1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sjellja e emigrantëve me shtetësi gjermane në zgjedhje

Fatimeh Farsaie1 Mars 2004

Emigrantët nganjëherë janë më të vetdijshëm për votën e tyre se sa gjermanët

https://p.dw.com/p/Ar7Q
Kutitë e votimit presin edhe votat e emigrantëve me shtetësi gjermane
Kutitë e votimit presin edhe votat e emigrantëve me shtetësi gjermaneFotografi: Bilderbox


Në zgjedhjet e Hamburgut që të votojnë ishin ftuar 1,22 milionë njerëz me të drejtë vote. Në mesin e tyre edhe emigrantë që ndërkohë kanë fituar nënshtetësinë gjermane dhe të drejtën për të marrë pjesë në zgjedhje. Edhe pse ende nuk ekziston ndonjë analizë e pjesëmarrjes dhe sjelljes së emigranëtve në zgjedhjet e Hamburgut, ka të dhëna të përgjithshme për sjelljen në zgjedhje të emigrantëve në Gjermani. Në kuadër të anketave të rregullta mujore dhe vjetore për baromterin politik janë pyetur edhe emigrantët me të drejtë vote. Këto anketa kanë bërë të qartë se në masë të madhe qëndrimet e emigrantëve për zgjedhjet janë të njëjta me ato të gjermanëve. Lidhur me këtë studim Fatimeh Farsaie ka biseduar me politikanen e të gjelbërve me prejardhje nga Turqia Çiler Firtna dhe fotografisten Maria Klassen nga Kazakistani.

Jo vetëm në klube por kryesisht në kafeçajtore, në xhami apo bashkësitë kishtare emigrantët me nështetësi gjermane diskutojnë për politikën dhe zgjedhjet. Kjo theksohet edhe nga rusja 45 vjeçare nga Kazakistani, Maria Klassen e cila në vitin 1976, atëherë në moshë 18 vjeçare kishte ardhur në Gjermani:

"Për këtë jam edhe vet dëshmitare që në mesin e të afërmëve të mij ka edhe besimtarë apo besimtarë fanatik baptistë të cilët në famulli bisedojnë me priftërinjët e tyre rreth zgjedhjeve, se si duken ato, pse duhet marrë pjesë në to dhe për kë është më së miri të votohet", sqaron Klassen.

Pa marrë parasysh se si quhen, Tamara apo Mehmet, Aleksandër apo Shirin, emigrantët me të drejtë vote vendosin me vetëdije se për cilën parti do të votojnë. Bile mund të thuhet se emigrantët nganjëherë janë më të vetdijshëm për votën e tyre se sa gjermanët, thotë kurdja 39 vjeçare, Çiler Firtna e cila në Gjermani ka ardhur në moshën shtatë vjeçare:

"Kjo ka të bëj me atë, mendoj unë, që nëse një emigrant pranon shtetësinë gjermane, arrin në një pikë në këtë shoqëri ku ai fillon të ndjej veten si në shtëpinë e vet, është i interesuar të qëndroj këtu dhe interesat e tij janë këtu në Gjermani. Kështu që ai më nuk voton me orientim nga vendlindja por me orintim gjerman", sqaron Firtna.

Çiler Firtna thekson poashtu se nuk bën të besohet që politika e migracionit që udhëheqin partitë luan rolin kryesor në vendimin e emigrantëve në dhënjen e votës. Përkundrazi thotë Çiler nevojat konkrete dhe interesat në shoqërinë gjermane ku ata jetojnë janë shumë më të rëndësishme në marrjen e vendimit të tyre.

Sipas statistikave të fundit 73 përqind e gjermanëve të riatdhesuar, të cilët përbëjnë edhe gjysmën e personave që kanë fituar shtetësinë gjermane janë ithtarë të Unionit Kristian-Demokrat. Për dallim 62 përqind e të anketuarëve, persona me shtetësi gjermane por me prejardhje nga Turqia preferojnë Partinë Socialdemokrate. Ndërkaq pjesëmarrja e emigrantëve në zgjedhje është përfarësisht e njëjtë si ajo e gjermanëve.