1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman i së martës

ADD22 Gusht 2006

Tema që mbizotëron në komentet e shtypit të sotëm gjerman: diskutimi për mbrojtjen nga sulmet terroriste brenda vendit

https://p.dw.com/p/AroL
Hetime kundër terrorizmit në stacionin e trenit në Kiel
Hetime kundër terrorizmit në stacionin e trenit në KielFotografi: AP

Lajmi se disa muaj më parë në stacionin e trenit të Këlnit vetëm rastësisht nuk shpërthyen dy valixhe me lëndë eksplozive, vazhdon të komentohet në shtypin e përditshëm gjerman. Mundësia apo pamundësia për të parandaluar sulmet terroriste është temë që preokupon shumë komentatorë. Kështu lëxojmë ndër të tjera në numrin e sotëm të gazetës TRIERISCHER VOLKSFREUND:

"Nuk bëhet fjalë, që në mënyrë naive apo fataliste të pritet një atentat. Atje ku mund të krijohet më shumë siguri me përpjekje në kufirin e së arsyeshmes, atje duhet vepruar. Por kjo mund të bëhet vetëm me qetësi, pas shqyrtimit të kujdesshëm të situatës dhe reflektimit rrënjësor të saj. Të shtëna të pamenduara dhe zgjidhje populiste sipërfaqësore në fund të kushtojnë shumë shtrenjtë."

I të njëjtit mendim me TRIERISCHER VOLKSFREUND është edhe HEILBRONNER STIMME:

"Vetëm fati bëri që në stacionet hekurudhore gjermane të mos shpërthejnë bomba. Por shteti nuk mund t'ia lërë në dorë rastit apo gabimit të terroristëve punën. Të gjitha propozimet duhet t'i nënshtrohen një shqyrtimit të dyfishtë. Ato duhet të jenë më tepër se aksionizëm. Dhe ata nuk duhet të çojnë ujë në mullirin e terroristëve, për të shkatërruar shoqërinë e lirë. E rëndësishme dhe me efekt është një kartelë kompjuterike antiterroriste. Vëzhgimi me videokamera për fat të keq nuk mund ta pengojë një atentat, por vetëm të ndihmojë më pas, në kërkime. Shoqërues të armatosur mund të jenë me kuptim në një dhomë avioni, por në një tren të gjatë ata janë të pafuqishëm."

Komentatori i LANDESZEITUNG që del në Lyneburg kujton:

"Në kohët e terrorit, demokracitë e ridefinojnë vetveten. Ato aktivizojnë reflekset e mbrojtjes. Por megjithatë ato duhet të kenë mendjen që forca e tyre të mos shkatërrojë lirinë, të cilën ajo duhet ta mbrojë. Nëse pushteti shtetëror centralizohet duke koncentruar kompetenca e shërbimeve të fshehta dhe ato policore- si përshembull përmes hartimit të një kartele kompjuterike antiterror, krijohet edhe mundësia e shpërdorimit të pushtetit. Dhe ai e kërcënon demokracinë më fort se terrori."

Ndërsa komentatori i gazetës EXPRESS të Këlnit është i mendimit:

"Ajo që është e hidhur në këtë histori është: një diskutim fare të ngjashëm patëm në Gjermani edhe pas atentateve terroriste ndaj World Trade Center, më 11 shtator 2001 në Nju Jork. Sot, thuajse saktësisht pesë vjet më vonë, vazhdojnë diskutimet. Eshtë momenti më i përshtatshëm për të vepruar."

Me nota pesimiste komentohen në gazetën që botohet në Straubing LANDSHUTER ZEITUNG/STRAUBINGER TAGESBLATT shanset për suksesin e planeve integruese:

"Mbetet për t'u mos u harruar, se të gjitha modelet e ndryshme të integrimit në Evropë, në Angli, në Francë ose në Hollandë, kanë dështuar. Në Gjermani vazhdojmë ende të kacavirremi pas shpresës për një fe islame liberale. Por ndoshta ajo ekziston në rrethin më të ngushtë familiar, jo në bashkësitë e xhamive nën kontrollin e fundamentalistëve. Shkollat dhe gjyqet ofrojnë rabat për myslimanët, në vend që të kërkojnë besnikëri absolute ndaj ligjit. Kështu depërton gradualisht Sharia në shoqërinë e këtij vendi, e cila ankohet për terrorin, por së cilës i mungon guximi për mbrojtje të vendosur."

Ja së fundi edhe mendimi i komentatorit të gazetës TAGESPOST që del në Vyrcburg:

"Që para një atentati të zbulosh rrjete terroriste dhe plane, kjo është e mundur, sic e vërtetoi policia britanike; por terrori nuk mund të luftohet me mjete policore. Islamistët duhet të kenë mundësi të shohin një alternativë ndaj luftës vendimtare kulturore, të shohin një rrugëdalje me nder nga nënshtrimi dekurajues. Plane për integrim më të mirë nuk prekin themelet, sepse urrejtja drejtohet në radhë të parë kundër modelit të një bote demokratike të sekularizuar. Në atmosferën e mungesës së rrugëdaljes të luftës së ftohtë, NATO-ja shpiku doktrinën Harmel, këtë strategji të dyfishtë të kërcënimit dhe çtensionimit. Ky mund të ishte mendimi bazë i një strategjie kundër terrorizmit: luftë e vendosur me ekzistencën e njëkohshme të gatishmërisë për të bërë një ristrukturim rrënjësor të marrëdhënieve."