1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

101210 Spanien Doping

10 Dhjetor 2010

Spanja është tronditur nga një skandal i ri dopingu. Policia ndaloi 14 persona të dyshuar. Qeveria premton se do të ndjekë parimin e tolerancës zero në luftën kundër fenomenit.

https://p.dw.com/p/QVS7
Fituesi i Xhiros së Francës, Alberto Contador nën dyshim për doping.
Fituesi i Xhiros së Francës, Alberto Contador nën dyshim për doping.Fotografi: AP

Policia spanjolle heton atletikën e lehtë

Sërish në qendër të një skandali dopingu është mjeku i kontestuar spanjoll Eufemiano Fuentes. Katër vjet më parë emri i tij u përmend në lidhje me skandalin më të madh të dopingut në historinë e çiklizmit. Këtë herë hetuesit kanë në shënjestër atletikën e lehtë. Gjithsej 14 persona u arrestuan të enjten (9.12.). Krahas Fuentesit, në grupin e të ndaluarve është edhe sportistja e njohur spanjolle Marta Dominguez si dhe traineri dhe menaxheri i saj. Kampionia e botës në vrapim me pengesa akuzohet se ka furnizuar sportistë të tjerë me substanca të ndaluara.

Mjeku i kontestuar spanjoll Eufemiano Fuentes.
Mjeku i kontestuar spanjoll Eufemiano Fuentes.Fotografi: picture-alliance/ dpa

Lajmi tronditi thellë botën e sportit spanjoll. Sekretari i shtetit për sportin Jaime Lissavetzky premtoi megjithatë një zbardhje të plotë të rasteve:

Qeveria spanjolle premton "tolerancë zero"

„Ne kemi vendosur të ndjekim parimin e tolerancës zero. Dhe jo vetëm qeveria dhe parlamenti, por e gjithë shoqëria kërkojnë një sport të pastër. Është e qartë se nuk do të fshihet asgjë, por do të punohet në mënyrë korrekte."

Mediet njoftojnë se skandali i ri u zbulua nga deponimet e një sportisti nga atletika e lehtë, i cili kishte rënë në rrjetën e policisë një vit më parë. Atëherë ishte zbuluar një rrjet dopingu, në të cilin bënte pjesë edhe atleti Paquillo Fernandez. Sportisti dy herë kampion Evrope, i çoi me sa duket hetuesit në gjurmët e një rrjeti më të madh.

Sportistja spanjolle Marta Dominguez.
Sportistja spanjolle Marta Dominguez.Fotografi: AP

Rënia e idhujve të sportit spanjoll

Sipas njoftimeve në shtyp, prej muajsh qarkullonin zëra, se mjeku i kontestuar Fuentes vazhdonte të ishte ilegalisht aktiv. Drejtuesi i hetimeve vendosi për këtë arsye ndalimin e dhënies së informacioneve. Sportistja Marta Dominguez, e cila është në muajin e katërt të shtatzanisë, u la e lirë me kusht. Kështu brenda pak javësh një yll tjetër i sportit spanjoll ndodhet nën dyshim për doping. Më parë ishte bërë e ditur, se edhe fituesi i Xhiros së Francës në verë Alberto Contador, kishte rezultuar pozitiv ndaj një substance që përdoret për rritjen e viçave.

Tani në Spanjë një tjetër idhull i sportdashësve ndodhet para fundit. Gazetari Alvaro Nieto nga gazeta "Tiempo", flet edhe në emër të spanjollëve të tjerë:

„Policia nuk ndërmerr një operacion të këtij kalibri, nëse nuk ka prova pak a shumë evidente. Duket se një tjetër mit ndodhet para rënies."

Autor: Cornelia Derichsweiler / Eliana Xhani

Redaktoi: Vilma Filaj - Ballvora