1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman i së enjtes

13 Prill 2006

Deklarata e Iranit se ai ka arritur të pasurojë uraniumin - në fokusin e komenteve të shtypit gjerman

https://p.dw.com/p/ArqS


Vëmendja kryesore e komentatorëve të shtypit të sotëm gjerman është përqendruar në deklaratën e Teheranit se ka arritur të pasurojë për herë të parë uraniumin.

FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG vëren:

"Me stilin e triumfatorit, presidenti i Iranit deklaroi se shkencëtarët iranianë arritën të bëjnë pasurimin e uraniumit. Nëse kjo është e vërtetë dhe bëhet realitet edhe deklarata se në të ardhmen pasurimi i uraniumit do të bëhet në mënyrë industriale, atëherë do të bëhet realitet një ëndërr e keqe: Irani zotëron një teknikë, me të cilën mund të prodhohen (edhe) armë bërthamore. Për ato shtete, të cilat janë përpjekur të arrijnë deri tani një zgjidhje në rrugën e negociatave dhe për aktorët kryesorë në KS të OKB-së me ngadalë po afrohet ora e së vërtetës. Dikur atyre do t'u duhet të vendosin, nëse në fund do të jenë të gatshëm të pranojnë një Iran atomik, apo nëse ato i quajnë rreziqet e lidhura me këtë të papranueshme. Këtu kemi të bëjmë me një alternativë që të bën esëll dhe opcione të lira këtu nuk ka."

FINANCIAL TIMES DEUTSCHLAND kërkon reagim konkret nga bashkësia ndërkombëtare:

"Deklarata e Iranit, se ka arritur të pasurojë në Natans me sukses uran, është një shok për botën, siç ishte në vitin 1957 shoku i Sputnikut- edhe nëse ky hap nuk ka pasoja të drejtpërdrejta strategjike ushtarake. Suksesi e sjell Iranin një hap më pranë opcionit të zotërimit të bombës së tij atomike. Bashkësia ndërkombëtare nuk mund ta pranojë këtë veprim të Iranit pa konsekuenca. Diplomacia e deritashme bërthamore e Evropës me regjimin e mullave ka dështuar në mënyrën më të qartë. Ajo do të humbasë çdo kredibilitet, nëse shokun e Natanit e quan `business as usual`"

HAMBURGER ABENDBLATT flet për rreziqet që sjell posedimi i armëve bërthamore nga Irani:

" Që tani ora ka filluar të punojë - më e vonta në 10 vjet Irani do të jetë në gjendje t'i pajisë raketat ndërkontinentale me mbushje bërthamore. Që Irani ku nafta buron nga çdo vrimë ka nevojë urgjente për centrale atomike, këtë Ahmadinexhadi mund t'ia tregojë gjyshes së vet. Irani kërkon që politikisht dhe me ndihmën e shpatës atomike të kthehet edhe ushtarakisht në fuqi të Gjirit Persik. Tani perëndimi nuk mund të rrijë duarlidhur kur një fanatik si Ahmadinexhadi ndërton bombën e tij atomike."

NÜRNBERGER ZEITUNG është skeptike për hapësirën e veprimit të perëndimit:

"Kundërmasa, formuluar në mënyrë të përmbajtur, mund të merren vetëm në një masë të kufizuar. Sepse sanksione të mundura teorikisht kundër shtetit të mullave nuk janë të preferueshme për shkak të reagimeve që priten të Teheranit, të cilat mund ta preknin perëndimin më ndieshëm se sa anasjelltas sanksionet e tij, Teheranin. Mbetet kërcënimi me hapa ushtarakë. Por edhe kjo armë është disi e mpirë."

ALLGEMEINE ZEITUNG që botohet në Mainc mendon ndryshe:

"Shumë më tepër se fjalë të qarta të OKB-së si dhe të Organizatës ndërkombëtare të energjisë bërthamore momentalisht nuk mund të ketë. Në asnjë mënyrë nuk sjellin dobi kërcënimet për përdorimin e dhunës ushtarake. Sepse edhe një goditje me objekt pajisjet atomike iraniane mund të ishte shkëndija për një shpërthim gjigant në të gjithë Lindjen e Mesme dhe të Afërt."

Ndërsa MANNHEIMER MORGEN konstaton:

"Grindja për programin atomik të Iranit po krijon gjithnjë e më tepër dinamikën e saj. Para së gjithash Teherani nuk kujdeset fare për t'u ruajtur nga acarimi i konfliktit. Kjo është një lojë e rrezikshme: sa më lartë ngrihet zëri i qeverisë iraniane, sa më me forcë e nxit ajo programin e saj atomik duke u mburrur me të para gjithë botës, aq më e vështirë do të bëhet për të aprovimi i një kompromisi. Irani mund të ndodhet dikur në pozicionin, kur do të kërkojë të ndryshojë qendrim, por nuk do ta bëjë dot këtë, sepse humbja e dinjitetit do të ishte shumë e madhe. Askujt nuk i pëlqen të shfaqet si tigër i palosur prej letre, kur më parë ka dashur të luajë rolin e mbretit të luanëve."

Dhe së fundi SÜDWESTPRESSE që botohet në Ulm:

"Tani kërkohet veprimi i KS të OKB-së. Ultimatumi që ai ka shqiptuar dy javë më parë për 30 ditë, duhet të pasohet nga sanksione të gjata. Vetëm në këtë mënyrë mund të bëhet zap presidenti që ka humbur kontrollin."