatorit. Këtu shkelen tamam ato vlera, të cilat i bëjnë të forta demokracitë: dinjiteti njerëzor dhe e drejta për liri. Me këtë Bushi u ka ofruar edhe fanatikëve të kësaj bote një pretekst për urrejtjen e tyre ndaj Amerikës. Mund të nuhasësh që Uashingtoni tashmë e ka kuptuar këtë lidhje. Në fjalët e Bushit kjo tingëlloi kështu: ai shpreson që të jetë në gjendje së shpejti që të heqë dorë nga programi. Kjo dëshirë ishte e menduar seriozisht, por vetëm për hir të egoizmit personal."

Së fundi edhe LANDSHÜTER ZEITUNG/STRAUBINGER BLATT, e cila konstaton përmbledhtazi për takimin e nivelit të lartë dhe për marrëdhëniet BE-SHBA:

"Bashkësia evropiane-amerikane e sheh veten të konfrontuar me një numër të madh rreziqesh dhe kërcënimesh. Rreziqet burojnë edhe nga pakësimi i burimeve energjitike, nga dëmet në ambjent dhe varfëria në botën e tretë. Shkeljet e të drejtave të njeriut janë një problem tjetër: kartën e Atlantikut verior, e cila ka kapërcyer disa tufane, ato duhet ta vënë sërish në qendër të vëmendjes dhe ta zgjerojnë me kapituj të rinj. Në takimin e nivelit të lartë në Vjenë për këtë u krijuan mundësi të reja."