1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Situata në Birmani po i dëshpëron punonjësit e ndihmave humanitare

Vilma Filaj Ballvora16 Maj 2008

Punonjësit e ndihmës humanitare fillimisht nuk u lejuan prej juntës ushtarake që të hyjnë në vend. Më pas u pezulluan ndihmat në kufijtë e vendit.

https://p.dw.com/p/E18q
Organizata humanitare Johanniter ndihmon në Birmani
Organizata humanitare Johanniter ndihmon në BirmaniFotografi: AP

Kanë kaluar gati dy javë qysh prej katastrofës së ciklonit me pasoja të rënda dhe gjendja në vendin e fatkeqësisë është e paqartë. Alexander Richter i organizatës gjermane të ndihmës "Johanniter" ishte në Birmani dhe u përpoq të ndihmojë. Pas një jave ai është kthyer dhe thotë lidhur me gjendjen : "Unë besoj, që askush prej antarëve të ekipit tonë nuk ka përjetuar ndonjëherë një situatë të tillë."

Alexander Richter ka qenë si punonjës i shërbimit humanitar të "Johanniter" në shumë rajone krizash në botë, por dhënia e ndihmës nuk ka qenë asnjëherë kaq e vështirë sa në Birmani: "Ne kemi ndërmarrë disa përpjekje për të hyrë në vendin e katastrofës.", thotë ai. Por gjithmonë na kanë penguar. Ne na ndaluan në postblloqet ushtarake, na kontrolluan pasaportat dhe shënuan emrat tanë. Më pas miqësisht, por ne formë të prerë na thanë, që nuk lejoheshim të udhëtojmë më tej dhe se duhet të ktheheshim."

Ekipi i tij prej katër vetësh kishte për detyrë të hetonte situatën në Birmani për të verifikuar se çfarë ndihme duhej dhënë, në mënyrë që këto të dhëna t´i jepeshin organizatë në Gjermani. Kjo ishte e vështirë edhe për faktin se lidhjet satelitore dhe ato telefonike në Birmani janë të ndaluara. Të huajt nuk lejohen të blejnë telefona celularë. Ushtarakët i kanë kontrolluar në çdo hap punonjësit e shërbimit Johanniter. "Në hollin e hotelit qëndronin të ulur njerëz që nuk kishin të bënin aspak me hotelin. Papritur ata bënin fotografi dhe nisnin të telefononin sapo dikush lëviz. Vazhdimisht ekzistone ndjenja se po të vëzhgonin. Edhe faqet e internetit, përmes të cilave deri më dje mund të vendosej komunikim me e-mail tashmë janë bllokuar."

Ndërkohë në radhët e birmanezëve është përhapur fjala, që ndihmësit e huaj nuk lejohen të raportojnë. Si rrjedhojë janë krijuar iniciativa private, që mbështeten prej organizatave të ndihmës me aq sa ka mundësi: "Blihen privatisht ushqime, ujë dhe medikamente dhe transportohen në territoret e katastrofës. Vendasit lejohen që të kalojnë përmes postblloqeve për në zonën e katastrofës."

Pavarësisht rrethanave të vështira Johaniter kanë mundur të blejnë 15.000 euro antibiotikë, qetësues dhe fasho. Me ndihmën e shoqatave vendase këto u janë dërguar njerëzve në nevojë. Megjithatë nevojat nuk janë mbuluar me kaq."

Një transport nga ajri me medikamente për 30.000 njerëz është lejuar të futet në vend. Edhe një ekip i ri i shërbimit Johanniter është nsiur drejt rajonit të katastrofës. Nëse do të depërtojnë deri atje, kjo nuk dihet.