1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi javor evropian

26 Qershor 2005

Kryesisht me shpoti e ligësi, por jo krejt duke varur kryet, reaguan këtë javë komentatorët e shtypit jogjerman ndaj dështimit të takimit të Bashkimit Evropian. Megjithëse edhe i kritikuar kryeministri britanik Tony Blair shihet si mjeku potencial që mund t'i japë "Evropës së sëmurë" ilaçin e duhur; sepse, siç shkruan një gazetë luksemburgase, nga pikëpamja mjeksore vendimi për pushimin e të menduarit deri në vitin 2007 do të thotë në fakt vdekje klinike.

https://p.dw.com/p/Arux

Belgja Libération mendon:

"'Elektroshoku' për të cilin u përbe shumë vetë pas refuzimit të kushtetutës evropiane, i cili do t'i jepte Evropës hov të ri e ide të freskta, nuk ndodhi. Në vend të tij pati një ndërprerje të përgjithshme të rrymës dhe në vend të ustait polak Bashkimi Evropian u bë tani me një elektricist britanik. E ku mbetet tani kushtetuta evropiane? Vënia e saj në frigorifer deri në vitin 2007 bën të dyshosh për një internim përfundimtar në ngrirje."

Hollandezja De Volkskrant sheh nevojën për veprim nga ana e krerëve të shteteve dhe qeverive evropiane:

"Serioziteti i gjendjes nuk duhet nënvlerësuar. Pikërisht për këtë arsye shpresojmë që krerë të aftë qeverish të ruajnë gjakftohtësinë dhe të mos e keqësojnë gjendjen duke bombarduar njëri-tjetrin me akuza, siç kanë bërë tashmë disa pas takimit të nivelit të lartë. Pauza e të menduarit për të cilën u morrën vesh nuk duhet të kthehet në kohë rrudhje turinjsh.

Me rolin thuajse "heroik" të shteteve të reja anëtare të Bashkimit Evropian për ta shpëtuar në fund samitin merret gazeta Luxemburger Wort:

"'Evropa e re' (një term ky i përdorur nga ministri amerikan i mbrojtjes Donald Rumsfeld) i dha Evropës së vjetër një mësim mbresëlënës në fushën e solidaritetit. Për ta shpëtuar megjithatë paketën financiare 870 miliardëshe të presidentit të radhës të Këshillit Evropian (Jean-Claude) Juncker krerët e shteteve të reja u ngritën njëri pas tjetrit dhe deklaruan se vendi i tyre ishte i gatshëm të hiqte dorë nga një pjesë e parave të parashikuara për ta! Një veprim i pashembullt! Më kot?"

Edhe më qartë shprehet Salzburger Nachrichten:

"Tani, një vit pas pranimit të Polonisë dhe të të tjerëve po tregohet se janë të vjetrit ata që rendin pas çdo qindarke sikur të bëhej fjalë për mbijetesë të mirëfilltë. Kjo makutëri nuk është as e këndshme e as e bukur, ajo është vetëm për të ardhur turp."

Megjithatë tek njëri prej të vjetërve, kryeministri britanik Blair, varen kryesisht shpresat për ta nxjerrë nga ngecja Bashkimin Evropian gjatë presidencës britanike të radhës:

Kështu polakja Gazeta Wyborcza mendon:

"Tony Blair e ka dëshmuar disa herë se ka bindje të thella dhe vizione të guximshme. Ai jo vetëm flet, por edhe vë në jetë... (Por) tani Bashkimi Evropian është paralizuar prej pasigurisë se si do të vazhdojnë punët e përditshme. Blair ka një gjysmë viti kohë për të treguar se nuk është vetëm vizionar, por edhe krijues i një kompromisi evropian."

Neue Zürcher Zeitung shkruan:

"I shumëcituari kohët e fundit model anglosakson, me anë të të cilit Chirac dhe Schröder u përpoqën t'u fusin qytetarëve frikë të turbullt, mund të ktheht në fund në një shtytje frymëzuese për Bashkimin Evrpian që kërkon orientim... Pas dështimit të qartë të projektkushtetutës Bashkimi Evropian në tërësi ka nevojë për caktimin e një synimi të ri, më realist."

Në këtë kuadër prej komentatorëve të ndryshëm Blair-it i jepen receta:

Kështu francezja Figaro mendon:

"Për ta rifituar lirinë e veprimit Bashkimi Evropian duhet të ripërcaktojë projektin e vet. Që prej 50 vjetësh për këtë ka pasur dy ide drejtuese: atë të thellimit dhe atë të zgjerimit. Të dy këto shtylla duhen ndërtuar përsëri."

Gazeta rajonale franceze "Nord Eclair" kalon në sarkazëm:

"Para pak kohësh u shfaq në televizion një gazetar anglez që u shkul së qeshuri dhe bëri pyetjen nëse francezët donin "lopë apo tru". Për këtë mund të ketë vetëm një përgjigje: 'Të dyja, Sir"'."