1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SHTYPI I HUAJ PER GJENDJEN POLITIKE NE GJERMANI

(AD)3 Tetor 2004
https://p.dw.com/p/AryK
Kancelari gjerman Gerhard Schröder dhe kryetarja e CDU-së, Angela Merkel
Kancelari gjerman Gerhard Schröder dhe kryetarja e CDU-së, Angela MerkelFotografi: AP

Në pasqyrën e sotme të shtypit do të trajtojmë vlerësime që ka dhënë këtë javë shtypi i huaj për gjendjen politike në Gjermani.

Gazeta britanike, FINANCIAL TIMES që botohet në Londër shkruan përballë rezultateve në zgjedhjet e landit të Nordrajn-Vestfalisë:

" Partia socialdemokrate e kancelarit Gerhard Shrëder duket se arriti ta ndalë tatëpjetën e saj. Po të vështrosh rezultatet e zgjedhjeve në Nordrajn-Vestfali së bashku me ato në dy landet lindore Saksoni dhe Brandenburg, ato flasin se popullariteti i kristjandemokratëve të Angela Merkelit e ka lënë pikën kulmore. Kthesa që pritej prej kohësh - për aq sa mund të quhet kthesë- mund t'ia vështirësojë Merkelit të sigurojë për vitin 2006 kandidaturën për kancelare."

Kjo në një kohë kur konkurentët e saj po trokasin patkonjtë me padurim, shkruan gazeta italiane LA REPUBLICA që del në Romë:


"Gerhard Shrëderi, strategu që kalkon në periudha afatgjata, bazohet në dy faktorë për të siguruar një mandat të tretë. Së pari në një rigjallërim të ekonomisë. Së dyti, në një krizë në krye të partisë kristjandemokrate. Angela Merkel nuk është më udhëheqësja e padiskutueshme. Tani në luftë dalin rivalët e saj për kandidaturën e kancelarit më 2006. Nga Bavaria ata janë Edmund Stojberi, nga Heseni, Roland Koh-u dhe nga Saksonia e Poshtme, Kristjan Vulfi. Loja është e hapur në një Berlin të bërë jostabil."


Edhe gazeta që del në Kopenhagen, BERLINGSKE TIGENDE mendon:

"Rezultati rithekson tendencën që u pa edhe në zgjedhjet në Brandenburg dhe në Saksoni, ku të dyja partitë e mëdha shënuan humbje. Rezultati i dobët duket se është reagim i lëkundjeve në udhëheqjen e partisë dhe të mesazheve të paqarta për politikën e tregut të punës dhe reformën shëndetësore. Sepse, fakti që partitë e vogla si të Gjelbrit dhe liberalët në Nordrajn-Vestfali shënuan rritje të lehta, ka të bëjë ndoshta me faktin se ato u folën hapur zgjedhësve. Asnjëra nga dy partitë e mëdha nuk ka shkas për të brohoritur, megjithëse të dyja hiqen sikur të kishin."

Aq më pak socialdemokratët, mendon gazeta britanike THE GUARDIAN:

"Kancelari socialdemokrat gjerman Gerhard Shrëder shënoi një disfatë dekurajuese në kështjellën tradicionale të partisë së tij. E vetmja rreze drite për Shrëderin është që edhe fituesit e zgjedhjeve, kristjandemokratët opozitarë, humbën mbështetje. Shrëderi po lëpin plakët pas një serie disfatash, seri që argumentonte prognozën e deritashme se pas dy vjetësh ai do t'i humbasë zgjedhjet."

shënon GUARDIAN nga Londra, pa humbur nga sytë tendencën e përgjithshme:

"Ekspertët dhe anketuesit tani po i rimendojnë analizat e tyre. Ata tërheqin vëmendjen se koalicioni i Shrëderit duket se po e zvogëlon distancën me CDU-në dhe me Liberalët. Shkaku kryesor për pakënaqësinë e deritashme ndaj Shrëderit ishin shkurtimet që Shrëderi i bëri subvencioneve për të papunët. Por tani, kur zgjedhësit gradualisht po e kuptojnë se opozita konservatore mund të ndërmerrte reforma edhe më të mëdha, ose të bënte edhe më shumë shkurtime, mendimi publik po spostohet ngadalë në të mirë të Shrëderit."

Megjithë tendencat që po përvijohen, gazeta DER STANDARD që del në Vjenë tërheq vëmendjen:

"Kancelari Gerhard Shrëder dhe kolegët e kabinetit të tij si dhe socialdemokratët dhe të Gjelbrit do të maten nga populli me atë nëse masat e tyre do të cojnë me të vërtetë në një reduktim të papunësisë. Kjo është edhe cështja kardinale për zgjedhjet e ardhshme. Nuk mjafton më që ti varësh shpresat në clodhjen konjukturore. Kanë kaluar kohët kur më shumë rritje ekonomike ishin të barabarta automatikisht me më shumë vende pune. Opozitës do t'i duhet të vërtetojë se ajo ka koncepte më të mira."

Përmbledhjen e të gjitha vlerësimeve e bën INTERNATIONAL HERALD TRIBUNE:

"Cështja që shtrohet për Gjermaninë nuk është se kush do të bëhet kancelar, Shrëderi apo Merkeli apo dikush tjetër. Por nëse ky vend, më i madhi i Evropës, do të mund të rifitojë besimin në vetvete, atë që e ka humbur në katër vjet të krizës politike dhe ekonomike. Ky vend ku populli do më shumë se kurrë reforma, por ku ai e ndëshkon atë parti që i con përpara këto reforma."