1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman

4 Maj 2005

Nga komentet e shtypit të sotëm veçuam vazhdimin e debatit mbi kapitalizmin dhe situatën e Partisë Liberale në prag të kongresit të saj në fundjavë.

https://p.dw.com/p/Arvg

Gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung komenton gjendjen në Partinë Liberale Gjermane në prag të kongresit të saj. Në një intervistë kryetari i kësaj partie Guido Westerwelle i kishte cilësuar sindikatat si barra e vërtetë për Gjermaninë:

Për Westerwelle-n janë sindikatat "ngarkesa e vërtetë", funksionarët e tyre ai i cilësoi si "tradhëtarë të interesave të punëmarrësve". Faktin që tani sindikata për miniera, kimi dhe energji përpara kongresit të saj nuk dëshiron t'i shërbejë si tribunë për të kundërshtuar me thirrje bu, Westerwelle e quan shenjë të paaftësisë për të dialoguar. Që prej dy vjetësh Westerwelle jeton falë faktit që në horizont nuk dallohet askush tjetër që mund të zinte vendin e tij; por që prej disa kohësh po përmendet emri Pinkwart (fjala është këtu për një tjetër politikan kryesor liberal). Pinkwart-it i duhet të fitojë fillimisht zgjedhjet në landin e tij Renania Veriore, Vestfalia për të vazhduar të marrë pjesë në lojën e udhëheqjes së liberalëve. Si masë paraprake ai ka vendosur një lartësi matjeje për Westerwelle-n në prag të kongresit të partisë. Le të fitojë ky njëherë vetëm 80 për qind të votave në parti pa kandiduar edhe dikush tjetër. Edhe me ngarkesën e sindikatave ka të drejtë Westerwelle, thotë Pinkwart dhe bën so shok i mirë.

Po për të njëjtën temë në gazetën tjetër Frankfurter Rundschau lexojmë:

Para së gjithash kongresi i Partisë Liberale do të jetë test lakmusi për kryetarin e saj. Vëmendja do të drejtohet tek ajo se në ç'masë do të pranohet Westerwelle si figurë udhëheqëse; se a do ta dobësojë Westerwelle-n këmbëngulja tepër gjatë për Cornelia Pieper-in si sekretare e përgjithshme e pazonja, se a do ta rëndojë beteja për politikën e jashtme me rivalin e tij të përhershëm Gerhardt. Vetëm një kryetar liberal i fortë në radhët e veta do të jetë në gjendje të ngrihet dhe të sfidojë me sukses Joschka Fischer-in. Këlni (ku do të mbahet kongresi i liberalëve) është nisja për një gare të gjatë. Kush pengohet atje do ta ketë të vështirë ta mbyllë me rezultat të mirë garën në 2006-ën (fjala është për zgjedhjet në nivel kombëtar që zhvillohen vitin e ardhshëm).

Me krahasimin e kritikës së kryetarit të Partisë Socialdemokrate Müntefering me fushatën e urrejtjes së nazistëve historiani nga Mynihu Michael Wolffsohn ka shkaktuar zemërim në këtë parti.

Gazeta tz e Mynihut shkruan:

Nuk ka rëndësi në je i një mendjeje apo jo me kritikën e Franz Müntefering-ut ndaj kapitalizmit: Me krahasimin e tij, megjithëse të çalë, të sipërmarrësve të papërgjegjshëm me karkalecat në këndvështrimin politik kryetari i Partisë Socialdemokrate mbeti brenda kufirit të së pranueshmes. Me këtë ai nuk mori në shënjestër individë të caktuar apo grupe të pambrojtura, por një problem politik. Por pikërisht këtë cak po e kalon profesori i ushtrisë gjermane nga Mynihu Michael Wolffsohn: Duke e ngarkuar Müntefering për kritikën e tij me propagandë naziste antihebreje. As drejtpërdrejt e as midis rreshtave nuk synonte Müntefering përkatësinë fetare të sipërmarrësve, por veprimet e tyre. Sulmi i Wolffsohn-it nuk është vetëm i pakëndshëm po edhe tepër i rrezikshëm: Duke marrë në mbrojtje pa qenë nevoja dhe me shumë zhurmë sipërmarrësit hebrenj është pikërisht ai që e kthen në temë përkatësinë fetare pas 60 vjetësh demokraci. Teoricienët e përbetimeve dhe neonazistët do t'ia dinë për faleminderit.

Po për këtë temë gazeta Hamburger Morgenpost komenton:

Deri tani ky debat i mërzitshëm për kapitalizmin ishte lodhës, sepse edhe daljae e Müntefering-ut me "karkalecat" dallohej që ishte shkruar me penë populiste dhe s'mund të ndihmonte në debatin që kishte ardhur koha të nisej, por më e vonëta që dje ky debat është bërë i padurueshëm. Një historian, i cili nuk ka rënë kurrë në sy për zbulime historike, por gjithnjë për provokime të trasha ia nxorri përfundimisht kuptimin këtij debati.