1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman i së shtunës

27 Gusht 2005

Tema qendrore në shtypin e sotëm gjerman janë fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare në Gjermani dhe qëndrimi i kandidates së Unionit Kristiandemokrat për kancelare Angela Merkel lidhur me fillimin e negociatave mes Ankarasë dhe BE-së për antarësimin e Turqisë në Bashkimin Evropian.

https://p.dw.com/p/Aru5
Angela Merkel kundër antarësimit të Turqisë në BE
Angela Merkel kundër antarësimit të Turqisë në BEFotografi: AP

«General-Anzeiger» e cila botohet në Bon lidhur me këtë temë shkruan:

"Kandidatja e opozitës gjermane për kancelare Angela Merkel thotë se më së miri do të ishte që me turqit të mos negociohet fare për një antarësim në Bashkimin Evropian. Andaj, skeptikët e Turqisë në Bashkimin Evropian mund ta kursejnë veten nga përpjekjet: Turqia pas 3 tetorit, gjatë negociatave nuk do të rris në asnjë mënyrë shpejtësinë. Për kryeministrin Rexhep Taip Erdogan 3 tetori është data vendimtare. Nëse ai arrin që Turqinë ta fus në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian pa ndonjë humbje të madhe për krenarinë kombëtare atëherë ai ka arritur qëllimin e tij më të madh. Erdogan e di që negociatat mund të zgjasin mbi një dekadë dhe do të jenë shumë të vështira. Një kryeministër dhe politikan partiak si Erdogani nuk mund të lejoj që për veprimet e tij të pres një kohë kaq të gjatë. Atij i duhet të mendoj për zgjedhjet e ardhshme të cilat në Turqi do të mbahen më së voni pas dy vjetëve. Ajo çka aktualisht i nevojitet për karrierën e tij është një sukses me 3 tetor, pa marrë parasysh që dita e antarësimit do të mbetet ende larg", lexojmë në «General-Anzeiger».

Po për të njëjtën temë «Thueringer Allgemeine» e Erfurtit nënvizon:

"Fushata elektorale e Berlinit ka arritur gjer në Bosfor. Angela Merkel i mbyll derën evropiane Turqisë ende pa filluar sadopak hapja e saj. Si kandidate për kancelare shefja e Unionit Kristiandemokrat në këtë mënyrë zhvillon një debat të brendshëm partiak jo të këndshëm dhe siguron votat në kampin konservativ. Edmund Stoiber dhe Roland Koh do të gëzohen. Si kancelare e mundshme ajo e fut Bashkimin Evropian në një krizë besueshmërie. Edhe Gjermania është bashkëpjesëmarrëse në vendimet për negociatat me Turqinë. Andaj nuk është mirë që një temë e tillë e ndjeshme të hapet në fushatën elektorale. Sidomos kur dihet se arsyet e përmendura nga Merkel janë shtyrë për më vonë. Mund të thuhet që rruga të cilën po ndjek Turqia për plotësimin e kritereve për antarësim, sidomos kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut, është më e gjatë se e vendeve tjera aspirante por pikërisht kjo kërkon shoqërim intensiv e jo përjashtim", thuhet ndër të tjera në komentin e gazetës «Thueringer Allgemeine».

Ndërkaq sa i përket gjasave që ka Angela Merkel të fitoj zgjedhjet e ardhshme në Gjermani në «Süddeutsche Zeitung» të Mynihut lexojmë:

"Para katër javësh dukej si plotësisht e qartë se Angela Merkel do të ketë rastin të festoj një fitore bindëse. Por nga dita në ditë sa vjen e zvogëlohen gjasat për të. Nëse ajo nuk arrin të ketë një shumicë të qëndrueshme për koalicion me liberalët atëherë periudha e saj legjislative do të fillonte me një njollë. Jo vetëm pse do të jetë për keqardhje që liberalët do të mbesin prapë në opozitë. Nëse ajo do të detyrohet që të krijoj një koalicion të madh me socialdemokratët atëherë Stoiber, Koh dhe Vulf do të dërgojnë zëdhënësit e tyre që fitoren e saj të dytë ta shpallin si humbje", thekson «Süddeutsche Zeitung».

Ndërsa në «Mittelbayerische Zeitung» të Regensburgut lidhur me fushatën elktorale lexojmë:

"Ajo çfarë përjetuam deri në këto çaste të fushatës elektorale nuk ishte vetëm e mërzitshme. Konkretisht edhe u pranua që askush nuk mund t'i kthej tani vitet e dikurshme lulëzimit në parajsën e çudirave ekonomike të Republikës federale. Qytetarët reaguan ftohtë ndaj prezantimeve të matadorëve partiak. Kjo tregon në të vërtetë se elektorati gjerman është bërë më i pjekur. Njerëzit i mërzit cirku dyfytyrësh i zgjedhjeve. Ata ka kohë që e dijnë se politikanët në radhë të parë duan postet interesante në Parlament dhe Qeveri. Në radhë të dytë ata e duan pushtetin. Dhe tek në radhë të tretë kur të jenë plotësuar dy kushtet e para për ta ata fillojnë të kenë parasysh edhe mirëqenjen e popullit", thuhet në «Mittelbayerische Zeitung».