1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman për takimin Merkel - Netanjahu

28 Gusht 2009
https://p.dw.com/p/JJpy
Lindja e Mesme dhe takimi Merkel - Netanjahu komentohen në shtypin gjerman. Ne foto: faqe te para te disa gazetave te perditshme gjermane
Lindja e Mesme dhe takimi Merkel - Netanjahu komentohen në shtypin gjermanFotografi: picture-alliance/dpa

Temë qendrore në të përditshmet gjermane është Lindja e Mesme në kuadër të vizitës së djeshme të kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu në Berlin.

Fillimisht lidhur me këtë temë në 'Frankfurter Allgemeine Zeitung' lexojmë:

"Ngulimet hebreje, rrugët e sigurta lidhëse deri tek ato dhe postblloqet në mes tyre po e presin copa-copa Bregun Perëndimor si një qilim të arnuar, i cili në aspektin ekonomik nuk është në gjendje të mbijetojë. Një shtet deri diku stabil nuk mund të themelohet nga këto copa. Këtë në radhë të parë duhet ta kuptojë Izraeli, i cili i njeh më së miri këto rrethana", thuhet në 'Frankfurter Allgemeine Zeitung'.

Ndërkaq nga 'Stuttgarter Zeitung' po për këtë temë shkëpusim:

"Presidenti amerikan Barack Obama ka trashëguar një problem të vështirë në Lindjen e Mesme. Kjo për faktin se si asnjë president tjetër i Shteteve të Bashkuara të Amerikës George W. Bush pati mbajtur dorën e tij mbrojtëse mbi Izraelin dhe politikën e tij të kundërligjshme me të drejtën ndërkombëtare. Pasojat janë fatale. Jeruzalemi Lindo,r i cili konsiderohet si kryeqytet nga palestinezët po popullohet gjithnjë e me më shumë izraelitë. Dhe ndërtimi i ngulimeve hebreje në Bregun Perëndimor po vazhdon, megjithë apelet e Obamës dhe evropianëve. Netanjahu provokon kritikën ndërkombëtare me nocionet e gjuhës naziste duke tërhequr vërejtjen për ' rajone të pastra pa hebrenj në Bregun Perëndimor'. Në të vërtetë me këtë Izraeli pengon krijimin e një shteti palestinez në Lindjen e Mesme".

Ndërsa 'Mitteldeutsche Zeitung' në numrin e saj të sotëm thekson:

"Takimi i udhëheqjes së shtetit gjerman me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu u shoqërua papritur nga deklarata shumë të qarta. Kundërshtimi i ndërtimit të ngulimeve tww tjera hebreje dhe rifillimi i negociatave serioze me palestinezët - mesazhi gjerman ishte formuluar qartë... Dhe ndikimi gjerman në Lindjen e Mesme nuk duhet të nënvlerësohet. Berlini deri tash ka bërë emër në misionet e koklavitura diplomatike, më shumë si ndërmjetësues, se sa si faktor i vërtetë me ndikim. Por kjo nuk e zhvlerëson në asnjë mënyrë politikën e jashtme gjermane", nënvizon 'Mitteldeutsche Zeitung'.

Autor: Esat Ahmeti/dpa

Redaktoi: Auron Dodi