1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman i së hënës për qeverinë e re iraniane dhe festivalin evropian të këngës

Auron Dodi22 Maj 2006

Në Irak është formuar për herë të parë pas përmbysjes së diktatorit Sadam Husein, një qeveri e rregullt. Kjo temë dhe festivali i këngës evropiane të transmetuar përmes Eurovizionit tërheqin vëmendjen e komentatorëve t gazetave të sotme gjermane.

https://p.dw.com/p/Arpp
Eurovizion 2006
Eurovizion 2006Fotografi: AP


FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG vlerëson pozitivisht formimin e qeverisë së re në Irak:

"Për Irakun dhe irakianët kemi të bëjmë padyshim me një ngjarje historike: për herë të parë ky vend ka një qeveri demokratike, e cila vërtet e meriton këtë emër. Krahas pyetjes si mund të vihet nën kontroll siguria, edhe kapërcimi i egoizmave të grupeve ka rëndësi themelore për këtë vend. Vështirësia e madhe për formimin e qeverisë e bëri të qartë se sa e vështirë është që t'ia nënshtrosh interesat e bashkësive fetare, por edhe të grupeve popullore dhe drejtuesve të tyre një ndërgjegjesimi për Irakun. Eshtë fjala për një ndërgjegjësim që të jetë në gjendje të mbajë dhe të mos avullojë me shpërthimin e krizës më të vogël. Skeptikët tërheqin vëmendjen se ka shumë pak vetë, që kanë një koncept për ruajtjen e një Iraku të njësuar. Por tani të paktën qeveria mund të fillojë nga puna."

SÜDDEUTSCHE ZEITUNG përqëndrohet në rolin e amerikanëve pas formimit të qeverisë:

"Qeveria e SHBA ka pritur shumë nga formimi i një qeverie të re. Ajo dëshiron ta tërheqë ushtrinë e saj, sapo strukturat irakiane të jenë në gjendje të veprojnë me stabilitet. Por shenjat sikur nuk flasin për stabilitet. Gjithçka flet për atë, që ushtarëve amerikanë do t'u duhet të qëndrojnë gjatë në këtë vend. E vetmja alternativë duket të jetë që Iraku t'i lihet kaosit dhe shpërbërjes ose një sundimi të ri të dhunshëm."

Ja edhe mendimi i analistit të MÄRKISCHE ODERZEITUNG që del në Frankfurt mbi Oder:

"Qeveria e re e rregullt irakiane e zgjedhur në fundjavë duhet të qëndrojë katër vjet në post. Ky është optimizëm i sforcuar puro. Pas një pokeri prej muajsh, kabineti u formua vetëm nën presionin masiv amerikan. Presidenti amerikan Bush, që ka humbur në një pjesë të konsiderueshme besimin, përpiqet që në këtë mënyrë të kalojë sërish në ofensivë. Bërja e betimit nga ana e qeverisë Maliki shitet si gur themeli në rrugën drejt demokracisë. Në të vërtetë, kundërshtitë në interesa midis shiitëve, sunitëve dhe kurdëve vazhdojnë të ekzistojnë edhe më tej. Ata nuk ranë dot dakord as për një listë të plotë ministrash. Meqenëse grupe të ndryshme terroriste vazhdojnë të qarkullojnë në vend, gjendja e sigurisë në vend është e paqendrueshme. Menjëherë pas atentatit tjetër të madh, në Irak mund të shpërthejë sërish lufta civile."

Festivalin e sivjetshëm të këngës evropiane "Eurosong" e fitoi Finlanda. Kënga fituese dhe grupi që e këndoi atë komentohet nga disa gazeta gjermane.

AUGSBURGER ALLGEMEINE lexojmë:

"Grupin finlandez Band Lordi nuk je i detyruar ta pëlqesh. Këngëtarët e rokut të fortë, me një pamje sikur të kenë dalë nga ndonjë film qeniesh të mbinatyrshme, për shumë spektatorë ishin një shok. Kjo në një kohë, kur ngjarja e njohur televizive e mbrëmjes të së shtunës mbizotërohej kryesisht nga këngëtare me fustane të shtrenjta, të mbështetura nga kërcyes pupthi. Me votën e qartë për Lordi-n, shumë miq të muzikës ndëshkuan në shumë vende me anë të celularëve dhe mesazheve të shkurtra sms vetëkënaqësinë e rëndë të Festivalit Eurovision Song Contest. Një shok shërues për garën."

NORDSEE-ZEITUNG që del në Bremerhafen ndalet në rezultatet e dobëta gjermane në vite në këtë festival evropian:

"Të paktën përballë një fitoreje të një monstre të tillë na lejohet të çuditemi, apo jo? Një vështrim në të kaluarën gjermane të Grand Prix të bën esëll. Në fund të fundit kemi qenë ne vetë që jemi tallur herë pas herë me garën e këngëtarëve dhe e kemi bërë këtë në dallim nga disa konkurentë shumë me ndërgjegje. Ai që u vë konkurentëve përballë Guildo Hornin dhe Stefan Raabin, duhet të presë që finlandezi të shfaqet disa vjet më vonë me maska të llahtarshme, t'i marrë nga dora të birit sëpatën plastikë dhe të hungërojë Haleluja në mikrofon."

Dhe ja së fundi edhe mendimi i BRAUNSCHWEIGER ZEITUNG:

"Dashamirësit e estetikës vërtet që kthejnë kurrizin të rrënqethur (përballë spektaklit horror me mesazhin e thjeshtë HARD ROCK HALLELUJAH). Por në fund na duhet të pranojmë: një ide të tillë për show nuk e kemi parë deri tani. Dhe me sa duket kjo paska rëndësi sot. Shumicën e debutimeve, dy minuta më vonë i kishe harruar."