1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Si trajtohet në Rusi çështja e dosjeve të KGB-së?

Gazan Gusejnov19 Dhjetor 2003
https://p.dw.com/p/Aqvx
Qëkurse një ish-gjenral i KGB-së u zgjodh para 4 vjetësh president i Rusisë, puna në arkivat e shërbimit të dikurshëm të spiunazhit rus KGB është vështirësuar gjithnjë e më tepër.

Pas shëmbjes së BS në vitin 1991 KGB-ja e tmerrshme ruse, ka ndryshuar vetëm emrin. Sot ajo quhet FSB. Adresa ku gjenden zyrat e këtij institucioni sheshi Lubjanka tingëllon për veshët e rusëve edhe më e tmerrshme se sa emri i dikurshëm i këtij sheshi që quhej Sheshi Zhershinski.

Duhet thënë se KGB-ja kishte filluar me eleminimin e dosjeve shumë kohë përpara se Boris Jelsini të deklaronte në 1991 se arkivat e KGB-së ishin të hapura për opinionin publik. Sot në arkiv lejohet të hyjnë vetëm ata që kanë qenë viktima të raprezaljeve të periudhës së komunizimit, apo të afërmit e tyre. Të drejtë të kërkojnë në arkivat e KGB-së kanë edhe historianët, pro vetëm në rast se paraqesin një prokurë të lëshuar prej noterit - thotë Nikita Ohotin drejtor i programit "E drejta për t'u informuar" pranë organizatës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut "Memorial".

"Vitet e fundit kemi vënë re një zhvillim të ri. Nga dosje të ndryshme që i kemi parë para 10 vjetësh p.sh. shikojmë se sot mungojnë dokumenta dhe faqe të ndryshme. Ato thjesht janë grisur apo zhdukur nën pretekstin se kanë qenë të parëndësishme, apo që për to nuk është interesuar njeri." - thotö Ohodin.

Kurse Nikita Petrov, njö tjetör bashköpunötor i Memorial, thotë se është në gjendje që edhe ta dokumentojë zhdukjen sistematike të dokumentave prej arkivave të shërbimit sekret rus. Në një memorandum të botuar në fillim të viteve 90-të ai tërhiqte vëmendjen për zhdukjen e dosjeve që lidheshin me përndjekjen e disidentëve dhe mbajtësve të çmimit Nobel Andrej Sacharov dhe Aleksandër Solzhensin. KGB-ja kishte ngritur për ta një sektor të tërë. Vetëm për Sacharovin KGB-ja kishte 300 dosje. Edhe pse duket paradoksale është e vërtetë se sot është më e lehtë të dokumentosh historinë shërbimit sekret rus për periudhën e viteve 1930 apo 1940 se sa atë të periudhës së mëvonshme. Presidenti Putin e prapësoi dekretin e Jelsinit në lidhje me dokumentat që lejoheshin të shikoheshin prej publikut nëpër arkiva.

"Në vitin 1992 kur zhvillohej procesi në lidhje me moskushtetushmërinë e Partisë komuniste, u lejuan të shiheshin një numër i madh dosjesh ku dokumentoheshin raprezaljet dhe përndjekjet. Po ashtu u lejuan të shiheshin dokumenta tepër sekrete që përmbanin informacione tepër të sakta në lidhje me mbështetjen që u jepte Partia komuniste e ish-BE si dhe KGB-ja grupeve terroriste të majta në vendet perëndimore. Të gjitha këto dokumenta gjendeshin si kopje në Arkivin e Shtetit dhe mund t'i shikonte kushdo. Në vitin 2000 këto dokumenta u shpallën si dokumenta sekrete, edhe pse që prej kohës që ishin përpiluar kishin kaluar 30 vjetët që parashikon ligji. Të gjitha përpjekjet për t'u mbushur mendjen punonjësve të KGB-së se ky ishte një vendim i kotë për shkak se shumë prej këtyre dokumentave tepër sekrete ishin botuar tashmë, apo njiheshin prej studiuesve të ndryshme, nuk patën rezultat."