1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Shuplakë për Bundestagun!" - Ligji gjerman për urdhërr-arrestin evropian është në kundravajtje me kushtetutën gjermane

Bernd Volf / Karlsruhe18 Korrik 2005

Me shumë interes u prit si në Berlin ashtu edhe në Bruksel vendimi i gjykatës më të lartë gjermane për urdhërarrestin e Bashkimit Evropian. Ngritësi i padisë ishte një gjerman me prejardhje siriane, i cili duhej t’u dorëzohej autoriteteve spanjolle, me akuzën për mbështetje të rrjetit terrorist të Al-Kaidës.

https://p.dw.com/p/Ar3C
Gjermano-siriani, Mamoun Darkazanli, nuk do te dergohet ne Spanje
Gjermano-siriani, Mamoun Darkazanli, nuk do te dergohet ne SpanjeFotografi: AP

Ligji për urdhërarrestin evropian, ashtu siç është miratuar para gati një viti e gjysmë nga Bundetagu, shkel kushtetutën gjermane, ka thënë të hënën Gjykata Kushtetuese Gjermane. Ky ligj shkel të drejtën themelore të çdo shtetasi gjerman për të mos u dërguar jashtë shtetit. Derisa Bundestagu të marrë një vendim të ri, asnjë gjerman nuk lejohet të dërgohet jashtë.

Para së gjithash, Gjykata ka kritikuar faktin, që zbatimi i vendimit kornizë të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian për urdhërr-arrestin nuk i ka respektuar të drejtat themelore të shtetasve gjermanë në masën e mundshme. Meqënëse ligji për urdhërarrestin e Bashkimit Evropian, duke filluar që nga dita e hënë është bërë i pavlefshëm, të 66 faqet me të cilat është argumentuar vendimi i gjyqit, mund t’i shërbejnë tani si këshilla, deputetëve të Bundestagut Gjerman.

Gjykata Kushtetuese nuk e përjashton mundësinë e dërëzimit të shtetasve gjermanë jashtë shtetit. Në një Evropë që sa vjen e zmadhohet e që ndodhet vazhdimisht nën kërcënimin e sulmeve terroriste, shtetet e Bashkimit Evropian dhe sistemet e tyre ligjore duhet të hapen ndaj njëra-tjetrës. Por kjo do të duhet të ndodhë duke ruajtur në masë sa më të madhe të drejtat themelore.

Apeli i kryetarit të gjykatës Vinfrid Hasemer drejtuar legjislativit është: "Garancia e sistemit juridik përbën parakusht thelbësor të lirisë, të vetëvendosjes për planet e jetës dhe realizimit të këtij."

Ligjvënënësi duhet të ndalojë që një gjerman që kryen dënime penale në Gjermani, të dorëzohet jashtë shtetit. Kaq larg nuk ka të drejtë të shkojë asnjë ligj evropian për urdhërarrestin. Vinfrid Hasemer është shprehur më tej, se "për të përndjekurin dorëzimi në një sistem tjetër juridik, sado i afërt që të jetë ai, e disfavorizon atë, jo vetëm për shkak të pengesave gjuhësore, por edhe dallimeve kulturore e atyre juridike."

Ndryshe qendron puna, kur një gjerman kryen vepra penale jashtë shtetit. Në mënyrë të veçantë ai do të mund të llogarisë me dërgimin jashtë shtetit, kur mbas kryerjes së veprës penale do të kërkonte strehim në Gjermani.

Një tjetër këshillë merr parlamenti për përpunimin e ligjit të ri: Në rast se vërtetë një shtetas gjerman dorëzohet në një vend tjetër, organet gjermane duhet të survejojnë në çdo rast konkret, se a respetkohen të drejtat e tij. Këtë klauzolë kishin harruar ta përfshinin deputetët kur miratuan variantin e ligjit, që tashmë është shfuqizuar. Hans-Kristian Shtrëbele deputeti i vetëm i "Të Blertëve" me mandat të drejtëpërdrejtë i falenderohet gjykatës për vendimin e sotëm.

Shtrëbele: "Kjo është një shuplakë për të gjithë Bundetagun. Ligji është miratuar unanimisht si nga Bundetagu ashtu edhe nga Këshili Federal. Megjithë rezervat e mëdha ishim të gjithë të një mendimi, që vendimi i kornizë i be-së do të duhej të zbatohej pak a shumë në atë mënyrë. Tani e kemi të qartë: nuk lejohemi të nxjerrim ligje në kuader të Evropës që shkelin parimet e Kushtetutës."

Për ekonomistin gjermano- sirian, Mamoun Darkazanli, i cili kërkohej nga Spanja me akuzën për mbështetje të Al Kaidës, kjo do të thotë, që nuk ka pse të ketë frikë që do të dërgohet në Spanjë.