1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman i së premtes mbi fjalimin e kancelares gjermane për Evropën etj.

12 Maj 2006

Komentatorët e shtypit të sotëm gjerman ndalen ndër të tjera në mbështetjen që i dha sërish kushtetutës evropiane kancelarja gjermane Angela Merkel, në kremtimin e 50 vjetorit të Shërbimit Informativ Federal Gjerman si dhe në tema të tjera.

https://p.dw.com/p/Arpz

Për fjalimin e kancelares gjermane Merkel në Bundestag në mbështetje të kushtetutës evropiane, në gazetën ESSLINGER ZEITUNG ndër të tjera lexojmë:

"Me fjalimin e saj për politikën evropiane kancelarja Merkel u pozicionua si luftëtare e pararojës për presidencën gjermane të radhës në gjashtëmujorin e parë 2007. Por me propozime për zgjidhje ajo ende tregohet e rezervuar. Burokracia do të pakësohet, duhet të krijohet afri më e madhe me qytetarët. Me të vërtetë: njerëzit në Evropë mezi e presin këtë. Ata janë të interesuar për përmirësime të ndjeshme, që prekin jetën e tyre personale më shumë se debatet e pafundme për institucionet dhe kompetencat."

Në gazetën FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG për të njëjtën temë lexojmë:

"Kancelarja Merkel kërkoi një rithemelim të "projektit Evropa". Ajo tha se sukseset e BE duhet të bëhen të qarta në katër sektorë: në dinamikën ekonomike, në sigurinë e brendshme dhe të jashtme si dhe në aftësinë e veprimit. Merkeli tha se është e nevojshme një politikë e jashtme dhe e sigurisë e BE. Terrorizmi dhe fondamentalizmi janë kërcënime të reja pas fundit të luftës së ftohtë. Evropës i është dashur të mësojë shumë. Kështu BE nuk reagoi në kohën e duhur në Ballkan. Por nga gabimet tani janë nxjerrë mësime."

Me nota kritike shprehet për fjalimin e kancelares gazeta HANDELSBLATT:

"Mangësia e fjalimit ishte se gati e turpëruar ajo tërhoqi vëmendjen, se edhe në të ardhmen do të jenë të nevojshme hapa të tjerë integrimi dhe zgjerimi. Por ndoshta kjo është në përputhje me atmosferën e përgjithshme aktuale: edhe në politikën ndaj Evropësm qeverisë gjermane i ka shpëtuar nga vëmendja jo një fazë të menduari, por fazë ambiciesh. Për pyetjen se si mund të shpëtohet teksti i kushtetutës evropiane, të gjithë ngrenë supet pa ditur c'të thonë. Të gjithë e varin të ardhmen në shpresat se në vitin 2007, mendimi i qytetarëve në vende si për shembull Franca do të bëhet më miqësor ndaj Evropës."

Gazeta GENERAL -ANZEIGER që del në Bon ndalet në kremtimin e 50 vjetorit të Shërbimit Informativ Gjerman:

"Akti i djeshëm festiv ishte disi i vonuar. Që në fillim të prillit mbushi 50 vjet Shërbimi Informativ Federal Gjerman. Dhe festa e datëlindjes u zhvillua pikërisht në ditën, në të cilën u mblodh komisioni hetimor parlamentar, për të diskutuar për procedurat e mëtejshme të punës së tij sqaruese. Bëhet fjalë për mbështetjen që shërbimi informativ gjerman u ka dhënë amerikanëve në luftën e Irakut, që qeveria e mëparshme gjermane e kundërshtoi me kaq këmbëngulje. Ndërkohë, në titujt kryesorë të gazetave, Shërbimi Informativ Gjerman është sërish aktual me debatin për shpërnguljen apo jo nga Pulah (në Bavari) për në Berlin. Kjo sipërmarrje mendohet se kushton 1.5 miliardë Euro, një shumë marramendëse. Një dorë kaq e mbarë nuk ishte ajo që e la për këtë ditë festën e datëlindjes."

Gazeta DIE WELT analizon synimet e Iranit me programin e tij bërthamor:

"Irani ndjek një qëllim strategjik dhe dy synime taktike: Teherani e do bombën për të qenë i pasulmueshëm si fuqi atomike. Por njëkohësisht qeveria shfrytëzon mosmarrëveshjen e pesë fuqive atomike me të drejtë vetoje në KS të OKB-së. Ajo shpreson se rasti "Iran" do të kalojë sërish nga Nju Jorku, në tryezën e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, ku ai tërheq më pak vëmendje.

Të paktën planet afatshkurtra KS i pengoi. Në kundërshtim me shpresat iraniane, amerikanërt dhe evropianët në një anë, rusët dhe kinezët në anën tjetër ranë dakord që të vazhdojnë veprimet e përbashkëta. Iranit do t'i ofrohen edhe njëherë lehtësira ekonomike, për të hequr dorë nga pasurimi i uraniumit.

Ndërkohë, ka vetëm pak indikacione se qeveria e Teheranit do ta ndryshojë politikën e saj. Shumë interesante i duket presidentit Ahmadinexhad perspektiva, që si fuqi atomike të sjellë në favorin e tij punët në Lindjen e Mesme. Në fund nuk mbetet gjë tjetër vec sanksioneve dhe shpresës se hapat kundër Iranit edhe në këtë rast do të ndërmerren në një front më të gjerë."