1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi ndërkombëtar i javës

Günther Birkenstock13 Gusht 2006

Temat: Atentatet e dështuara terroriste në Londër dhe konflikti në Liban

https://p.dw.com/p/AroT
Atentatet e planifikuara në Londër rizgjojnë frikën e terrorizmit global
Atentatet e planifikuara në Londër rizgjojnë frikën e terrorizmit globalFotografi: AP

Forcat britanike të sigurisë me një mision të gjerë anti terror arritën të pengojnë këtë javë atentate kundër avionëve të pasagjerëve që do të fluturonin nga Londra në SHBA. Suksesi i punës hetimore dhe kërcënimi i bërë dhe një herë i qartë nga terroristët ishin në qendër të komenteve të shumë gazetave të huaja. Një temë tjetër janë sfondi dhe pasojat e luftimeve që vazhdojnë në Liban.

Gazeta Luxemburger Wort mbi atentatet e planifikuara kundër avionëve të pasagjerëve shkruan: "Ky është në fakt lajmi më i keq i suksesit të hetimeve të djeshme: atentatorët vetëvrasës gjenden mes nesh. Receta të përgjithshme kundër oktapodit terror nuk ka. Por një politikë e vendosur dhe aktive paqësore e perëndimi në Lindjen e Afërme mund të kontribuonte të paktën për t'i dhënë një perspektivë zhvillimi këtij rajoni kaq vendimtar për paqen në botë."

Gazeta Rzeczpospolita që del në Varshavë thekson se vetëm me më shumë unitet të bashkësisë ndërkombëtare mund të parandalohet terrori: "Prej vitesh dëgjojmë të përsëritet se terrorizmi ndërkombëtar mund të kapërcehet vetëm përmes përpjekjeve të përbashkëta. E megjithatë në praktikë predominojnë ndryshimet në interesa. Nuk ka asnjë kompromis për politikën ndaj Irakut, Iranit apo Palestinës. Veç kësaj perpleksiteti i bashkësisë ndërkombëtare sa vjen e shtohet... Drama në Liban është shembulli më i mirë. Për sa kohë do të jetë kështu, të gjithë jemi të dënuar të jetojmë në frikën e vazhdueshme të terrorit global."

Liberation që del në Paris analizon strukturën e grupeve terroriste:"Versioni shiit frymëzon kandidatët e martirizimit në Liban. Versioni sunit zgjeron rrjetin nën emrin Al Kaida. Të dyja këto lëvizje islamike janë në të njëjtën kohë armike dhe të ngjashme. Ndoshta grupi i Londrës donte të forconte efektet e konfliktit të Libanit ose të dëmtonte prestigjin në rritje të konkurrencës shiite. Por kjo nuk është e rëndësishme. Politika agresive e Bushit e bën problemin më të komplikuar por nuk e zgjidh. Një zgjidhje e çështjes së Lindjes së Afërme është më shumë se e dëshiruar por ajo nuk do të zhdukte të gjitha tensionet nga buron ky terrorizëm. Një arsye më shumë kjo që të mësojmë të jetojmë me të."

Dhe së fundi gazeta italiane La Republica që del në Romë e sheh botën të kërcënuar nga një brez i ri terroristësh që nuk përputhen me skemën e zakonshme: "Ishte vërtet shumë më e thjeshtë dhe e rehatshme të luftoje kundër të ashtuquajturave shtete kopuke. Por ajo që na ngjall sot frikën janë kopukët e veçantë, individët kopukë, ata të cilët nuk janë patjetër të pasur apo aventureskë si Osama bin Laden dhe as guerilas profesionistë apo shëtitës të botës si ai. Sot bëhet fjalë për një lloj terroristi artizanal i cili mund të jetojë në ndonjë luginë në Pakistan por edhe në ndonjë perfieri të Londrës."

Një tjetër temë e shumë prej komenteve të gazetave të huaja janë luftimet që vazhdojnë në Liban dhe sfondi e pasojat e tyre.

La Republica ia kushton rradhët e saj rolit të SHBA në konfliktin në Lindjen e Afërme: "Në vitin 1973, kur Ariel Sharon kapërcentë Kanalin e Suezit dhe ushtria e Sadatit ishte në prag të disfatës, Nikson dhe Kisinxher e ndaluan ofensivën izraelite. Pesë vjet më vonë Izraeli dhe Egjipti nënshkruan në Kemp Dejvid atë marrëveshje e cila për shumë vjet me rradhë ka garantuar paqen reale mes shtetit të Izraelit dhe kombit më të rëndësishëm arab. Këtë lloj paqeje Amerika sot nuk është më në gjendje ta arrijë pasi ka hequr dorë nga roli i saj si ndërmjetës i ndershëm dhe nxitës i fuqishëm paqeje mes palëve ndërluftuese për të ndjekur objektivin e ndryshimit të pushtetit me dhunë."

Ndërsa sipas gazetës londineze The Guardian sulmet e Izralit në Liban synojnë edhe Iranin: "Ajo çfarë solli ushtrinë izraelite në Libanin e Jugut nuk ishte thjesht pengmarrja e ushtarëve të saj dhe kërcënimi nga raketat e Hizbollahut ... Me shumë gjasa ishte mundësia për t'i dhënë Iranit një goditje të fortë përmes shkatërrimit të grupit që e përfaqëson në Liban. I njëjti impul ka shtyrë me siguri edhe SHBA dhe Britaninë e Madhe për të groposur çdo orvatje diplomatike që do të sillte një përfundim të shpejtë të luftimeve."