1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman për planet për të vajtur në Hënë

13 Gusht 2009
https://p.dw.com/p/J8nq
Shtypi gjerman komenton planet për të vajtur në Hënë. Ne foto: faqe te para te disa gazetave gjermane
Shtypi gjerman komenton planet për të vajtur në HënëFotografi: picture-alliance/dpa

Koordinatori gjerman për aeronautikën dhe fluturimet kozmike Peter Hintze (CDU) i propozoi dje (12.08.) kabinetit qeveritar projektin për një mision eksplorues gjerman në Hënë. Projekti për të cilin qeveria do të votojë pas zgjedhjeve parlamentare pritet të kushtojë mbi 1,5 miliardë euro dhe do të zgjasë pesë vjet. Hintze u shpreh se megjithë krizën ekonomike ky do të ishte 'një investim i mirë i qeverisë gjermane'. Kjo është temë qendrore në të përditshmet e sotme gjermane. Fillimisht lidhur me këtë në 'Kieler Nachrichten' lexojmë:

"Njerëzit nuk janë zhvilluar për shkak se kanë qëndruar në shpella, por për shkak se kanë patur guximin të largohen prej tyre. Dhe ata kanë vazhduar të zhvillohen më tej sepse veprimet e tyre nuk i përkufizuan vetëm në Tokë por u nisën edhe drejt kozmosit. Kjo nuk është mani madhështie. Kjo është kureshtje e shëndoshë. Eksplorimet jetojnë nga kurreshtja e jo nga siguria. Kërkuesi nuk e di në fillim të projektit të tij, se cilat do të jenë rezultatet përfundimtare. Po të ishte ndryshe atëherë nuk do të kishim nevojë për eksplorime. Deri tani ia kanë vlejtur shpenzimet për misionet e mëparshme kozmike. Andaj misioni për në Hënë nuk është ide e marrë, por një investim i qëlluar", shkruan 'Kieler Nachrichten'.

Ndërkaq, por për të njëjtën çështje komentatori i gazetës 'Frankfurter Rundschau' është më pesimist:

"Ministrja Annette Schavan dhe koordinatori për aeronautikën dhe fluturimet kozmike, Peter Hintze duan të shpenzojnë 1,5 miliardë euro për një mision në Hënë. Kjo është një politikë e pastër kanguri - plane të mëdha e strajca bosh. Vitin e kaluar ministria e ekonomisë pati ndërprerë misionin LEO, i cili kushtonte vetëm sa një e pesta e projektit aktual. Por tani kërkohen vizione të guximshme. Fluturimthi këtyre planeve u janë bashkangjitur edhe liberalët. Pas zgjedhjeve, të gjitha do të jenë në tryezën e bisedimeve, premtojnë ata. Po, pas zgjedhjeve", nënvizon 'Frankfurter Rundschau'.


Autor: Esat Ahmeti/ dpa

Redaktoi: Auron Dodi