1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman për taksat dhe gripin e derrave

2 Nëntor 2009
https://p.dw.com/p/KLVw
Shtypi gjerman komenton uljen e taksave dhe vaksinimin kundër gripin e derrave. Në foto: faqe te para te te perditshmeve gjermane
Shtypi gjerman komenton uljen e taksave dhe vaksinimin kundër gripin e derrave.Fotografi: picture-alliance/dpa

Politika fiskale pas premtimeve elektorale dhe fushata e vaksinimit kundër gripit të derrave janë tema në shtypin gjerman të sotëm:

"Flensburger Tageblatt" shkruan:

"Politika fiskale do të jetë për partitë e koalicionit mes CDU/CSU dhe liberalëve guri i provës për besimin e zgjedhësve ndaj tyre

Me premtime diku më të mëdha e diku më të vogla, CDU, CSU dhe FDP kërkuan gjatë fushatës elektorale uljen e barrës së taksave dhe i prezantuan ato edhe si program për stimulimin e ekonomisë. Gjithsesi për partinë liberale problemi i taksave mund të kthehet në çështje ekzistence. Formuluar pa doreza, FDP jeton për shkak se qindra mijëra përkrahës të unionit mes CDU/CSU-së ua dhanë votën e tyre të dytë liberalëve, për shkak të qartësisë me të cilën formuluan kursin e tyre. Në rast se e gjitha do të dalë si heroizëm fjalësh, votat për liberalët do të rudhen sërish në nivelin e vërtetë mes 6-8%."

"Nürnberger Nachrichten" shkruan:

"Ndërkohë edhe përfaqësuesit liberalë të landeve po e kuptojnë se premtimet elektorale të kryetarit të partisë në lidhje me taksat do të kenë pasoja katastrofale për të gjitha buxhetet. Por kjo nuk e pengon Guido Westerwelle-n që të mos lërë minutë pa predikuar mantrën e tij të uljes së taksave dhe që të mos atakojë ata që janë duke zhveshur nga magjia planet e tij dhe në këtë mënyrë edhe të liberalëve. Këtë gjë e ka marrë përsipër si detyrë kryesore në qeverinë e re Wolfgang Schäuble, i cili i duhet kancelares Merkel në qeverinë e re si ndërmjetës midis Westerwelles dhe Horst Seehoferit. Schäuble duhet t'i kthejë ata nga reja elektorale sërish në realitet. Ministri i Financave ka kohë që ka filluar t'i shkërmoqë të gjitha gjoja sukseset e heronjve të uljes së taksave. Ai po bën atë që në fakt është detyre e shefes së tij, të flasë me letra të hapura."

Temë tjetër e shtypit gjerman është gripi i derrave dhe fillimi i vaksinimit të popullsisë që nuk po ecën me ritmet e pritura. "Hessische/Niedersächsische Allgemeine" (Kassel) shkruan:

"Megjithë kritikën e justifikuar në lidhje me përfitimet e mëdha të industrisë farmaceutike prej vaksinave kundër gripit të derrave, vaksinimi mund të pengojë komplikimet e këqia, e ndoshta edhe vdekjen. Por këtë mund ta dimë vetëm më pas në rast se gjitha gjërat shkojnë mirë. Meqënëse deri tani epidemia e gript të derrave po kalon lehtë, si industrisë farmaceutike edhe politikanëve u duhet të përballen me kritika të tilla si: biznes me frikën, para të hedhura kot, apo aksionizëm mediokër. Me sa duket edhe tani po vërtetohet një rregull i vjetër - pra që duhet të ndodhë një herë e keqja e madhe, përpara se të fillojmë të besojmë se masat parandaluese edhe pse të bezdishme, janë të domosdoshme. Askush s'ka pse të vrapojë në panik tek mjeku. Por rekomandimin e ekspertëve që duhet të vaksinohemi, nuk duhet ta injorojmë."

Autor: Pandeli Pani/dpa

Redaktoi: Auron Dodi