1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi ndërkombëtar për Gjermaninë gjatë javës

Stephan Stickelmann28 Gusht 2005

Shumë të përditshme të huaja komentojnë vendimin e gjykatës kushtetuese të Gjermanisë për të rrëzuar paditë kundër zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare më 18 shtator. Por shtypi i huaj trajton edhe fushatën zgjedhore në Gjermani me të gjitha detajet e saj. Një tjetër temë është nderimi nga qeveria çeke i kundërshtarëve të nacionalsocializmit, gjermanë të sudeteve.

https://p.dw.com/p/Aru4
Trupi gjykues që rrëzoi padinë e dy deputetëve kundër zgjedhjeve të parakohshme
Trupi gjykues që rrëzoi padinë e dy deputetëve kundër zgjedhjeve të parakohshmeFotografi: AP

Lidhur me vendimin e gjykatësve në Karlsruhe në Basler Zeitung lexojmë:

"Vendimi i marrë nga gjykata kushtetuese gjermane nuk është i papritur. Në fakt ekspertët e të drejtës kushtetuess tërhoqën vërejtjen se votëbesimi i kancelarit nuk ishte "i vërtetë", por paralajmërimet e tyre për të mos e mbingarkuar ligjin kushtetues mbetën pa u dëgjuar, sepse që në vendimin e presidentit Horst Köhler vlente një tjetër masë për të gjykuar rrugën që ndoqi kancelari Schröder drejt zgjedhjeve të reja. Jo argumentet ligjore, por detyrimet politike luajtën rol vendimtar tek Köhleri e edhe në Karlsruhe. Motorri i zgjedhjeve po punon me fuqi të plotë; ta ndalësh atë tani do të thotë ta zhysësh Gjermaninë në kaos politik."

Zviceranja tjetër Neue Zürcher Zeitung plotëson:

"Por në këtë mënyrë ka ndodhur një hollim të përmbajtjes së nenit 68 të kushtetutës, duke qenë se ky mund të përdoret në të ardhmen qëllimisht për shpërndarjen e parlamentit. Kështu bëhet shumë e qartë se me çfarë lakueshmërie veproi në vendimin e vet të fundit gjykata. Klasa politike mund ta përshëndesë këtë hap e t'i përkushtohet tani me të gjitha forcat betejës zgjedhore, por vendimi i Karlsruhes lë megjithatë një shije të keqe tek shumë qytetarë."

Ndërrojmë temë duke cituar zërat e huaj për vetë fushatën zgjedhore. Francezja La Tribune e lidh temën me gjendjen ekonomike të Gjermanisë:

"Të dhënat për ekonominë gjermane janë si një fllad i lehtë pranveror, ende jo arsye për tu gëzuar shumë. Shenjat e para të një hovi ekonomik dallohen në një ekonomi e cila ka vuajtur veçanërisht. Në pjesën më të madhe shifrat i dedikohen ndikimeve pozitive të rekordeve të Gjermanisë në eksport, e cila jo më kot është kampione bote në këtë fushë. Por veç kësaj mund të dallohen edhe efektet e para të serisë së reformave strukturore të nisura nga Gerhard Schröderi në vitin 2003 për t'i ulur barrën shtetit të mirëqenies. Këto janë reformat që majin e kaluar i sollën kancelarit humbjen historike në zgjedhjet në landin Renania veriore Vestfalia. Në këtë mënyrë Schröderi nuk do të kishte fat në qoftë se do të humbte tani kundër Partisë Kristiandemokrate të Angela Merkelit. Guximi politik rrallë herë shpërblehet."

Vienezja Standard shkruan:

"Unë nuk mund të vazhdoj më me koalicionin kuqegjelbër, ndaj më zgjidhni mua në mënyrë që të vazhdoj me koalicionin kuqegjelbër: kështu tingëllon lutja sa e çuditshme aq edhe e dëshpëruar e kancelarit Schröder. Se sa pak të gatshëm janë gjermanët që të pranojnë këtë përgjërim kundërthënës, këtë e tregojnë anketimet. Tek bashkimi kristiandemokrat-kristiansocial buzëqesh në fakt e kënaqur kandidatja për kancelare dhe vlerat në anketime ndriçojnë si drita në natë, por vizion nuk ka as në radhët e këtij bashkimi. Kuqegjelbër dështoi, tani e kemi radhën ne: kjo formulë i mjafton CDU/CSU-së për të arsyetuar ndryshimin e synuar të pushtetit. Çfarë dallimi në krahasim me 1998-ën, kur kuqegjelbër u nis me qëllimin për ta transformuar republikën edhe në rrafshin politiko-shoqëror. Në fillim të detyrës së tij si kancelar Helmut Kohli ishte entuziast për kthesën mendore e morale. Angela Merkel, e cila ka mbështetur reforma të dhimbshme si Hartz IV apo taksa për klinikat mjekësore, thotë vetëm: Ne e bëjmë punën më mirë. Nuk është çudi që në Gjermani ende shumë zgjedhës janë të pavendosur."

Edhe një herë ndryshojmë temë. Gazeta Pravo e Pragës trajton vlerësimin pozitiv të luftëtarëve të rezistencës gjermanë sudetë nga ana e qeverisë çeke:

"Opozita konservatore përpiqet t'i bindë çekët, se gjesti humanitar kundrejt antifashistëve, i planifikuar nga qeveria socialliberale, është një zhdëmtim i të dëbuarve të pasluftës. Përkundrazi, ky gjest është një akt ndershmërie parimore, njerëzore, të cilin qeveria çeke duhet ta kishte kryer me kohë. Megjithëse dekretet e Beneshit pas Luftës II Botërore duhet t'i kishin mbrojtur luftëtarët e rezistencës gjermanë sudetë si antifashistë, praktika ishte e kundërta. Gjermanja është gjermane, pra përjashta nga Çekosllovakia. Më shumë se gjysmë shekulli mëvonë kryeministri Jiri Paroubek kërkon së paku t'i falënderojë këta njerëz. Do të përgatitet edhe një dokumentacion mbi veprimtarinë e tyre, në mënyrë që të mos harrohet."