1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Si mund të dalë BE-ja nga kriza kushtetuese?

Christoph Hasselbach15 Qershor 2006

Shefat e shteveve dhe të qeverive të BE-së janë mbledhur në Bruksel për një takim dyditor. Në të ata do të shqyrtojnë hapat e parë për të dalë nga kriza kushtetuese e BE-së.

https://p.dw.com/p/ArAt
Kushtetuta e BE-së e bllokuar
Kushtetuta e BE-së e bllokuarFotografi: AP

Rrallëherë ka pasur ndonjë takim të BE-së që është shoqëruar me kaq pak shpresa. Shoku që shkaktoi jo-ja e francezëve dhe e holandezëve në referendumet për kushtetutën evropiane para një vitit vazhdon ta paralizojë edhe sot BE-në. Kancelari austriak, Wolfgang Schüssel, po përpiqet, në funksionin e tij si kryetar i radhës i BE-së, që t'i japë një lloj kuptimi këtij viti:

"Atëhere plasën ankesat e mëdha, s'kemi kushtetutë, s'kemi buxhet, s'kemi rregullore për sektorin e shërbimeve. Tani, një vit më vonë kemi dy milionë vende pune më tepër, kemi një buxhet për shtatë vitet e ardhshme, kemi një rregullore për sektorin e shërbimeve dhe jemi në rrugë të mbarë me projekte konkrete."

Kryetarët e shteveve dhe të qeverive të BE-së duan t'u thonë me këtë qytetarëve të tyre se e kanë kuptuar mesazhin. Schüssel thekson se shefat e shteteveve dhe të qeverive të BE-së dëshirojnë më tepër të arrijnë përmirësime konkrete për jetën e gjithkujt, sesa t'i sqarojnë qytetarët e BE-së për gjëra që tingëllojnë abstrakte, si p.sh. Kushtetuta e përbashkët evropiane.

Megjithatë të gjithë pjesëmarrësit e takimit e kanë të qartë, se që sot i përbërë prej 25 anëtarësh Bashkimi Evropian nuk është në gjendje të funksionojë më. Si do t'ia dalë një gjëje të tillë pas zgjerimeve të mëtejshme? Raundi i zgjerimit të BE-së me Rumaninë dhe Bullgarinë pritet të ndodhë vitin tjetër.

Tashmë Schüsseli dhe të tjerët nuk i kanë varur më shpresat tek Finlanda, e cila do të jetë presidentja e radhës e BE-së, por tek Gjermania e cila do ta ketë radhën ta drejtojë BE-në në gjysmën e parë të vitit 2007.

"Nën drejtimin e Gjermanisë duhet të përpiqemi të startojmë një përpjekje të re. Dhe në fund të fundit nën drejtimin e presidencës franceze në gjysmën e dytë të 2008 duhet të jetë marrë një vendim përfundimtar."

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka theksuar që tani se dëshiron ta pranojë këtë sfidë, por nuk ka sqaruar se si. Shumëkush është i mendimit se kjo detyrë nuk mund të zgjidhet në një periudhë të parashikueshme. Gjithësesi pak para fillimit të takimit të Brukselit diskutohej vetëm një temë, fitorja 1 me 0 e skuadrës gjermane ndaj asaj të Polonisë në Dortmund.

"Ndeshja më pëlqeu shumë. Fitorja 1:0 ishte e merituar dhe besoj se ishte jashtëzakonisht e rëndësishme edhe psikologjikisht." - tha kancelarja Merkel.

Mbështetje psikologjike do t'i duhet ndoshta edhe asaj gjatë takimit të shefave të shteveve dhe të qeverive të BE-së.