1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

030210 NATO Istanbul

3 Shkurt 2010

Sa ushtarë dhe trajnerë nevoiten në Afganistan dhe cila strategji është e e përshtatshme kundër talibanëve? Kjo do të jetë tema më e rëndësishme në takimin e ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në Stamboll.

https://p.dw.com/p/LrCY
Afganistani mbetet sfidë për NATO-n. Në foto: ushtarë gjermanë të ISAF-it në një fshat afgan
Afganistani mbetet sfidë për NATO-n. Në foto: ushtarë gjermanë të ISAF-it në një fshat afganFotografi: picture-alliance/ dpa

Afganistani mbetet një sfidë

Në fjalën e tij pak të vonuar të vitit të ri, më 1 shkurt, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen u përpoq të përhapte optimizëm:

“2010 do të jetë një vit vendimtar. Do të jetë vit sfide dhe do të ketë edhe shumë ditë të këqia. Por unë kam besim që me strategjinë, mjetet dhe bashkëpunimin që ne do të kemi, të shihen përparime të vërteta gjatë këtij viti”.

Me sfidë ai mendon para së gjithash misionin në Afganistan. Dhe kjo do të jetë edhe tema më e rëndësishme e konferencës së ministrave të mbrojtjes në Stamboll. Gjendja e sigurisë në Afganistan është e rëndë, misioni ushtarak në shumë vende anëtare të NATO-s është i diskutueshëm. Në konferencën për Afganistanin, që u zhvillua javën e kaluar në Londër u fol krejt hapur për një plan për tërheqjen e trupave. Hapur foli edhe ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle:

“ Ne duam të qëndrojmë jo përgjithmonë dhe jo tre ditë në Afganistan. Ne duam që në vitin 2010 të fillojmë nga procesi i dorëzimit rajonal të përgjegjësisë. Ne duam në vitin 2011 të fillojmë edhe kthimin e trupave tona, dhe në duam të jemi deri në vitin 2014 që të mundemi ti kalojmë përgjegjësinë komplet udhëheqjes afgane”, tha Westerwelle.

Presidenti afgan Hamid Karzai kërkon bashkëpunim me talibanët

Por Gjermania fillimisht do të shtojë numrin e trupave të saj. Dhe shtete të tjera po ashtu duan të dërgojnë trupa shtesë. Por në përgjithësi NATO-ja sot i jep më shumë rëndësi ndërtimit civil dhe trajnimit të forcave afgane të sigurisë. Presidenti afgan Hamid Karzai ishte shprehur po ashtu në Londër për atë që të bashkëpunohet me talibanët, që janë kundër dhunës.


“Ne duhet t'u shtrijmë dorën të gjithë bashkëkombasve tanë, para së gjithash vëllezërve të tanë që qëndrojnë larg, të cilët nuk i përkasin Al Kaidës ose organizatave të tjera terroriste, që respektojnë kushtetutën afgane”.

Shumë komandantë të NATO-s që gjenden në Afganistan e shohin këtë gjë me skepticizëm. Kryekomandanti i trupave ndërkombëtare në Afganistan, Stanley McChrystal, para pak ditësh paraqiti në Kabul një lloj plani udhërrëfyes për një fitore ushtarake.

“Unë jam i bindur që ne mund ta arijmë , absolutisht i bindur që ne do ta arrijmë . Deri në dhjetorin e ardhshëm ne do të dëshmojmë me fakte të ashpra dhe shifra një përparim të vërtetë dhe mund të themi: Këtu çdo gjë e kemi tani nën kontroll. Dhe deri në verën e 2011-tës do të ketë mjaft përparime, që edhe afganët do ta besojnë, para së gjithash talibanët atëherë do ta marrin vesh që ata nuk do të fitojnë”.

Por fshehurazi jo çdo përfaqësues i NATO-s është i sigurtë që lufta kundër talibanëve është në përgjithësi e fituar.

Raportet me Rusinë në fokus

Në Kosovë është ndryshe. Aty udhëheqja e NATO-s që e sheh gjendjen tani të qëndrueshme dhe dëshiron ta reduktojë numrin e trupave në 10.000 ushtarë, duke tërhequr 3000 ushtarë.

Një tjetër temë në Stamboll do të jenë raportet me Rusinë. Megjithë diferencat në mendime për Kaukazin, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Rasmussen, u shpreh për një bashkëpunim të mëtejshëm për zgjidhjen e përbashkët të problemeve të sigurisë në gjithë botën.

Në përfundim, ministrat e mbrojtjes pjesëmarrës në takimin e NATO-s do të flasin edhe për temën e rëndësishme të avionëve transportues ushtarakë A400M. Për shkak të problemeve teknike me avionin, që prodhoi koncerni europian EADS, dorëzimi I prodhimeve të reja të avionëve të tillë është shtyrë për më shumë se tre vjet. Problemi që shtrohet tani është se kush do t'i paguajë tani shpenzimet shtesë. Ato arrijnë në miliarda euro.

Autor: Christoph Hasselbach/ Mimoza Cika- Kelmendi

Redaktoi: Auron Dodi