1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sinonim i tmerreve të luftës moderne

Andreas Noll8 Maj 2006

Verduni 90 vjet më pas

https://p.dw.com/p/ArBC
Kol dhe Miteran në Verdun
Kol dhe Miteran në VerdunFotografi: AP


Ende sot Verdun është sinonim i tmerreve të luftës moderne. Gjatë Luftës së Parë Botëroe në zonën përreth qytetit në lindje të Francës ushtarë gjermanë dhe francezë të armatosur gjer më dhëmbë luftuan për muaj me rradhë për pak kilometra terren. Nga të dyja palët viktimat numëroheshin në qindra mijëra. Në një incident më 8 maj 1916 si pasojë e një shpërthimi humbën jetën 800 ushtarë gjermanë. Pra fotografia në kopertinën e librit të parë të historisë gjermano-franceze të prezantuar këtë javë nuk të çudit. Ajo paraqet shtrëngimin historik të duarve 20 vjet më parë në Verdun mes ish presidentit francez Fransua Miteran dhe ish kancelarit gjerman Helmut Kol. Verdun është sot një nga pikat më të frekuentuara të turizmit historik me rreth 400.000 vizitorë në vit.

Eshtë ftohtë në fortesën Duomon ndërkohë që Ursula Meriot drejton në dhomat e saj një grup vizitorësh. Ajo çka sot duket kaq paqësore ka qenë 90 vjet më parë ferri mbi tokë tregon ciceronia ndërkohë që fillon vizitën nëpër katakombet shumë kilometra të gjatë. Rreth 1.400 granata në ditë hidheshin gjatë luftimeve disa mujore kundër fortesës. Se çfarë sfondi të tmershëm akustik krijonin ato ciceronia e demonstron duke hedhur në truallin e gurtë e më lagështirë një pllakë hekuri. Vizitorëve vazhdojnë tu këmbojnë veshët ndërkohe që Ursula Meriot e drejton grupin për në përmendoren më të njohur gjermane në Verdun: "Kjo është varreza e ushtarëve gjermanë në fortesë. Këtu prehen eshtrat e 679 ushtarëve. Ata humbën jetën si pasojë e një shpërthimi të trefishtë. Në natën mes 7 dhe 8 majit këtu ishin të stacionuar më shumë se 3.000 ushtarë. Gjithë municioni në katin më të ulët shpërtheu dhe vrau rreth 800 vetë. Të nesërmen në mëngjes të mbijetuarit filluan ti varrosnin të vekurit jashtë por kjo ishte diçka shumë e rrezikshme. Atëherë nuk mbeti mundësi tjetër veçse t'i varrosnin brenda në fortesë. Në këtë vend ndodheshin atëherë dhoma të vogla të cilat u përdorën si varreza. Më pas gjithçka u mbyll me mure prej guri."
Sot përpara hyrjeve të muruara të fortesës ndodhen një kryq dhe lule. Por kujtimi i betejës së përgjakshme në Luftën e Parë Botërore mbahet i gjallë jo vetëm në fortesën Duomon e cila ishte në duart e gjermanëve nga shkurti deri në tetor të vitit 1916. Në gjithë Verdunin vizitorët nuk mund t'i shpëtojnë kësaj lufte as sot. Që prej vitit 1994 në pjesën historike të qytetit ndodhet Qendra për Paqen në Botë. Drejtuesi i saj është Zherar Longe:"Qëllimi i qendrës në këtë qytet të shënjuar kaq shumë nga lufta e cila ishte aq e tmerrshme për gjithë Europën, është t'u transmetojë njerëzve mesazhin se lufta nuk mund të zgjasë përjetësisht. Paqja nuk është utopi. Këtu ashtu si në vende të tjera në botës, p.sh. në Hiroshima, qytetarët duhet të kujtojnë dramat e së kaluarës dhe të përpiqen të ndërtojnë një të ardhme të lumtur."
Qendra për paqen në botë sqaron p.sh. me anë të ekspozitave. Gjermani Jonas Shyring punon vullnetarisht në qendër që prej një viti. Pjesë e detyrave të tij është të drejtojë grupet e vizitorëve. Por çfarë u intereson të rinjve që vizitojnë sot Verdunin? "Në rradhë të parë është lufta e njeriut kundër njeriut. Më pas luftërat filluan të bëheshin më anonime, kundërshtarin nuk e shihje më në sy. Por është para së gjithash vuajtja e papërshkrueshme që ata përpiqen të përjetojnë sërish pas kaq vitesh. Si ka qenë e mundur e gjitha, kjo pra që për rreth dhjetë muaj më rradhë të luftohej vetëm për pak kilometra pa patur në fund një fitues të vërtetë?", shprehet Shyring.
Detyrë e qendrës është edhe takimi i të rinjve nga rajonet e krizave. Këtë verë Verdunin do ta vizitojnë palestinezë dhe izraelitë.
Të rënët e Luftës së Parë Botërore vazhdojnë edhe sot të jenë rreptësisht të ndarë, fitimtarët morën kryqin e bardhë, ndërsa në varrezat e shumta të ushtarëve gjermanë ndodhen kryqe të zinj. 20 vjet më parë përballë varrezës më të madhe pranë Fortesës Duomon kancelari gjerman Kol dhe presidenti Miteran i dhanë dorën njëri-tjetrit. Me rastin e 90 vjetorit këtë vit pritet që në Verdun të vijë dhe kancelarja gjermane Angela Merkel.