1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman për papën dhe Joshka Fisherin

5 Prill 2005

Dy janë temat të cilat më së shumti preokupojnë sot vëmendjen e komentatorëve gjermanë: vdekja e papa Gjon Palit të Dytë dhe pozita e ministrit të jashtëm gjerman Joshka Fisher, pas aferës së vizave.

https://p.dw.com/p/Arw4

Gazeta "Syddojçe Cajtung" e Mynihut, lidhur me vdekjen e papës shkruan:

"Janë këto prova të rënda për kishën katolike dhe papën e ardhëshëm. Nevoja e reformave është e madhe, ndërkohë që do të tradhëtohej zoti i tyre në qoftë se lëshohet rruga e tanishme. Kisha duhet të vendosë raporte të reja ndaj reformave dhe duhet ti reformojë strukturat e veta, por pa pësuar ndryshime tepër të mëdha. Kisha duhet t'i ruajë rezultatet e papa Gjon Palit të Dytë, i cili në kohën e globalizimit e ka ngritur kishën në një instancë morali nga kohë të lashta, por duhet të ndryshojë gjërat të cilat nuk mund të ndryshoheshin për më shumë se 26 vjet me radhë. Ka obligime të bollshme edhe për dhjetë pontifikate: në Amerikën latine, në Europë, tek intelektualët dhe populli, tek politikanët dhe në ekonomi. Këto obligime mund t'i përballojë vetëm një adminstrues i mençur dhe një përson karizmatik", pohon gazeta e Mynihut.

Detyrave të papës së ardhëshëm i refereohet edhe komentatori i "Frenkisher Tag" nga Bambergu:

"Ajo që deri tani dihet është se nuk dihet asgjë. Por papa i ardhëshëm do të ketë përpara vetes korrje të madhe dhe për të gjitha veprat e tija do të matet me papa Gjon Palin e Dytë. Ai do të ketë vetëm humbje, në qoftë se përpiqet ta kopjojë papën e deritanishëm. Ndërsa në qoftë se pasardhësi i karrigës se shenjtë e gjen një stil të vetin, atëherë do të ketë shansa më të mira. Papa i ri duhet të ketë një autoritet moral sepse papa Gjon Pali i Dytë ishte gjenial në politikën e tij të jashtme, e cila shtrihej shumë më gjërë se sa vetë kisha katolike. Ajo që mbetet është e ashtuquajtura, politika e brendëshme, pra reformat brenda kishës, sepse këtu kishte mbrapambetje. Këtu është edhe shansi i papës së ri, për dalje nga hija e papa Gjon Palit të Dytë."

Autoirtetit të Papa Gjon Palit të Dytë i referohet edhe komentatori i gazetës lokale nga Postdami, "Merkishe Allgemaine":

"Fakti që vdekja e papa Gjon Palit të Dytë ka prekur thellë jo vetëm besimtarët e të gjitha feve por edhe ateistët dëshmon se kjo nuk ka të bëjë vetëm me pontifikatin e tij të pazakonëshëm. Polaku Karol Vojtila ka ndarë metë gjithë njerëzit përvojat e dhimbshme të shekullit të kaluar. Ai i ka njoftuar shkatërrimet e Luftës së Dytë botërore; kaosin e komunizmit; kohën e luftës së ftohtë dhe ndarjen në blloqe si dhe kohën e ndryshimeve të mëdha dhe globalizimit. Për 26 vjet me radhë papa Gjon Pali i Dytë ishte bashkëudhëtarë i secilit besimtarë. Megjitatë më impresionuesi ishte suksesi i tij që të mbajë kursin e besimit katolik dhe të fitojë besimin e gjeneratave të reja. Janë këto ndryshime të cilat do të vlerësohen për një kohë të gjatë", mendon komentatori i gazetës Merkishe Allgemaine.


Kalojmë në temën e dytë, kushtuar ministrit të jashtëm Joshka Fisher dhe mënyrës së udhëheqjes prej tij të ministrisë së jashtme, në veçanti nga perspektiva e aferës së vizave.

E përditshjma e kryeqytetit, "Berliner Cajtung" shkruan:

"Ndoshta edhe nuk mund të tejkalohet masa e jashtëzakonshme e udhëheqjes së qetë të ministrisë së jashtme, prej ministrit Joshka Fisher. Pikërisht kjo ndoshta edhe është pjesë e biografisë së tij. Gjermanët kanë vlerësuar sjelljet politike të një Fisheri i cili nuk është politikan. Shoqëria jonë i konsideron të huaja politikën, taktikat, kompromiset dhe rrenat e vogla. I dashuri i njerëzve të këtushëm duhet të jetë një profesionist, një baba ose një njeri autentik, siç ishte Fisher. Si opozicionar, kur nuk donte të dëgjonte më shumë se çfarë po flasin partitë e vjetra, ai mbështeste kokën në bankë dhe bënte sikur po flente. Tani e dimë se ai vënte kokën në tavolinë edhe kur i flisnin nëpunësit dhe opinioni i gjërë. Shoqëria e këtushme tani ka një politikan të ndryshëm prej të tjerëve dhe mund të shohë se çfarë ka ndodhur prej tij".

Me këto metafora përfundon komentatori i "Berliner Cajtung", ndërsa "Nyrnberger Cajtung" flet me tone shumë më të qarta:

"Fisheri i pafat: përderisa donte t'i spastronte njollat nga gazetat e shtëpisë, ka kthyer kundër vetes gjysmën e administratës. Me dekretin e vizave ai synonte t'i printe Europës pa kufijë, ndërkohë që tani ka humbur autoritetin e ndoshta do ta humbë edhe postin e ministrit të jashtëm. Nuk është ndonjë mrekulli që tani mendon se është i rrethuar vetëm me kundërshtarë. Por kundërshtari më i madh i tij quhet - Joshka Fisher".