1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shumë armë zjarri në duart e civilëve në Kosovë

Bekim Shehu2 Janar 2006

Zyrtarë të policisë në Kosovë, thonë se do të merren masa ndaj të gjithë atyre që kanë përdorur armët e zjarrit

https://p.dw.com/p/AqrU
Kfori në Kosovë
Kfori në KosovëFotografi: AP

Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në një nga rrugët e Prishtinës është gjetur i vrarë me armë zjarri një person, njoftojnë zyrtarë të policisë. Identiteti i personit të vrarë nuk dihet, sikundër nuk dihen as rrethanat e vrasjes. Policia akoma nuk është në gjendje të thotë nëse kjo vrasje ka ndodhur aksidentalisht nga të shtënat e pakontrollura të armëve të zjarrit për festën e vitit të ri apo është ndonjë sulm i qëllimshëm. Megjithatë, përveç këtij rasti, zyrtarë të policisë në Kosovë, thonë se festimet për vitin e ri, në tërë rajonin e Kosovës kanë kaluar pa ndonjë incident serioz, ndonëse, janë përdorur shumë mjetet plasëse por edhe armët të zjarrit në momentin e ndërrimit të motmoteve. Policia më herët me një urdhër pati ndaluar përdorimin e mjetëve plasëse, sikundër që është e ndaluar edhe armëmbajtja pa leje. Por, nata e ndërrimit të motmoteve tregoi se ky urdhër nuk u përfill dhe poashtu u pa se një numër i madh armësh pa leje vazhdojnë të mbesin në duart e qytetarëve. Sabrie Kamberi, zëdhënëse e SHPK-së kritikon përdorimin e armëve të zjarrit në raste festash: "Nuk është e rrugës që të përdoren këto armë zjarri pasi ato janë të rrezikshme edhe për ata që i përdorin ato dhe për rrethin. Kështu që do të merren masa ndaj atyre që kanë përdorur armët e zjarrit. Megjithatë edhe pse ka qenë festë është dashur të kenë kujdes. Sigurisht që do të ngrihen procedura ndaj atyre personave dhe gjykata do të vendosë më tej se çfarë do të bëhet me ta."

Sidoqoftë, ditët e para të këtij viti në Kosovë do të jenë të zbehta për nga aktiviteti politik, për shkak të pushimeve të festës, por jo i gjithë muaji Janar. Pothuaj të gjitha mesazhet e udhëheqësve të këtushëm për festën e vitit të ri, janë karakterizuar me dëshirën për realizimin e pavarësisë së Kosovës gjatë vitit 2006.

Procesi i bisedimeve të drejpërdrejta për statusin final të vendit dhe formave të realizimit të tij, pritet të fillojë në fund të janarit. Kjo pritet të ndodhë në Vjenë të Austrisë, me takimin e parë në mes të Ministrit të Pushtetit Lokal në qeverinë e Kosovës, Lutfi Haziri dhe homologut të tij nga Beogradi, Zoran Llonqar. Në këtë takim do të diskutohet çështja e decentralizimit edhe pse pala shqiptare disa herë është shprehur, se do të dëgjohen edhe mendimet e të tjerëve, por, reforma e pushtetit lokal sipas tyre, do të mbetet çështje e brendshme e institucioneve të Kosovës.