1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman

16 Gusht 2004

Vëmendja e gazetave të sotme gjermane i kushtohet temës themelore që ka pushtuar opinionin gjerman këto ditë, problematikën e reformave të njohura me emrin Harc IV si edhe kritikës që kancelari gjerman Shrëder ju drejtoi kritikuesve të tij lidhur me reformat

https://p.dw.com/p/Aryx
Gazeta gjermane
Gazeta gjermaneFotografi: dpa

Gazeta gjermane "Die Tagescajtung" lidhur me reformat Harc IV shkruan: "Kur të papunët për një kohë të gjatë duhet që qysh prej të vitit të ardhshëm të marrin shumë më pak mbështetje nga shteti, atëherë duhet që të pasurve për së paku të mos ju ulen taksat. Disa politikanë gjermanë kërkuan për këtë mosuljen e tatimit të rrogamarrësve të nivelit të lartë, si ishte parashikuar. Shefi i socialdemokratëve të landit të Saksonisë së Poshtme, Ditmar Gabriel ka kërkuar për këtë anullimin e vendimit për uljen e tatimeve të personave me rroga të larta nga 45% në 42%.
Demonstratat në Gjermani - vazhdon "Die Tagescajtung" po bëjne një gjë të qartë, që të varfrit në Gjermani po bëhen gjithnjë e më të varfër dhe se të pasurit nuk i prek kjo gjë. Askush veç organizatave bamirëse nuk po regjistron se shifra e atyre që jetojnë me asistencë në Gjermani po arrin kuotën e 3 milionë vetëve. Sëmundja gjermane nuk qëndron tek ulja e taksave për rrogamarrësit e nivelit të lartë por tek reformat gjysmake të papunësisë."

Gazeta "Nyrenberger Nahriqten" ndër të tjera thekson:

"Sa më shumë nervozitet tregon opozita, aq më të lehtë e ka kancelari Shrëder të atakojë atë. Me termin "Front popullor" -term ky nga koha e Luftës së Ftohtë, Shrëder ka shprehur përçmimin ndaj Unionit kristian demokrat gjerman, atëherë kur socialdemokratët bashkoheshin me PDS, partinë e socializmit demokratik. Tanimë Shrëder e merr këtë term duke luftuar Unionin me armët e veta dhe pasi Unioni, vetë ua ka vënë vulën reformave. Dhe kancelari e shpjegon shumë vonë, pse është i nevojshëm reformimi me emrin Harc IV. Duke përmendur se nuk ishte e drejtë që punonjës të paguar shumë keq, të bashkëfinanconin asistencat e larta që ju jepeshin akademikëve të papunë. Vetëm kështu Shrëder po siguron edhe një shans të fundit.


Ndërsa gazeta "Neu Presse" nga Hanoveri shkruan:

"Shrëderi ka ndryshuar, ndërkohë kemi një kancelar të hekurt. Tanimë nuk ndjehet më butësia populiste, me të cilën Shrëderi reagoi në kohën e katastrofës së përmbytjes në Gjermaninë lindore. Tanimë zotëron sërish atmosferë alarmi në Lindjen gjermane, nicht nga përmbytja por nga reformat Harc IV. Dhe vala e zhgënjimit të njerëzve është këtë herë më e rrezikshme se sa dalja e lumit nga shtrati."


Ndërsa revista gjermane "Stern" krahas informacioneve se sot priten në Gjermani demonstrata kundër reformave Harc IV në 90 qytete perifrazon formulën fetare, "bukën e përditshme falna sot":

"Harci ynë i përditshëm na jep sot: Pavarësisht lëshimeve të qeverisë edhe sot do të vazhdojnë demonstratat dhe politikanët? Ata do të vazhdojnë t'i hedhin fajin njëri tjetrit dhe të na mbulojnë me propozime për zgjidhjen e çështjes."


Ndryshojmë temë:
100 vjet pas betejës në Vaterberg, Ministrja gjermane për ndihmën vendeve në zhvillim, Vicorek Cojl kërkoi falje për masakrat gjermane ndaj kryengritësve Herero, në fillim të shekullit të njëzetë. Në gazetën gjermane "Frankfurter Allgemajne Cajtung" për këtë shkruhet se Vicorek Cojl ishte e para nga politikanët gjermanë që kërkoi falje para popullit të mbledhur. "Ne gjermanët e njohim përgjegjësinë tonë historike politike dhe etikomorale dhe e marrim përsipër atë krim që kryen gjermanët atëherë. Prandaj, ju lutem në emër të atit tonë të shenjtë të përbashkët, për faljen e fajit tonë. Masakrat e vitit 1904 katëgorizohen si gjenocid në kohën e sotme."
Por Cojl bëri të qartë se qeveria gjermane nuk do të hapë rrugën për dëmshpërblime të mundshme të përfolura.

Temë tjetër në gazetat gjermane sot është edhe mbledhja kuvendit kombëtar irakian në Bagdad për të diskutuar mbi të ardhmen e vendit e.


Gazeta gjermane "Zyddojçe Cajtung" komenton:

"Konferenca çalon në dy pika: Nga njëra anë mundësitë e Këshillit të ardhshëm kombëtar i cili pritet të zgjidhet si organ kontrolli i qeverisë së përkohshme, mbeten të kufizuara. Nga ana tjetër grupet radikalë si lëvizja shiite e Muktada Al Sadrit dhe këshilli sunit i akademikëve të së drejtës së islamit kanë refuzuar pjesëmarrjen e tyre. Ata kanë zgjedhur rrugën e resistencës frontale ndaj amerikanëve. Kështu që ajo që mund të fitohet në Bagdad do të shkatërrohet në Naxhaf ose Samarra."