1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Si mund të reformohet Franca

Andreas Noll
16 Qershor 2017

Liberalizimet e tregut të punës, deri tani francezët i kanë kundërshtuar. Por Presidenti Macron tani do ta luftojë papunësinë pikërisht me reforma në tregun e punës. Sindikatat radikale kanë bërë thirrje për protesta.

https://p.dw.com/p/2eloH
Frankreich Paris Demonstration gegen Reformen 15.11.2014
Fotografi: Reuters/Gonzalo Fuentes

Në popull e duan, kryeministrin e ri - mbështetja në sondazhe, pak javë pas ardhjes në post është e lartë. Pak pas emërimit në post nga Presidenti i shtetit ai hidhet në "betejën për më shumë vende pune". Sindikatën e moderuar CFDT kryeministri as 50 vjeçar e ka pas vetes.

Kurë e dështuar globalizimi

Por pak javë më pas, era e ndryshon drejtimin: sindikatat radikale shpërthejnë në Francë një grevë të përgjithshme, me të cilën bashkohen pjesë të popullit. Tri javë të mundimshme në të gjithë vendin thuajse nuk udhëtojnë trena, posta nuk shpërndahet më, qytetet nuk pastrohen rregullisht. Në fund u desh të dilte ushtria nga kazermat për të garantuar të paktën një furnizim emergjent.

Atij që tani i vete mendja te Presidenti Macron dhe qeveria e tij, e ka gabim. Jemi në vitin 1995 dhe Franca është e përfshirë nga kaosi, kur kryeministri Alain Juppe kërkon t'i bëjë vendit "një kurë globalizimi" - për t'u tërhequr përballë pushtetit të rrugës nga planet e tij qendrore, siç qe shtyrja e daljes në pension.

Emmanuel Macroni në vitin 1995/1996 ndodhet pak para maturës. Kurse në pranverë 2006, ai sapo ka nisur punën në shtet, kur një qeveri tjetër sërish tërheq planet për reforma. Kryeministri konservator, Dominique de Villepin tërheq në këtë kohë një legjislacion të tregut të punës të miratuar nga Parlamenti, pasi në në të gjithë vendin shpërthejnë demonstrata studentësh dhe nxënësish.

Dialogu social tradicionalisht është i dobët

Vëzhguesit janë të të njëjtit mendim: të dyja planet reformuese dështuan jo vetëm në mungesën e vullnetit për reforma të francezëve, por edhe në gabime në komunikimin me njerëzit të qeverisë. "Francezëve u pëlqejnë që të lidhin shpresa të mëdha me shtetin, që ai ta plotësojë funksionin e tij mbrojtës në aspektin social", thotë politologia Julie Hamann nga Shoqëria Gjermane për Politikën e Jashtme (DGAP) në Berlin. "Sapo shpallen reforma, që mund të kërkojnë shkurtimin e shërbimeve sociale ose krijimin e një situatë të pasigurtë, zgjohen shumë shpejt frikëra shumë të mëdha dhe shumë emocionale".

Por Presidenti i ri dhe qeveria e tij i kanë shpallur reformat e thella prioritet të punës së tyre. Brenda një viti e gjysmë qeveria planifikon të vërë në fuqi gjashtë reforma të gjera sociale. Edhe kundër rezistencës së sindikatave radikale, të cilat kanë shpallur për të hënën e ardhshme aksionet e para të protestës. Politologia Hamann, e cila studion lëvizjen e protestës në Francë, megjithatë sheh një shans për agjendën reformuese: "Në përgjithësi në Francë, edhe tek sindikatat, mbizotëron bindja se reformat janë të nevojshme. Ekziston edhe vullneti për t'i zbatuar këto reforma".

Zhvendosje pushteti tek sindikatat

Qeverinë e ndihmon jo vetëm ndryshimi i mentalitetit pas 20 vjet përpjekjesh të dështuara për reforma. Edhe zhvendosja e pushtetit në kampin e sindikatave mendohet se do t'i thjeshtojë negociatat.

CGT-ja radikale, që prej dekadash ka qenë sindikata më e fortë në Francë, ka humbur shumë ndikim te punonjësit e moderuar. Ky kamp në parim është i gatshëm për të rënë dakord me Presidentin. Veç kësaj, Presidenti ka të drejtë të tërheqë vëmendjen në "mandatin për reforma", sepse shkurtimet masive ai i pati deklaruar që në fushatën elektorale.

Një luftë e hapur në rrugë, nuk mendohet se do të jetë ajo që do të mbizotërojë. "Çelësi konsiston në mënyrën si do të komunikojë qeveria dhe Presidenti Macron me partnerët e ndryshëm socialë dhe me popullin", kujton Hamann.