1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Skandali i transplantit të organeve Gjermani

Andrea Grunau/Elona Elezi27 Gusht 2012

Një skandal rrreth manipulimit të listës së pritjes për transplantin e organeve në Gjermani çoi kritikët drejt apelimit për kontrolle më të ashpra. Por vetë kontrollorët përfitojnë nga sistemi!

https://p.dw.com/p/15xGN
Fotografi: Fotolia

Kur Harald Terpe shkruajti një artikull rreth skandalit mbi transplantin e organeve në Gjermani, ai e quajti "Dështimi i organeve jetësore." Terpe është mjek dhe anëtar i Partisë së Gjelbër në Bundestagun gjerman dhe bën pjesë në Komisionin Parlamentar për Çështjet e Shëndetësisë. Ai thotë se kontrollet më të mira janë thelbësore.

Çfarë ka ndodhur në Gjermani?

Në spitalet e qyteteve gjermane të Gëtingenit dhe Regensburgut, kirurgët dyshohen se kanë manipuluar listat e pritjes për organet në mënyrë që disa pacientë të marrin mëlçi të re më herët se ç´pritej– në kurriz të pacientëve të tjerë në listën e pritjes së Eurotransplantit. Eurotransplant është organizata, e cila koordinon shpërndarjen e organeve në shtatë shtete evropiane. Terpe thotë se sistemi duhet të shpërndajë në mënyrë të ndershme organet mes vendeve të ndryshme. Nëse procedura kërcënohet nëpërmjet manipulimit, argumenton ai, "atëherë ky është fundi i sistemit të transplantit."

Kontroll shtetëtor në vend të një klubi privat

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Daniel Bahr, tha se donte rregulla më strikte, më tepër kontrolle dhe dënime më të ashpra. Çështja diskutohet hollësisht të hënën (27.07) në një takim krize në Berlin. Terpe i tha DW-s se sistemi gjerman i dhurimit të organeve ka nevojë për një kontroll të pavarur dhe monitorim shtetëror. "Lindi nevoja që njerëzit të përfshiheshin; ata kanë ndjesinë se procesi i kontrollit nuk duhet të funksionojë sipas parimeve të një kulbi privat."

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Daniel Bahr
Ministri gjerman i Shëndetësisë, Daniel BahrFotografi: picture-alliance/dpa

Në Gjermani janë shoqatat mjekësore, të siguruarit në shëndetësi dhe shoqatat spitalore, ato të cilat janë përgjegjëse për mbikqyrjen e sistemit të dhurimit dhe shpërndarjes së organeve. Që të gjithë palët kanë interesa financiare për aq kohë sa transplanti sjell shumë të ardhura. Deri më tani, ka thjesht kontrolle josistematike në vetëm 1-5 % të të gjithë rasteve. Terpe thotë se ai do kontrolle të rregullta të pavarura dhe këmbëngul që të krijohet punë shtetërore shtesë në mënyrë që të merret përsipër përgjegjësia për ta.

Bavaria kërkon parimin e 'tre palë syve'

BioSkop është një organizatë e cila prej vitesh ka kritikuar industrinë e transplantit. Përfaqësuesja e tyre, Erika Feyerabend, thotë se sistemi aktual lejon shumë hapësira për manipulime. "Ai mund të bëj që një organ të duket me keq nga ç´është, në mënyrë që të përshpejtojë procesin e shpërndarjes, kështu që mund ta përdor atë në spitalin tim,“ i tha ajo DW. Numri i organeve që kalojnë në procesin e përshpejtimit është rritur jashtëzakonisht shumë përgjatë viteve të fundit në Gjermani – Procesi lejon që organet e cilësisë së ulët të përdoren shpejt, pa kaluar më parë përmes procedurës që duhet për shpërndarje.

Por Feyerabend thotë se nuk duhen fajësuar mjekët: "Nëse analizoni rastet në Göttingen dhe Regensburg, mund të thoni që nuk janë vetëm sistemet e kontrollit të brendshëm të profesionit mjekësor – shoqatave mjekësore apo komisioneve të tyre – të cilat kanë dështuar; janë gjithashtu institucionet shtetërore, ministritë dhe prokurorët e shtetit."

Bavaria është prekur drejtpërsëdrejti nga skandali, pasi Regensburgu është pjesë e saj. Ministri bavarez i Shkencave Wolfgang Heubisch ka premtuar një hetim të plotë dhe ka paralajmëruar masa të menjëhershme: për të parandaluar manipulimin, në gjashtë qendrat e transplantit në këtë vend do të prezantohet sistemi i kontrollit të `tre palë syve`, duke përfshirë në çdo rast mjekë nga tre specializime të ndryshme.

Idetë e Bahr janë të ngjashme në nivel kombëtar. Do të ketë gjithashtu kontrolle lokale nga ekspertë të pavarur. Terpe i konsideron të papërshtatshme kontrollet lokale. Ai propozon një Komision Etike për transplantet, në të cilin duhet të përfshihen edhe njerëz që nuk kanë lidhje me profesionin e mjekut.

Thema Organspende Organbox ADAC
Fotografi: Deutsche Stiftung für Organtransplantation

Më shumë informacion, më pak moral

Erika Feyerabend apelon për një diskutim më të hapur dhe më kritik në të gjithë zonën e transplantit, për të cilën ajo thotë se, financiarisht mbështetet shumë më mirë se procedura të tjera mjekësore. Ashtu si dhe Terpe, ajo do të shohë të gjitha rastet, për të cilat deri tani janë hedhur dyshime në publik. Personat e brendshëm, të cilët vunë alarmin duhet të mbrohen më mirë. Kritikët kundërshtojnë idenë e shpërblimeve për transplantet dhe qeveria bavareze do t´i shohë ata të ndaluara.

Kirurgët gjithashtu po ankohen rreth presionit ekonomik që ushtrohet ndaj tyre dhe spitaleve, që nënkupton se në vend që të përmirësojë cilësinë e punës së tyre, po rrit numrin e ndërhyrjeve të transplantit. Janë rreth 50 qendra transplanti në Gjermani, dhe Feyerabend thotë se ata nuk po punojnë me kapacitet të plotë dhe kjo reflektohet në presionin ekonomik. "Diskutimet rreth transplanteve duhet të bëhen më pak moraliste". Sipas saj në Gjermani nuk ka asnjë informacion asnjanës që është i vlefshëm rreth çështjeve kritike.

Zor se dikush dëgjon rreth dështimit të transplanteve, dhe ka pak diskutime rreth çështjeve që lidhen me vdekjen e trurit dhe pasojave rreth kujdesit intensiv që u jepen dhuruesve potencialë të organeve.

Është Fondacioni Gjerman i Dhurimit të Organeve, i cili është përgjegjës për të siguruar informacionet, por ky fondacion vështirë që të jetë asnjanës, përderisa është njëkohësisht edhe organizata që koordinon heqjen dhe transplatin e organeve. Siç thotë Feyerabend, ajo çka ata bëjnë "është më tepër si një reklamë." Terpe nxjerr në pah se Fondacioni merr paratë publike nga sistemi i sigurimeve dhe për këtë arsye shteti duhet të ushtrojë presion ndaj tij. Tashmë Bahr ka paralajmëruar se ai po planifikon të hetojë më nga afër punën e Fondacionit.