1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sinjale të rëndësishme, por jo progres

Rainer Sollich22 Shkurt 2007

Mbi takimin e kuartetit për Lindjen e Mesme

https://p.dw.com/p/ArJP
Rice dhe Steinmeier ne Berlin
Rice dhe Steinmeier ne BerlinFotografi: AP

Shtetet arabe në të ardhmen duhen inkuadruar më shumë në përpjekjet për rigjallërimin e procesit të paqës në Lindjen e Mesme. Për këtë ranë dakord të mërkurën përfaqësues të kuartetit për Lindjen e Mesme në takimin e tyre në Berlin.

Në të moren pjesë krahas përfaqësuesve të lartë të BE-së dhe Rusisë edhe sekretarja amerikane e shtetit Condoleezza Rice dhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon. Ky ishte takimi i dytë i kuartetit brenda tri javësh, takimi i ardhshëm do të zhvillohet në një vend arab.

Organizatës radikale-islamiste Hamas iu bë edhe një herë apel, që të njohë të drejtën e ekzistencës së shtetit të Izraelit dhe të heq dorë nga dhuna. Progres të dukshëm nuk ka sjellë takimi i kuartetit për Lindjen e Mesme në Berlin. Por prej tij dolën disa sinjale të rëndësishme: Bashkësia ndërkombetare angazhohet më në fund përsëri me forcë për një zgjidhje të konfliktit në Palestinë. Ajo deklarohet për një shtet të pavarur palestinez të aftë për të mbijetuar.

Nga qeveria e re e perbërë nga Hamasi dhe Fatahu ajo kërkon njohjen e ekzistencës së shtetit të Izraelit, heqjen dorë nga dhuna dhe respektimin e marrëveshjeve të arritura deri tani. Dhe në të gjitha iniciativat për zgjidhje ai do t´i integrojë më shumë shtetet arabe si partnerë.

Nuk ka diskutim se kuarteti i Lindjes së Mesme është përseri aktiv ai është rigjallëruar edhe nga angazhimi i presidencës gjermane të rradhës së BE-së. Një tjetër çështje është edhe në se katërshja e përbërë nga SHBA, OKB-ja, BE dhe Rusia në një kohë të shkurtër do të arrijnë, që të rigjallërojnë vetë procesin e paqes ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve. Kushtet për këtë janë për fat të keq të pafavorshme.


Para pesë vjetësh kuarteti për Lindjen e Mesme i pat prezantuar botën planin ambicioz, për të mundësuar themelimin e një shteti palestinez. Këtë e presin bota dhe palestinezët deri sot. Standartet e të ashtuquajturit "Roadmap" nuk u respektuan, që nga fillimi nga të dy palët në konflikt. As dhuna nga ana e palestinezëve nuk mori fund, dhe as nuk u nderpre ndërtimi i kolonive izraelite në Jordanin Perëndimor.

Aq sa i vështirë është konflikti në detaje, aq evidente është se rruga e vetme realiste për paqen ekziston në një zgjidhje me dy shtete. Vetem mund të shpresohet që në këtë mënyrë ta perceptojnë të gjithë, sidomos Hamasi. Fatahu e ka mësuar këtë leksion me vështirësi. Për fat të keq deri tani shumë pak gjëra flasin për atë, që kjo bindje do të krijohet edhe te Hamasi. Dhe Hamasi edhe në të ardhmen do të determinojë politikën palestineze.


Kësaj i shtohet fakti, që Izraeli nuk heq dorë nga ndërtimi i kolonive të tjera dhe nga muri ndarës, që ka ndërtuar me territoret palestineze, pa u konfrontuar me ndonjë valë të madhe të zemërimit ndërkombëtar për këtë arsye. Dhe në të dyja palët nuk duket ndonjë politikan, që të ketë mbështetjen e brendshme për zgjidhje paqësore.

Kryeministri izraelit Ehud Olmert gjendet në një krizë të thellë politike, ndërsa palestinezët përpiqen për krijimin e një qeverie nga të dy partitë, simpatizantët e të cilave deri tani përlesheshin përgjakshëm në rrugë. Në Lindjen e Mesme nuk mungojnë iniciativat dhe planet për paqen, por mungojnë aktoret politikë me forcë dhe gatishmëri për të kapërcyer vështirësitë.