1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sondazhi: shumicë për socialdemokratët dhe ekologjistët

6 Gusht 2010

Sipas sondazheve të fundit koalicioni mes socialdemokratëve dhe ekologjistëve do të fitonte shumicën nëse zgjedhjet do të mbaheshin tani. Kristiandemokratët dhe liberalët paraqiten më dobët se kurrë më parë.

https://p.dw.com/p/Oe5w
Kryetari i socialdemokratëve gjermanë Sigmar Gabriel dhe kryetari i grupit parlamentar të SPD-së Frank-Walter Steinmeier.
Kryetari i socialdemokratëve gjermanë Sigmar Gabriel dhe kryetari i grupit parlamentar të SPD-së Frank-Walter Steinmeier.Fotografi: AP

Në Gjermani partitë e koalicionit qeverisës, Unioni Kristiandemokrat-Kristiansocial (CDU/CSU) dhe liberalët e FDP-së, duket se nuk përfitojnë nga përmirësimi i pritjeve ekonomike në radhët e popullsisë. Në sondazhin javor që kryen ARD (Grupi i punës i kanaleve radiofonike publike në Gjermani), ato kanë shënuar rezultatin e tyre më të dobët që nga fillimi i mbledhjes së opinioneve.

Sipas rezultateve të sondazhit të fundit, Unioni CDU/CSU në krahasim me një muaj më parë ka humbur dy pikë dhe ka aktualisht 31%. Socialdemokratët (SPD) e kanë përmirësuar rezultatin me 1%, dhe janë gjithashtu në nivelin 31%, vlera më e mirë për ta që prej qershorit 2007.

Konservator-liberalët më dobët se kurrë më parë

Partnerët në koalicion, kancelarja Merkel (CDU) dhe ministri i Jashtëm Westerwelle (FDP)me rezultatin më të dobët.
Partnerët në koalicion, kancelarja Merkel (CDU) dhe ministri i Jashtëm Westerwelle (FDP)me rezultatin më të dobët.Fotografi: AP

Partitë më të vogla nuk kanë asnjë ndryshim në rezultat, në krahasim me një muaj më parë: ekologjistët janë në nivelin 17%, partia 'E Majta' në 10% dhe demokratët e lirë (FDP) në 5%. Socialdemokratët dhe ekologjistët së bashku arrijnë 48% dhe për herë të parë që prej tetorit 2002 më shumë se partitë e tjera të përfaqësuara në Bundestag, të marra së bashku.

Unioni CD/CSU dhe FDP-ja me 36% kanë shënuar rezultatin më të dobët që prej fillimit të kryerjes së sondazhit nga ARD.

Merkel në rënie

Në pyetjen se sa të kënaqur janë me politikanët gjermanë, kancelarja Angela Merkel renditet prapa shumë ministrave të kabinetit të saj. Ajo zë vendin e shtatë në shkallën e popullaritetit tek të anketuarit. Në krye të listës vazhdon të jetë ministri gjerman i Mbrojtjes Karl-Theodor zu Guttenberg. Në fund renditen tri ministra liberalë në kabinet: ministri i Jashtëm Guido Westerwelle, ministri për Zhvillimin Dirk Niebel dhe ministri i Shëndetësisë Philip Rössler.

Gjermanët janë optimistë për situatën ekonomike në vend.
Gjermanët shprehen optimistë për situatën ekonomike në vend.Fotografi: dpa/PA

Optimizëm për situatën ekonomike

Situatën ekonomike dhe zhvillimin në Gjermani të anketuarit i vlerësojnë edhe më tej pozitivisht. 58% e të anketuarve thanë se përmirësimi i ekonomisë është i dukshëm. Gjysma e të anketuarve mendojnë se pas një viti situata ekonomike do të përmirësohet edhe më tej. Vetëm 18% presin përkeqësim të saj.

Autor: Pia Gram / Eliana Xhani

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora