1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Skinhead vret me armë dy vetë në mes të rrugës

Klaus Scheffer12 Maj 2006

Belgjika është e tronditur thellë: një 18-vjeçar vrau të enjten me armë zjarri një grua dhe një fëmijë. Ngjarja e rëndë ndodhi në mes të rrugës në qytetin portual belg Anvers. Një tjetër grua është plagosur rëndë. Vrasësi duket se është shtyrë nga motive racizmi.

https://p.dw.com/p/ArB8
Përkujtohen viktimat në Anversë të Belgjikës
Përkujtohen viktimat në Anversë të BelgjikësFotografi: picture-alliance / dpa/dpaweb

Kryetari i bashkisë së Anversës, Patrik Jansens është pa fjalë përballë ngjarjes së rëndë në qytetin e tij: "Jam i shokuar nga fakti që një tip i tillë blen në mes të ditës armë në një dyqan në qytet për të qëlluar më pas me të mbi njerëz të cilët duket se i ka përzgjedhur nga ngjyra e lëkurës. Kjo është e tmerrshme e papranueshme."

Po kaq të tronditur janë edhe shumë të tjerë në Belgjikë. Mënyra si kanë rrjedhur ngjarjet i afrohet të pabesueshmes: një djalë i ri i armatosur me një armë zjarri të kalibrit të rëndë ecën në mes të qendrës së qytetit dhe qëllon mbi njerëzit. Viktima e parë ishte një turke e cila lexonte e ulur mbi një stol. Gruaja plagoset rëndë dhe dërgohet më pas në spital. Autori, një skinhead 18 vjeçar, vazhdon veprën e tij kriminale: zbulon një grua me ngjyrë që kujdeset për një fëmijë të vogël. Fëmija është i bardhë. I riu i vret të dy. Dëshmitarët në vendngjarje tregojnë më pas se i riu ka qenë vazhdimisht i qetë gjatë kryerjes së aktit. Tmerrit i jep fund një polic që kalon aty rastësisht. Ai i kërkon të riut të dorëzohet dhe kur ky bën një lëvizje të dyshimtë polici qëllon. 18-vjeçari plagoset rëndë. Deri tani nuk ka qenë e mundur të merret në pyetje.

Fillimisht ngjarja e rëndë duket e pashpjegueshme. Por modeli i flokëve të të riut dhe simbolet që mban në trup dëshmojnë për lidhje të tij me skenën e ekstremistëve të djathtë, njofton më vonë prokuroria. Për kryeministrin belg Gi Verhofstad, i cili duket i prekur thellë nga ngjarja e rëndë, është e qartë se:"Kjo vepër e tmerrshme është një formë e racizimit ekstrem. Tani çdo qytetar duhet të kuptojë se ku mund të çojnë idetë e së djathtës ektreme."


Qyteti port i Anversës është një nga qendrat e partisë ekstremiste të djathtë "Flams Belang". Në zgjedhjet e fundit komunale kjo parti mori rreth një të tretën e votave. Shumë shpesh në qytetin me përqindje të lartë të huajsh ndodhin përleshje të dhunshme. Qeveria i trembet tani trazirave të reja. Kryeministri Verhofstad ka bërë thirrje për qetësi dhe kthjelltësi:"Ne nuk duhet të lejojmë, që shoqëria jonë të përfundojë tani në një spirale dhune dhe urrejtjeje. Shoqëria jonë ka qenë githnjë tolerante dhe kështu duhet të mbetet."

Edhe një javë më parë një krim me motive racizmi përcaktoi titujt e gazetave në Bryzh të Belgjikës: një francez ezmer dhe një shoku i tij belg u sulmuan nga disa skinhead dhe u plagosën rëndë. Këtë fundjavë në Bryzh janë planifikuar demonstrime kundër racizmit dhe armiqësisë ndaj të huajve.