1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Siguria energjetike del në plan të parë për kryesinë gjermane të radhës në BE

Gerhard Irmler10 Janar 2007

Megjithëse e identifikuar tema u la për një kohë të gjatë pas dore

https://p.dw.com/p/Ar9D
Rafineria e naftes Druschba ne Mozyr
Rafineria e naftes Druschba ne MozyrFotografi: AP

Tema më e mprehtë e kryesisë gjermane në Bashkimin Evropian dihet tani: Siguria energjetike, konkurrenca energjetike, efikasiteti energjetik, një mbrojtje më e mirë e klimës. Këtu duhet të përqendrohet gjashtë muajt e ardhshëm vëmendja e Angela Merkelit. Si kryetare e radhës ajo duhet të përdorë të gjithë fuqinë në mënyrë që Bashkimi Evropian të trajtojë me konsekuencat dhe vendosmërinë e nevojshme problemin e shumanshëm dhe të vështirë të energjisë.

Samite si ai i krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së me presidentin rus Putin në Lahti për të njëjtën temë as që nevojiten për sa kohë shtetet anëtare nuk merren vesh për një koncept kuptimplotë energjetik dhe sillen sipas motos, në rast rreziku të shpëtojë kush të mundet. Ajo që i duhet Bashkimit Evropian me 27 shtetet e tij anëtare është një ndërveprim më i mirë i institucioneve të tij dhe vendime të shumicës në të gjitha këshillat ministrore, në mënyrë që shpejtësia e karvanit edhe kështu të ngadaltë të BE-së të mos përcaktohet dhe pengohet nga i fundit në radhë. Më shumë nuk duhet.

Por tema e energjisë nuk është e re për Evropën e varfër me lëndë të para. Tani po kërkojnë tribut gabimet e së kaluarës. Në qoftë se qeveritë e mëparshme gjermane të përbëra nga kristiandemokratët dhe liberalët do t'i kishin dëgjuar të gjelbërit kur këta ishin ende të gjelbër dhe jo në qeveri, shumë gjëra do të ishin sot ndryshe. Në rast se shtetet anëtare të BE-së do të ishin përballur që para 10, 15 vjetësh me problemet që dihej se do vinin, nëse do të ishin marrë vesh për një miks energjetik që tregon të ardhmen, nëse do ta kishin pakësuar më shumë me ligj konsumin e energjisë, nëse do t'i kishin nxitur më shumë teknologjitë e reja dhe kursimet e energjisë, atëherë grindja e fundit midis Minskut dhe Moskës mund të shihej me më pak shqetësim.

Kanë kaluar 16 vjet qëkurse në një mbledhje të Këshillit Evropian në Dublin kryeministri i atëhershëm holandez propozoi përmirësimin e sigurisë në furnizimin e BE-së nëpërmjet një bashkëpunimi në sektorin energjetik me vendet e Evropës Lindore. Pas kërkesës së Këshillit Evropian për të hetuar se si mund të realizohej një bashkëpunim i tillë, Komisioni propozoi konceptin e një Karte Energjetike Evropiane. Kjo ishte në vitin 1991. Siç dihet, sot jemi në vitin 2007. Dhe ende Komisioni Evropian e ka të vështirë t'i bindë shtetet anëtare të BE-së se problemet energjetike nuk zgjidhen me nisma kombëtare.

Edhe Gjermania refuzon me forcë t'i japë Brukselit kompetenca më të mëdha në fushën e sigurisë dhe efikasitetit energjetik. Por kjo do të ishte vërtet "vlerë e shtuar evropiane", për të cilën flitet aq shumë këto ditë.