1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman për heqjen dorë të Uashingtonit nga rrjeti i mbrojtjes raketore

18 Shtator 2009
https://p.dw.com/p/JjMd
Shtypi gjerman për rrjetin e mbrojtjes raketore
Shtypi gjerman për rrjetin e mbrojtjes raketoreFotografi: picture-alliance/dpa

Heqja dorë e Uashingtonit zyrtar nga planet për ndërtimin e rrjetit të mbrojtes raketore në Poloni dhe Çeki, është një prej temave më të komentuara edhe në shtpypin e sotëm gjerman.

Gazeta Stuttgarter Zeitung shkruan:

"Dëshpërimi i madh në Poloni dhe Çeki ka pak të bëjë me planet e Iranit për sulme eventuale. Ato më shumë ishin të interesuara për mbrojtjen amerikane nga fuqia e dikurshme koloniale - Rusia. Në Evropën Lindore e kanë vështirë ta gjejnë vetveten, mes fuqive si Gjermania dhe Rusia, që është e kuptueshme, kur merret në konsideratë e kaluara. Por hija e të së kaluarës nuk duhet t'i ngarkojë raportet e sotme", konstaton kjo gazetë.

Ndërsa në General Anzeiger, që botohet në Bon lexojmë:

"Uashingtoni ka nevojë për Rusinë, për të zbutur krizat e shumta në botë, në radhë të parë atë rreth programit atomik të Iranit. Presidenti amerikan është i gatshëm që për këtë të rrezikojë raportet me Poloninë. Rrjeti i mbrojtjes raketore është kuptuar atje gjithmonë si angazhim i SHBA-së, për mbrojtjen e Polonisë nga Rusia. Por Obama, megjithë simpatitë për Poloninë, nuk ka asnjë interes që t'i ashpërsojë edhe më shumë reflekset anti- ruse në këtë vend", pohon gazeta që botohet në Bon.

Ndërsa komentatori i të përditshmes Landeszeitung Lüneburg, ka mendim shumë të qartë:

"Barack Obama po i varros planet e ish - Presidentit George Bush, për një luftë yjesh. Ndryshimi i drejtimit është i mirë, sepse ndërtimi i rrjetit për mbrojtje nga raketat kishte për qëllim vetëm një efekt psikologjik për paprekshmëri dhe rrethimin e Rusisë prej NATO-s. Vendimi nuk është ndonjë shuplakë e madhe për kancelaren Merkel, sic mendon politikani ekologjist Jürgen Trittin, por është një shuplakë për "evropianët e rinj". Polonia dhe Çekia kanë premtuar një lloj besnikërie vazale si garantë për sigurinë dhe pozitën e privilegjuar në raportet me SHBA-në. Megjithatë ndryshim i drejtimit të Obamës e paralajmëron edhe kancelaren Merkel, e cila pati pranuar pa rezerva argumentimet e ish - Presidentit Bush", pohon komentatori i gazetës Landeszeitung Lüneburg.


Autor: dpa/ Bahri Cani

Redaktoi: Auron Dodi